Shkruar nga Vjollcë Berisha, Profesoreshë në UT, njëkohësisht edhe Kryetare e Asamblesë së Gruas në ASH.

“Kur Ministria kërcënon se nuk do të ketë rroga për mësimdhënësit në grevë, e shkel me dy këmbë dhe e pështyn dinjitetin e tyre.
Ministri i “tyre” që do të duhej të ishte mbështetësi kryesor, udhëheqësi, motivuesi, ua përplas në fytyrë mjerimin ku i ka kredhur vetë.
“Ju s’do të keni rroga, kthehuni në mësim, se do të vdisni urie. Ju kemi në dorë. Ju e dini sa është një shishe vaj, ju e dini si ua kemi shtrenjtuar ekzistencën. Nga e merrni fuqinë?! Revolta nuk hahet. Do të mbeteni pa kafshatën e gojës, pa drita. Do ta humbni edhe krenarinë përpara fëmijëve tuaj kur s’do të keni as bukë të thatë për të mbajtur nën sqetull kur të ktheheni nga greva. Ju jeni rrogëtarë. Ne kemi në dorë jo vetëm ditarin tuaj, por edhe qenien tuaj. Ndërpriteni grevën se s’do të keni gjë prej gjëje. Ju vetëm për rrogë rroni. Ju s’keni nge për gjëra të tjera. As mendjen te mësimi nuk e mbani. Ju jeni frikacakë. Shihni si do të rreshtoheni për një në derë të klasës kur t’ua përmendim paratë. Ju s’meritoni asgjë. Ju duhet të punoni më shumë”. Ky është përkthimi i fjalëpërfjalshëm i kërcënimit me mosdhënie rroge. Në çdo shkronjë të kësaj fjalie kumbon përçmimi. Ai nuk frikëson, as që ka për qëllim të frikësojë, por ai përçmon. Thotë se s’jeni gjë. S’vleni gjë. Rrogëtarë të mjerë!!!

Është e turpshme se si shteti flet me mësuesit.

Nuk mjafton vetëm të bësh mesazhe poetike në rrjete sociale për 7 Mars, sikurse nuk mjaftojnë hartimet me shkrim e me një sërë gabimesh gramatikore për të folur se sa i madh na qenka roli i Mësuesit, se si nëse dëshiron ta prishësh një vend, duhet t’i shkatërrosh arsimin. Këto janë përrallisje snobe shumë larg të vërtetës. E vërteta është që kjo qeveri ka qëndrime armiqësore ndaj shkollës. Po të mos ishte e tillë, nuk do ta diskutonte kërkesën e mësuesve për trajtim, për shpërblim, nuk do t’i zhveshte duke ua marrë ditarët nga dora me pretekst digjitalizimi për t’i lënë me fleta evidence të printuara tutje-tëhu nëpër qytet se as printerë nuk kanë nëpër kabinete (po ata as kabinete nuk kanë!), nuk do t’i detyronte të punojnë me programe të vjetruara, nuk do t’i linte larg trajnimeve dhe avancimeve profesionale, larg këshilluesve pedagogjikë; nuk do t’i linte me libra fyes, me plot gabime gjuhësore e shkencore, nuk do t’u linte në dorë libra pa kopertina, pa fleta, që janë shtypur te miqtë e ngushtë të pushtetit e që janë sfilitur nga përdorimi prej gjenerate në gjeneratë, edhe atë në kohën e internetit, në kohën kur leximi është në krizë, në kohën kur duhet mund i veçantë për ta mbajtur dashurinë e të riut ndaj librit, kur libri jo vetëm që s’duhet të jetë si i dalë nga lufta, por duhet të jetë edhe atraktiv dhe në përputhje me kërkesat, shijet dhe dëshirat e nxënësve…
Shkolla nuk e ka aleate Qeverinë. Prandaj gjithnjë e më shumë po rrallohen fëmijët që duan të bëhen mësues, prandaj gjithnjë e më shumë po tëhuajësohen gjimnazistët ndaj drejtimeve pedagogjike, përditë po reduktohet numri i studentëve në drejtimet e mësuesisë. Askush nuk dëshiron të jetë i fyer, të mos jetë i vlerësuar për punën që bën. Askush s’pranon t’ia rënosh natën atë që e ka bërë tërë ditën.
Revolta e mësuesit nuk është rroga. Ai është i fyer dhe mos e pështyni më, se po shëmtoheni vetë.”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Ngjarja në Elbasan, ambasadorja Kim: Grupet e mbrojtjes së votës, të papranueshme

Krerët e Komisionit për Marrëdhëniet me Jashtë të Senatit amerikan u bënë…

Osmani takoi administratoren e USAID-it, konfirmohet mbështetja për Kosovën

Presidentja Vjosa Osmani është takuar me administratoren e USAID-it, Samantha Power, të…

Sulm terrorist në Francë

Një person ka goditur një xhami në pjesën lindore të Francës, ndërsa…

Mbyllet Parku Kombëtar i Belgjikës – kërkohet një ushtar që besohet se është i armatosur rëndë

Autoritetet e Belgjikës e kanë mbyllur një park kombëtar pranë kufirit me…

Rrëfimi i Shaqir Fetait si para priftit pas mëkatit

Pjesëmarrja e Shaqir Fetait në Konferencën ndërkombëtare islame me Temë:”Uniteti islam”, organizuar…