Kryeprokurori i Gjykatës Penale Ndërkombëtare ka vizituar qytetet ukrainase Bucha dhe Borodyanka, në afërsi të Kievit, prej ku forcat ruse janë tërhequr në fillim të prillit, duke lënë pas krime të tmerrshme.
Në të dy qytetet u gjetën varre masive dhe civilë të vrarë, derisa u raportua për mizori të kryera nga trupat ruse.
Kryeprokurori Karim Khan, pas vizitës në Bucha, tha se “Ukraina është skenë krimi”.
“Ne jemi këtu sepse kemi arsye të besojmë se po kryhen krime që janë në juridiksionin e Gjykatës Penale Ndërkombëtare. Ne duhet ta çajmë mjegullën e luftës për të arritur te e vërteta”.
“Zërat e atyre që janë prekur nga krimet e supozuara duhet të jenë në qendër të punës sonë të pavarur për të gjetur të vërtetën. Të mbijetuarit dhe familjet e viktimave do të jenë partnerë në përpjekjet tona kolektive për të dhënë drejtësi”, tha ai.
Gjykata Penale Ndërkombëtare po kryen një hetim mbi krimet e dyshuara të luftës dhe ato kundër njerëzimit nga Rusia në Ukrainë.