Ambasadori i Serbisë në Podgoricë, Zoran Bingulac, u ftua të enjten në një takim urgjent në ministrinë e Punëve të Jashtme të Malit të Zi, për shkak të asaj që është cilësuar si gjuhë ofenduese e zyrtarëve serbë lidhur me projektligjin për liritë fetare në vendin e vogël buzë Adriatikut.

Projektligji parasheh hartimin e një regjistri të të gjitha objekteve fetare dhe zonave që dikur ishin pronë e Mbretërisë së Pavarur të Malit të Zi, para se të bëhej pjesë e Mbretërisë së serbëve, kroatëve dhe sllovenëve, (që më vonë u shndërrua në Jugosllavi) që dominohej nga serbët në vitin 1918. Mbreti i atëhershëm Aleksandër Karaxhorxheviç, më 1919 e zhbëri kishën malazeze dhe krejt pasuria e saj i kaloi Kishës Ortodokse Serbe.

Sipas projektligjit, bashkësitë fetare duhet të ofrojnë dëshmi mbi të drejtat pronësore.

Kisha Ortodokse Serbe akuzon qeverinë e Malit të Zi se po planifikon konfiskimin e pronave të saj. Megjithëse qeveria e mohon një gjë të tillë, reagimet ndaj projektligjit ishin të ashpra nga shefi i Kishës serbe por edhe zyrtarët e Serbisë.

Ambasadori serb u thirr pas komenteve të ministrit serb të Inovacionit dhe Zhvillimit Teknologjik, Nenad Popoviç, i cili tha se miratimi i një projektligjit të tillë, është një akt armiqësor ndaj popullit serb dhe shtetit të Serbisë.

“Mali i Zi është një shtet i vjetër serb, i krijuar nga (dinastia) Nemanjiqët dhe Shën Sava. Presidenti Milo Gjukanoviç dhe regjimi i tij kriminal po ia marrin Serbisë atë që është më e ndritshme – historinë, emrin dhe mbiemrin e saj”- tha ministri serb Popoviç.

Sekretari shtetëror i Malit të Zi, Zoran Jankoviç, shfaqi shpresën se Beogradi zyrtar do të distancohet nga deklaratat e tilla.

“Kualifikimet e rënda në llogari të presidentit Milo Gjukanoviç janë të papranueshme dhe nuk janë në përputhje me marrëdhëniet e mira fqinjësore si dhe nuk kontribuojnë në bashkëpunimin e përgjithshëm të të dy vendeve”- tha Jankoviç.

Marrëdhëniet e Kishës Ortodokse Serbe me qeverinë pro-perëndimore të Malit të Zi, vazhdimisht ishin të përkeqësuara. Derisa Kisha e akuzon qeverinë se synon shkëputjen e vendit nga trashëgimia serbe, qeveria vlerëson se Kisha serbe është armiqësore ndaj pavarësisë së Malit të Zi.

Para pak ditësh, presidenti malazez, Milo Gjukanoviç, akuzoi Kishën Ortodokse Serbe (KOS) se po përpiqet ta ruajë infrastrukturën e Serbisë së madhe në Mal të Zi, ndërsa ka theksuar se do ta ripërtërijë Kishën Ortodokse të Malit të Zi.

Për shumë politikanë dhe analistë malazez, definimi përfundimtar dhe rrumbullakimi i shtetësisë dhe qenies kombëtare, është kisha autoqefale malazeze dhe se pavarësia e saj, thonë ata, do t’u jepte fund veprimtarive shkatërruese të Kishës Ortodokse Serbe.

Qeveria e Malit të Zi ua ka ndaluar qëndrimin në këtë vend 30 priftërinjve të Kishës Ortodokse Serbe. /VoA

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Drejtuesit e Komunës së Çairit në ”qiellin e shtatë”

Komuna e Çairit gjatë këtyre viteve që po drejtohet nga Visar Ganiu…

97 shkelje të orës policorë në natën e kaluar

Gjatë natës së kaluar në mbarë territorin e Maqedonisë së Veriut 65…

24 vjet pas masakrës së Srebrenicës, varrosen edhe 33 viktima

Në Qendrën Memoriale në Potoçari janë varrosur 33 viktima të masakrës së…

Kuvendi konstatoi dorëheqjen e Vesel Memedit

Kuvendi konstatoi para pak çastesh dorëheqjen e Vesel Memedit si deputet dhe…

Refuzohet padia e Ahmetit dhe Xhaferit për shpifje kundër Bogoevskit

Gjykata e Apelit të enjten ka sjell vendim të plotë fuqishëm në…