Në fokus

Shqiptarët, tashmë, të paktën deklarativisht, e dëshmojnë me krenari identitetin e tyre kulturor pro-evropian! Por, mbi çka mbështetet identiteti kulturor i evropianëve?
Janë disa rrëfime mbi identitetin kulturor shqiptar! Qëndrimet “akademike” serbo-maqedonase (dhe të disa “shkencëtarëve” aleatë të tyre) ngrihen mbi teza tendencioze dhe ofenduese për shqiptarët! Tezat e tyre, të shprehura edhe nëpër tekste “shkencore” dhe “mësimore”, ngrenë rrëfimin (serb) se “shqiptarët janë pa identitet etnik e kulturo”, se janë “njerëz me bishta dhe të egër”; ngrenë rrëfimin (maqedonas) se shqiptarët janë “egërsira që në shekullin XIX kanë zbritur nga majat e larta të maleve dhe kanë uzurpuar tokat e huaja”!
Historia, antropologjia, arkeologjia, arkivat e ndryshme botërore i përgënjeshtrojnë të gjitha këto teza shoviniste dhe për shqiptarët flasin si për një popull nga më të vjetrit në Evropë! Megjithatë, përditshmëria jonë nuk ngritët mbi rrëfimin autokon për identitetin kulturor shqiptar! Cila është qasja kombëtare ndaj kulturës sonë! Cilat janë politikat kombëtare për kulturë, për antropologji, për arkeologji, pastaj për teatër, për film, për letërsi, për artizanate! Në fakt, kemi dhënë kontribute profesionale e institucionale vetëm sa për vetvete, për t’i njohur këto shkenca dhe për t’u krenuar e vetëkënaqur! Çka kemi bërë dhe sa kemi bërë që Perëndimi t’i bllokojë të gjitha rrëfimet sllave të “thurura” për identitetin tonë kulturor! Fatkeqësisht, kemi plotë kuazi-intelektualë perëndimore, madje edhe deputetë evropianë, kulturologë etj. që janë edhe më tej të impresionuar nga rrëfimet serbe-maqedonase mbi identitetin kulturor “inegzisten” të shqiptarëve!
Fundja, në çka konsiston identiteti kulturor evropian i BE-së? Në “heqjen” e kufijve, vetëm në eliminimin e trarëve doganorë? Në paranë e përbashkët? Në ushtrinë dhe sigurinë e përbashkët (NATO, INTERPOL etj)? A mund t’i kërkojë dikush gjermanëve që të heqin dorë nga identiteti kulturor gjerman në të mirë të një “identiteti evropian”! Cili do të ishte ai rrëfim mbi identitetin evropian që do t’i bindte gjermanët? Po francezët? Po italianët? Austriakët? Për ta relativizuar këtë fakt, pra, për ta mjegulluar rrëfimin e çdo etnie evropiane mbi identitetin e vet kulturor, kanë shpikur “bashkësinë me diversitet të begatë kulturor”!
Evropa në Maqedoni, në Kosovë, në Luginë, prej shqiptarëve kërkon që ta zhvillojnë multi-kultin nëse dëshirojnë të sigurojnë ndonjë “kore bukë” si përkrahje financiare për projektet e tyre kulturore! “Shoqëria e hapur” është e garantuar për maqedonasit dhe serbët, vlerat e të cilëve kërkohen që të shijohen edhe nga shqiptarët!
Edhe në Kosovë, më tepër përkrahen “aktivitetet internacionale” shqiptare, që nuk e vënë theksin mbi identitetin kulturor kombëtar, por që angazhohen për një rrëfim të një “identiteti hibrid” përmes projekteve multi-kulti!
Shqipërisë dhe Kosovës i sponsorohen me qejf vetëm ato projekte që mund të realizohen në bashkëveprim me shtetet fqinje: Shqipëri-Mal të Zi, Shqipëri-Maqedoni e Veriut, por jo dhe Shqipëri-Kosovë! Përfundimisht, shqiptarëve u mungon rrëfimi autokton mbi identitetin kulturor, punë kjo e akademive tona, e institucioneve kulturore, e politikave dhe strategjive kombëtare mbi kulturën tonë! Kemi qindra ambasada, ndërsa kemi dy-tri (apo fare!) atashe kulturor. Edhe aty ku kemi, ndonjë aktivitet kulturor më tepër do të ishte si iniciativë private se sa ndonjë aktivitet i diplomacisë kulturore. Fatkeqësisht mungojnë direktivat shtetërore që mbështeten në strategjitë dhe synimet kombëtare për sa i përket kulturës sonë.
Po, Tirana përfundoi me sukses misionin si kryeqytet evropian i të rinjve, duke realizuar rreth 1000 projekte!!! Tani do të jetë kryeqytet evropian i sportit, ishte edhe kryeqyteti kulturor kosmopolitan i Ballkanit, ndërsa shpreson që më vitin 2024 të bëhet kryeqytet evropian i kulturës! Po çka bëri dhe çka do të bëjë Tirana, respektivisht Shqipëria? A do të kërkojë për këto gatishmëri nacionale nder nga shtete evropiane që ta prezantojnë kulturën shqiptare nëpër shtetet e BE-së, me qëllim që të njoftohen me atë rrëfim burimor mbi identitetin kulturor të shqiptarëve si komb?! Është rrëfim i mangët nëse do të flitet vetëm për mikpritjen e shqiptarëve për evropianët që kanë dëshirë të dëfrehen në kryeqytetin shqiptar, ndërkohë që shtetet evropiane nuk shprehin interesim për kulturën shqiptare. Samiti evropian për Ballkanin mbajtur këto ditë në Tiranë, dëshmoi që shqiptarët kanë potencial dhe vlerë dhe se, vetëm me një segment kulturor, ia dolën që t’i mahnitin liderët evropianë që me kënaqësi të duartrokasin bashkërisht me artistët shqiptarë në një pikë artistike nga thesari ynë kulturor!
/HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Afirmimi i letërsisë shqiptare në përmasa ndërkombëtare

Midis nesh Në përmasat ndërkombëtare letërsia shqiptare kryesisht identifikohet me Ismail Kadarenë,…

Edhe diçka për ata që sajojnë “Antologji”!

Midis nesh Disa nga përpiluesit e antologjive të ndryshme poetike jo vetëm…

Regjisori shqiptar triumfon në Sarajevë

Youth Film Festival 20 Filmi i regjisorit shqiptar nga Shkupi, Murat Zherka,…

Shfaqjeve që u shteret zëri

Midis nesh Lëvizje politike të iniciuara dhe të zhvilluara nga artistë ka…

A po imponohet pisllëku si vlerë kulturore!?

Në hapësirat tona etnike vegjetojnë edhe “kulturologë” të atillë sa angazhimin për…