HEJZA me Gëzim Aliun, shkrimtar dhe studiues

Gëzim Aliu (1977) është shkrimtar, studiues i letërsisë, eseist; doktor në letërsi. Është bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Pjesë të krijimtarisë së tij janë përkthyer në disa gjuha të huaja. Ka botuar: Diskurset e ideve në prozën e Kadaresë (studim, 2007), Në Klubin e të shëmtuarve (roman, 2009, fitues i Çmimit Vjetor Kombëtar; ribotuar më 2019), Libri i fundit (tregime, 2012), Katedralja pa kryq (roman, 2014), Romanet e Ismail Kadaresë, 1963-1990, retorika e tekstit dhe narracioni, (monografi, 2016, fitues i Çmimit Vjetor Kombëtar), Gostí në natën e parë të vjeshtës (roman, 2017, fitues i shpërblimit “Rexhai Surroi”për letërsi 2018; ribotuar më 2019), Proza shqipe e viteve 1920-1944 (monografi, 2020).

HEJZA: A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi?

ALIU: Nga “shumë” të shkruar mund të dalë gjithmonë “pak” letërsi, por e mirë e nganjëherë edhe ndikuese, krijuese rrjedhash të reja letrare e kulturore. Edhe në kulturat me tradita më të gjata e më të pasura letrare shkruhet shumë e del pak gjë e bukur. Kështu e ka kjo punë. Secili libër nuk mund të jetë kryevepër, sado që secili shkrimtar a secila shkrimtare e ndien dhe e mendon të tillë. Me kohë, një pjesë e madhe binden se nuk kanë bërë ndonjë gjë të madhe, thjesht janë shprehur për dhembjet, dilemat, ambiciet, ndjenjat e veta, por mënyrat si janë shprehur nuk kanë qenë edhe aq letrare. Nuk mjaftojnë vetëm përjetimet, dhembjet, vuajtjet, dilemat, pakënaqësitë, dashuritë, urrejtjet, idetë, ideologjitë, qëllimet e ndryshme e kështu me radhë, për të bërë letërsi artistike. Më së paku bën punë dëshira e madhe, djegëse, për t’u bërë a quajtur shkrimtar/e. Nëse nxitje është vetëm dëshira e tillë djegëse, atëherë kemi mungesë respekti për tempullin. Këmbëngulja për të vazhduar është përpjekje e pavetëdijshme për përdhosjen e tempullit. Mirëpo, të shkruarit e letërsisë së mirë, të letërsisë së bukur, të letërsisë së madhe, nuk preket nga dëshirat e ambiciet për t’u dukur, për t’u quajtur, për të qenë ndoshta edhe në qendër të ndonjë vëmendjeje 15-minutëshe. Të shkruarit e letërsisë është një proces i madh, i ndërlikuar, i stërholluar dhe rezultati i këtij procesi, po nuk i pati brenda vetes njeriun, gjuhën dhe imagjinatën, do të dalë thjesht një artific. Pastaj shumë gjëra varen nga konteksti. Fatkeqësisht, konteksti të ne dihet si ka qenë e si është, pothuajse përherë frymëzënës.

HEJZA: Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epoka letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70-80-90! Ku qëndron problemi: te shkëputja e kontaktit krijues-lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare?

