Ish-Presidenti Donald Trump çeli fushatën e tij për zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 me një ndalesë në Nju Hempshër, përpara se të vazhdonte drejt Karolinës së Jugut. Trump vuri në shënjestër presidentin aktual Joe Biden, i cili sipas tij e ka sjellë njerëzimin më pranë një Luftës të Tretë Botërore.
“Përmes dobësisë dhe paaftësisë, Joe Biden na ka sjellë në prag të Luftës së Tretë Botërore. Ne jemi në prag të Luftës së Tretë Botërore, vetëm në rast se dikush nuk e di këtë. Si president, unë do të sjell paqen me forcë”.
Ai e quajti tërheqjen e trupave amerikane nga Afganistani në vitin 2021, një nga ditët me të errëta në historinë e Amerikës dhe pretendoi se nëse ai do të ishte në pushtet, do të kishte një marrëveshje paqeje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainës.
“Unë do të arrija një marrëveshje paqeje që mund të negociohej brenda 24 orëve.”
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, doli në anën e Trump dhe tha se fjalët e Presidentit të 45-të të SHBA-së nuk janë shumë larg nga e vërteta.