Midis nesh

Është një profil personash të cilët kanë kuptuar se me kulturë shumë lehtë mund të pasurohesh, pa i dhënë llogari askujt. Ky profil i “kulturaxhinjëve” pa dyshim që na del nga komuniteti i militantëve partiakë, ndërsa ndihmohet dhe përkrahet nga funksionarët partiakë që gjenden në ministrinë për kulturë.
Një botë e tërë është ngritur në këmbë që t’i ndihmojë shoqërisë në tranzicion (pra, edhe shqiptarët), sidomos ato që vijnë nga territoret e trazuara (me konflikte ndëretnike, politike, sociale etj.). Në rrafshin kulturor ndihmesa e ndërkombëtarëve konsiston në nxitjen, në përkrahjen dhe në financimin e diversitetit kulturor që vjen në shprehje sidomos duke u themeluar, organizuar dhe vepruar shoqata të ndryshme kulturore. Si rrjedhojë e këtyre politikave që mbështesin gjallërimin e jetës kulturore, kemi me qindra shoqata e organizata kulturore që veprojnë në trevat shqiptare! E, megjithatë, kulturalisht jemi në fund të pusit! Këta subjekte kulturore (!) thithin miliona euro për aktivitete dhe zhvillim kulturor, ndërsa këtyre aktiviteteve i gëzohen vetëm donatorët apo edhe kryesia partiake! Këtë fakt nuk e nënvizon asnjë projekt kulturor! Në të gjitha projektet thuhet se me aktivitetet kulturore të parapara në projekt fiton komuniteti, banorët lokalë apo mbarë shoqëria!
A ka mekanizëm në shoqërinë tonë, në shtetet tona, i cili do ta përcillet aktivitetin kulturor të shoqatave që ia mësyjnë të merren me kulturë? A i përcjell dikush efektet afatgjata të zhvillimeve kulturore të ndërmarra nga “sipërmarrësit” kulturorë? Cili është impakti në shoqëri nga një manifestim letrar, teatral, muzikor, nga një festival folklorik, nga një koloni artistësh etj.? Deri më sot dihet vetëm për impaktin epik të “Dokufestit”, i cili tashmë është shndërruar në “kontinent më vete”! Ndër shqiptarët ka plotë “sipërmarrës” kulturorë që sot mund të festojnë dhjetë, pesëmbëdhjetë, njëzetvjetorin e funksionimit! Janë realizuar me qindra e qindra projekte kulturore! Cili mekanizëm kombëtar, cili instrument shtetëror ka zhvilluar ndonjë analizë për të parë se cili ishte ndikimi i këtyre “sipërmarrjeve” në zhvillimin e jetës kulturore, në përforcimin e identitetit kulturor! Ku dhe si përfunduan ato shuma parash të derdhura nga donatorë, por edhe nga paratë e popullit për zhvillim kulturor kombëtar? A ka hulumtuar ndonjë trupë akademike për të parë se kush ka fituar për këtë periudhë “zhvillimesh kulturor”: kultura apo organizatorët? Në kulturë nuk vërehet qoftë kontributi më i vogël i këtyre “sipërmarrjeve” kulturore, ndërsa tek organizatorët vërehet një kapërcim gjigant nga qytetarë të rëndomtë në “oligarkë kulturorë”! E megjithatë, nuk i tejkalojnë vlerat e një xhambazi!
Është koha e fundit që institucionet shtetërore të ndërhyjnë dhe ta stopojnë xhambazllëkun kulturor. Ka plotë të rinj, talent e të përgatitur, të ndërgjegjshëm e të bindur se janë vlerë e shoqërisë dhe se duhet të veprojnë absolutisht për të mirën e shoqërisë! Këtyre duhet dhënë shans, ndërsa “përfituesve kulturorë” duet t’u rezervohet trajtimi i ngjashëm si “përfituesve nga luftërat”. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Sivjet do të jepen dy Çmime Nobel për Letërsi

Gjatë këtij viti do të dhurohen dy Çmime Nobel për Letërsi për…

Shqetësimet e një “akademike” për “qëndrimet raciste” të shteteve perëndimore!

Midis nesh Dikush në BE nga repertori dhe nga leximoret publike paska…

INJORANCA MBI SHOQËRINË SHQIPTARE

Midis nesh Shoqërisë shqiptare fatkeqësisht i mungon ndjenja e përgjegjësisë. Kjo mungesë…

A jemi “një komb – një kulturë”

Midis nesh Programet konkrete bëjnë që strategjitë të mos ngelin vetëm teori…