ALIU: “Sot” është shumë afër për të konstatuar me kaq vendosmëri nëse ka apo nuk ka gjeneratë krijuesish. Në fund të fundit, letërsia bëhet nga emra të veçantë, në një kohë të caktuar dhe unë nuk jam ndonjë kërkues e miratues gjeneratash, lidhjesh, shoqatash, asociacionesh, trendesh, prirjesh, tendencash.
Për “epokat letrare”: Letërsia artistike e mirëfilltë shqipe është shfaqur vonë, kështu që nuk ka epoka letrare, pra mund të flasim për periudha kulturore-letrare shumë të vështira të përpjekjeve të shkrimtarëve shqiptarë për t’i baraspeshuar letrarisht ideologjitë dhe estetikën, çka, shkaku i rrethanave, shpesh nuk kanë arritur.
“Gjenerata e pasluftës së Dytë?”; “Gjenerata e viteve 70-80-90?” Këta dhjetëvjetësha sigurisht që kanë dhënë shkrimtarë të mirë, por jeni duke folur për gjeneratat në Shqipërinë e realizmit socialist, nga ku na vijnë pak libra të pakontaminuar plotësisht?; për gjeneratat e Kosovës ku nuk imponohej kjo metodë, por kishim edhe libra socrealistë, edhe libra të mjegullt e të çuditshëm, që sot lexohen me vështirësi?; për gjeneratat e krijuesve të mohuar, që jetonin në mërgim?; për gjeneratat e shkrimtarëve të burgosur? Apo, të gjithë autorët e kësaj periudhe i fusni në një a dy gjenerata?! Pra, është më mirë të mos përdoret fjala “gjeneratë”. Konteksti ideologjik, politik, social, ekonomik, kulturor etj., ku ndodheshin shqiptarët, nuk lejonte të shfaqeshin gjenerata, që do të shprehnin me të vërtetë frymën e një kohe dhe do të mundësonin një zhvillim normal të letërsisë. Këto vite janë copa-copa, plot dhembje e vështirësi, mungesë komunikimi, dallime e shpesh edhe urrejtje ideologjike, mohime e anatemime. Nga paslufta e Dytë e deri në fund të shekullit të kaluar, kombi shqiptar u godit nga tragjedi të mëdha, që gati na dërrmuan e shfytyruan, plagët i ndiejmë thellë edhe sot, në jetë, në politikë, në kulturë, në arsim, në ekonomi, padyshim edhe në letërsi.

HEJZA: A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?

ALIU: Mund të ketë, natyrisht, gjithmonë ka profesionistë që shkruajnë e botojnë për libra të vlefshëm dhe mund ta orientojnë lexuesin drejt tyre. Për amatorët e diletantët besoj e dhashë përgjigjen pak më lart.

HEJZA: A shihni ndonjë rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë nëpër portale apo redaksi elektronike gjithëkombëtare që do të ishin nën përkujdesin institucional të shteteve tona shqiptare?

ALIU: Në hapësirat tona, gjërat e mira, sidomos në arte, dalin jo aq lehtë në pah, për të komunikuar natyrshëm me publikun. Tallavaja është agresive në të gjitha fushat e jetës, ka shumë zhurmë, lexuesit hutohen e nganjëherë irritohen. Megjithatë, dikur, libra të vlefshëm dalin e shfaqen me tërë rrezatimin e vet. Por, pse do të duhej që shteti të përkujdesej për portale e redaksi në kohën e sotme, që vlera letrare të dalin në pah? Shteti demokratik, edhe shoqëria, të gjithë ne, duhet të kujdesemi për sistemin arsimor, në mënyrë që fëmijët tanë, kur ta përfundojnë filloren e të mesmen, të jenë të aftë të lexojnë e të kuptojnë atë që lexojnë. Arsimimi cilësor krijon lexues cilësorë dhe kështu edhe krijues cilësorë, këto hallka janë të lidhura. Shteti demokratik nuk mundet e nuk duhet të luajë rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë përmes politikave redaksionale ose imponimeve të tjera. Kishte luajtur rol në kohën e Shqipërisë komuniste, kur shkrimtarët ishin punëtorë me rroga, ndërtues të socializmit, do të thotë, propagandistë. Sot propagandistët e pushteteve (jo të shtetit), i ndesh në rrjete sociale, në gazeta politike, në televizione dhe sigurisht në kafene.

HEJZA: Librin elektronik, bibliotekën elektronike, digjitalizimin e botimeve, e shihni si “vdekje të librit” apo si një proces të cilin, detyrimisht duhet ta pranojmë dhe të jemi në hap me kohën! A mund ta konceptojmë këtë proces të librit si fat i shkrimit të pergamenteve, të shkrimit nëpër lëvore drush, në rrasa guri, në lëkurë kafshësh, në shpat mali, në shpella!

