Mendjendrituri, Arbën Xhaferi, ish-kryetari i PDSH-së, duke i përçmuar me neveri qeveritë maqedonase, thoshte: “për një ligj në të mirë të shqiptarëve heq dorë nga një ministri që mund t’i ndahet PDSH-së”. Morali i këtij qëndrimi: mbani në duar të juaj qeverinë veçse sillni dhe miratoni ligje në të mirë të shqiptarëve të vendit

Shkruan Avni Halimi

Të gjithë subjektet politike shqiptare, që nga demokratizimi i sistemit politik e këndej, kanë pasur të njëjtin qëndrim për sa i përket Kushtetutës së Maqedonisë. Kushtetuta është cilësuar si gjeneratore e krizës politike, e marëdhënieve të brishta ndëretnike si dhe burim i konfliktit të vitit 2001. Ky akt më i lartë juridik shtetëror, duke u ngritur mbi një materie juridike e denjë për një shtet komb, apo për një shtet njënacional, po e anashkalonte realitetin multietnik të shtetit. Duke e ngritur në kategori kushtetutare diskriminimin institucional të shqiptarëve të vendit, synim ky i përhershëm i politikave të përbashkëta serbo-maqedeonase, materia në fjalë po e deformonte realitetin historik e faktik i cili nënvizon se, Maqedonia ishte, është dhe do të mbetet shtet i shqiptarëve po aq sa edhe i maqedonasëve. Në të kundërtën, ky shtet jo që nuk mund të funksionojë por edhe vështirë se mund të bëhet pa shqiptarët.
Me Kushtetutën e parë të Maqedonisë së pavarur shqiptarët e këtushëm ngelën si “qiraxhinjë” në vendin e vet dhe me të gjitha të drejtat, obligimet dhe detyrimet e një “qiraxhiu” në pronë të huaj. Ky ishte koncepti maqedonas për shqiptarët në këtë shtet, madje koncept që u përpunua, që u zhvillua dhe që u vulos edhe me veprën më të rëndësishme dhe më jetike për një komb, me Enciklopedinë maqedonase, të botuar nga Akademia Maqedonase e Shkencave dhe Arteve e të finansuar me 118 milion denarë nga Qeveria e Maqedonisë. Ndërsa për librin shqip kjo shumë (rreth 117.234.000.oo den) nga buxheti shtetëror është shpenzuar për 15 vite!
Që nga ditët e para të shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë, çuditërisht u imponua një rregull se qeveritë e këtij shteti nuk mund të funksionojnë nëse nuk koalicionojnë me partitë shqiptare që do të fitojnë shumicën e votave nga elektorati i tyre. Gjithësesi që ishte truk politik, sepse, me futjen e partisë përfaqësuese shqiptare në qeveri, automatikisht zbehen pakënaqësitë dhe reagimet kundër diskriminimeve kushtetuese dhe institucionale kundër shqiptarëve. Sepse “programet partiake” dhe “platformat kombëtare” të partive shqiptare as që janë përfshirë ndonjëherë në strategjinë dhe programin qeveritar të kryeministrave maqedonasë. Koalicionimi i shqiptarëve në qeveritë maqedonase më tepër ka qenë pozitë kukulle, apo dekor i shpifur, sesa ndonjë strategji që ka rezultuar me përfitime politike në të mirë të shqiptarëve. Po ky truk politik u përdor edhe me rastin e lënies në dorë të shqiptarëve të sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Pra, implementimi mos të kërkohet nga pala maqedonase por nga pala shqiptare e cila udheheq me këtë sekretariat, ndonëse bllokohet, shantazhohet dhe minimizohet fund e krye nga institucionet kyçe të shtetit që udhehiqen nga maqedonasit: kryetari i shtetit, kryeministri, kryeparlamentari, pra, nga institucionet që udhehiqen nga këta faktorë.
I vetmi nga politikanët shqiptarë që e kuptonte këtë lojë të ulët të palës maqedonase ishte i ndjeri Arbën Xhaferi, kryetari i PDSH-së, i cili, në po të njëjtën masë të përçmimit të pushtetit, ua kthente kryeministrave maqedonasë: “për një ligj në të mirë të shqiptarëve heq dorë nga një ministri që mund t’i ndahet PDSH-së”. Morali i këtij qëndrimi: mbani në duar të juaj qeverinë veçse sillni dhe miratoni ligje në të mirë të shqiptarëve të vendit.
Kushtetuta e miratuar pas pavarësimit të Maqedonisë megjithatë iu nënshtrua ndryshimeve fasadë falë “Marrëveshjes së Ohrit”, dokument ky që, fatkeqësisht, u shndërrua në një burim tjetër të prodhimit të krizës ndëretnike në Maqedoni. Një marrëveshje e këtillë, në shoqëritë me traditë të gjatë demokratike, do të konsiderohej si një kapitull më human “biblik”, ndërsa në rastin konkret, kur urrejtjet ndëretnike janë të gjata e të thella, marrëveshja politike që nuk definon asgjë konkrete është veçse acid i rëndë mbi plagën që kullon!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Pse u tkurr makineria ruse e luftës?

Nga Zeno Jahaj Mistika e stërvitjes ushtarake me të cilën Kremlini veshi rrethimin…

Absurd: Aliu që bashkë me Musën bënte plane si të përçajnë familjen e profesor Izet Zeqirit, sot bën apel për bashkim të opozitës!

Gazmend Murseli Para disa muajve ish-deputeti Izet Zeqiri, e njoftoi opinionin për…