Ish-presidentit të vendit, Hashim Thaçi dhe ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, u është vazhduar paraburgimi në Hagë nga Gjykata Speciale.
Specialja këtë vendim e ka marrë më 26 maj teksa gjatë ditës së djeshme është publikuar në faqën zyrtare të tyre.
Me këtë rast, gjyqtari francez i procedurës paraprake ka urdhëruar që mbrojtja të dërgojë parashtresat e saja në lidhje me shqyrtimin tjetër të paraburgimit deri më 29 qershor, teksa Prokurorisë i është dhënë afat që këtë ta bëjë deri më 6 korrik.
“Gjykata refuzon kërkesën për mbajtjen e një seance dëgjimore. Urdhëron vazhdimin e paraburgimit për Hashim Thaçin”, thuhet në vendim.
Kujtojmë se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Kransiqi po mbahen në paraburgim nga nëntori i vitit 2020.
Aktakuza ndaj tyre është konfirmuar më 26 tetor 2020 ndërsa në paraqitjet e tyre të para në Dhomat e Specializuara në Hagë ata janë deklaruar të pafajshëm.