ALIU: E keni përmendur një proces apo evoluim kulturor, por keni harruar fillesat, rrëfimin e drejtpërdrejtë të historive, aty rreth zjarrit, që shumë vonë në kulturën njerëzore është shndërruar në rrëfim të shkruar, pa pasur nevojën e rrëfyesit të pranishëm edhe fizikisht, një mrekulli kjo, apo jo, që bartet përmes shekujve deri te ne, në trajtë të librave. Digjitalizimi është vetëm një mënyrë më e sofistikuar e shpërndarjes së librave të shkruar, që e ndihmon të lexuarit, nuk shoh ndonjë telash këtu. Problemi është se ne po jetojmë tashmë në një kohë kur mbisundojnë pamjet e ekraneve: TV, internet, rrjete sociale, që për mua më shumë janë rrjete helmuese. Sinkretizëm që ofron kryesisht gjëra të lehta. Një pjesë e madhe e njerëzve, për keqardhje, duan të gëlltisin vetëm gjëra të lehta, lehtë të harrueshme, që nuk lënë ndonjë shenjë edukimi estetik e etik në mendje, shpirt, formim intelektual. Por, që po lënë vragë të thella keqformimi në shoqërinë njerëzore në tërësi. Tash paramendoje çfarë bën kjo rrokullimë globale pa frena në shoqërinë e kulturën tonë!

HEJZA: A po e vuan kritika jonë letrare mungesën e gazetave dhe revistave kulturo-letrare! Nga ana tjetër, janë të pakta edhe përpjekjet e kritikës sonë që të gjejë vend e strehë nëpër faqe profesionale, nëpër rrjete sociale të profilizuar ku mund të japin kontribut të pamohueshëm.

ALIU: Ka mjaft revista e gazeta e portale kulturore e letrare. Telashi qëndron diku tjetër. Për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut nuk e di, por në Kosovë janë të pakta revistat e gazetat e portalet që paguajnë honorarë për shkrimet e mundshme, po mendoj shkrimet e profesionistëve. Në botën normale kritikët a recensentët letrarë janë të punësuar të gazetave a revistave, sepse vetëm në këtë mënyrë krijohen filtrat e domosdoshëm, vetëm në këtë mënyrë krijohet ndërmjetësimi mes ‘produktit’ (veprës letrare) dhe ‘konsumatorit’ (lexuesit).
Por, të kthehemi te ne, meqë mund të ketë njerëz që do të mendojnë e të thonë se jam duke e tepruar me atë që thashë pak më sipër, ne ende nuk jemi pjesë e botës normale, edhe gazetarët mezi paguhen, e lëre më të ketë edhe kritikë a recensentë letrarë me rrogë, e vërtetë kjo, nuk po e mohoj, por nuk mund ta mohoj as mungesën e vullnetit për të punuar më shumë e më mirë për të qenë pjesë e botës normale, na pëlqen të mbesim kështu si jemi, rehati e madhe, që i kënaq të gjithë, edhe analfabetin, edhe akademikun, mirëpo ku mbeta: Nuk kanë mbetur kritikët keq për një honorar sa tridhjetë kafe e ndonjë gotë raki, por është çështje dinjiteti. Të shkruarit profesional (jo postimet një-paragrafëshe në fb) është punë, por këtu te ne nuk vlerësohet si e tillë. Shoqëritë e fjalës së folur, siç jemi ne në një mase të madhe, nuk e çmojnë aq shumë fjalën e shkruar. Prandaj, edhe politikanët vlerësohen fort, sado që shahen përherë, ata flasin shumë e populli ka shumë dëshirë t’i dëgjojë, është disi i eksituar nga ta, çudi e madhe, nuk arrij ta kuptoj! Po të kishte edhe ndonjë zjarr oxhaku aty pranë në odat e ndejës, që tash quhen sallone, ku është zhvendosur edhe këndi i kuzhinës, skena do t’i ngjante ndonjë idili parahistorik, mbushur jo me fjalët e ndonjë rrëfimi të bukur, por me fjalëzat e politikanëve, këtyre zotëruesve fanatikë të ekraneve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Mbi origjinën ilire të gjuhës shqipe

Kumtesa e mbajtur në vitin 1982 në Beograd nga dr. Idriz Ajeti,…

Shqiptari Fetah Efendiu sipas dokumenteve të UDB-ës jugosllave

Pas vdekjes së Ataullah Hoxhës (dhjetor të vitit 1946), për udhëheqës të…

VIDEO / Doktori i njohur: Ja e vërteta që po na fshihet pas koronavirusit

Shiva Ayyadurai, i njohur nga të gjithë si Doktor Shiva, është një…

Mohamed Salmawy: Një film për mbretin shqiptar të Egjiptit, Mohamed Ali

Më shumë se 3 shekuj më parë, një familje nga Zëmblaku i…

Biografi për të famshmin Ali Pashë Tepelena

Nga Aurenc Bebja/ “La Quotidienne” ka botuar, të shtunën e 29 nëntorit…