Në fokus

Historia e njerëzimit shekullin XIX do ta kujtojë edhe për momentin kur do të fillojë të konceptohet paqja si vlerë e cila nuk mund të arrihet pa luftë, pa nënshtrim të të voglit që paqen e sheh si prodhim politik, si marrëveshje në mes të të voglit dhe “gjigantit”! Këto koncepte do të motivojnë dhe do ta zhvillojnë, siç nënvizon filozofi francez Julien Benda, “pasionin politik”! Në veçanti, në Evropë, ky pasion do ta ngacmojë fuqishëm pasionin nacional, nga i cili do të formohen masa të stërngarkuara me pasion politik që në sipërfaqe do të nxjerrin individë. Shumë shpejt, nga ky pasion politik, do të nisë të shpërthejë urrejtja e cila asgjë tjetër nuk prodhon përveç vetëdijes së helmosur, sipas së cilës, “çdo gjë që urren, duhet të zhduket”! Individët që dolën nga këto masa e që u vënë në krye të tyrë ishin intelektualë!
Në periudhën e shpërbërjes së bllokut komunist në Evropën Juglindore, deri te luftërat që i zhvilloi Serbia përgjatë shthurjes së ish-Jugosllavisë, duke dashur që paqen në këtë pjesë të Evropës ta vendosë sipas strategjive dhe traktateve të prijësve të tyre historik që kishin një emërues të përbashkët: ata që nuk e pëlqejnë paqen tonë, të zhduken për farë!
Këtyre koncepteve gjenocidale iu bashkëngjitën edhe intelektualë nacionalë, por edhe intelektualë të tjerë që i gëzoheshin fuqisë shfarosëse serbe që po e ushtronte mbi shqiptarët rebelë!
Ndonëse tashmë Evropa Juglindore ishte futur në një epokë të re, intelektualët e stërngarkuar me pasion politik gjithnjë e më shumë po i jepeshin sensacionit dhe sensacionalizmit, me ç’rast do të nisë kyçja e tyre me afsh në politikë. Ky është shok-momenti për botën e civilizuar, e cila do të nisë të njohë gjithnjë e më shumë intelektualë (serbë dhe maqedonas), të cilët do të tallen me konceptet paqedashëse (të Rugovës dhe të dhjetë liderëve shqiptarë nga trevat etnike jashtë Shqipërisë), ndërsa do ta idealizojnë luftën mbi ata që e ëndërrojnë paqen. Benda thoshte: “Nëse ekziston paqja, ajo asnjëherë nuk bazohet në frikën nga lufta, por, thjesht, ajo ekziston mbi dashurinë për paqen”! Fatkeqësisht, edhe sot e kësaj dite, për shumicën e intelektualëve serbo-maqedonas dashuria shqiptare për paqe është gjë shumë e bezdisshme, e kotë, e urryer, kurse lufta është e lezetshme, të futë në botën e sensacioneve! Këta intelektualë, arsyetimin se pse luftë, e kanë shndërruar në moto nacionale: “Pse në luftë? Sepse lufta është shumë argëtuese”! Ose invazionin mbi Kosovë për ta arritur spastrimin etnik e interpretonin: “Po shkojmë në pik-nik”! Këta intelektualë jepen më shumë pas “ideve argëtuese” se sa pas ideve që tërheqin vërejtjen!
Intelektualët e mirëfilltë gjithnjë e refuzojnë dhe e llogarisin si të neveritshëm sensacionin, “senzscionin e aksioneve luftarake”! Tashmë katërcipërisht është dëshmuar se, intelektualët që përqafojnë ndonjë pasion politik, në fakt, ata, vetëm sa e dobësojnë dhe ligësojnë disiplinën e vet intelektuale. Këtu merr fund roli i tyre për njerëzimin.
Po intelektualët shqiptarë të kësaj periudhe! Pothuajse që të gjithë përfaqësonin idenë se kombit shqiptar i duhet paqja, i duhet liria, për të cilën kishin zgjedhur rrugëtimin paqësor, rrugën më të gjatë, në fundin e së cilës ndriçohej domosdoshmëria e iluminizmit të trurit dhe shpirtit të “intelektualëve luftarakë” të serbëve.
Nuk mund të funksionojë normalisht një popull i cili në gjirin e vet ka “intelektualë luftarakë”, të cilët e projektojnë intelektualitetin kombëtar nën armët e luftës që do të përdoren mbi popullin që e do lirinë dhe paqen!
Intelektualët e Ukrainës sot kanë marrë armët për ta mbrojtur lirinë e vet, të popullit ukrainas dhe, kësisoj, ata janë të bindur se po e shprehin dashurinë për paqen në atdheun e vet! Dikur, intelektualët shqiptarë ishin përplot urrejtje kundër ukrainasve që ishin pozicionuar në anën e “politikanëve pasionantë” maqedonas që shtetin e Maqedonisë së Veriut, “Oazën e paqes” (teori kjo e politikanit dhe presidentit maqedonas, Kiro Gligorov), po e bënin duke ua mohuar të drejtën, lirinë dhe paqen shqiptarëve, bashkëqytetarëve të tyre! Sot, intelektualët shqiptar, si mbarë populli, janë në anën e ukrainasve, sepse nuk po pajtohen që dikush (rusët) t’ua diktojë me doza lirinë, të drejtat dhe paqen! Deri në vdekje e duan lirinë, paqen, pikërisht si dikur shqiptarët e viseve etnike! “Perandoria e ngritur me luftë mund të mbahet vetëm me luftë”, thoshte Montesquieu! Kurse lufta është veprimi më i shëmtuar i një kaste politikanësh “intelektualë” që kanë humbur çdo kontakt me njerëzimin! Një paqe galaktike i duhet botës! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Maratonë

Nga Avni Halimi / toka jonë një pëllëmbë sa fytyra jonëe vogël…

ÇDO QYTET ME ANTOLOGJI TË VET!?

Midis nesh Përgatitja e antologjive poetike është bërë një çështje shumë e…

Kush po tallet me taksapaguesin shqiptar!?

Midis nesh Jetojmë në një kohë të mbrapshtë, në të cilën kohë,…

Kritere maqedonase për botime shqiptare!?

Midis nesh Reagimet më të theksuara të shqiptarëve, sapo të publikohet Programi…

Vrullshëm

Ylltare Ferati VRULLSHËM Vrullshëm jeta qëndis honet e sajMë rrëmben hovshëm nga…