Post festum “2 Gushti”

Historia e shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut është një periudhë kohore që shënon diskriminim racist, shkelje, padrejtësi, përbuzje! Për shkak të një sistemi të ri politik, kohëve të fundit, shqiptarët jo se nuk po jetojnë më mirë, porse edhe më tej vazhdojnë ta ndjejnë përbuzjen shtetërore, injorimin nacional i cili është pasojë e logjikës nacionale maqedonase për t’i parë gjithnjë shqiptarët si qytetarë të rendit të dytë.
Kulturalisht, intelektualisht, shqiptarët si popull, janë në një diagram që shënon nivel dhe pozitë të paarritshme nga populli maqedonas, ndaj dhe tërë frustrimin nacional si rrjedhojë e kësaj të vërtete të pamohueshme, e kanë ushtruar dhe akoma e ushtrojnë mbi “pakicën shqiptare” që jeton në Maqedoninë e Veriut!
Sado që shqiptarët e këtij shteti përpiqen, angazhohen dhe deklarohen se janë për bashkëjetesë, se vlerat e lirisë i kanë arritur “në luftë të përbashkët krah me maqedonasit”; sado që shqiptarët e këtij shteti mburren nga ndërkombëtarët për politikat konstruktive në ruajtjen e diversitetit kulturor, megjithatë kurrë nuk u nënvizua e vërteta tjetër që flet mbi injorimin nacional, mbi politikat diskriminuese dhe mbi oreksin nacional për ta ushtruar superioritetin maqedonas mbi shqiptarët!
Asnjë sukses shqiptar nuk u bën përshtypje maqedonasve! Asnjë e arritur shkencore, asnjë e arritur kulturore nuk u bën përshtypje! Çdo gjë shqiptare injorohet, nuk publikohet, kurse ndonjë dukuri negative, ndonjë kronikë e zezë, ndonjë kërcënim serbo-rus mbi shqiptarët, zënë vende qendrore nëpër lajme, në gazeta, në revista maqedonase.
Muaji korrik shënoi më së paku tre evente kulturore shqiptare të cilat, megjithatë, nëpër faqet dhe minutazhin e mediave ndërkombëtare zunë vend qendror! Dy festivale ndërkombëtare të organizuar prej shqiptarëve që sollën në Shkup dhjetëra ansamble botërore, që nga Argjentina e deri në Bullgari! Po ashtu, filmi i metrazhit të shkurtër “Luaj në këtë kaos”, në edicionin e 14-të të Youth Film Festival 2022, mbajtur në Sarajevë, në mesin e mbi 200 filmave konkurrentë nga mbarë bota, fitoi çmimin “Filmi më i mirë i shkurtër OFF Generation”, i artistëve shqiptarë nga Shkupi (MURAT ZHERKA, regjisor e skenarist, GENC HALIMI, drejtor i fotografisë, ALBIN SOPA, muzikë)!
Maqedonasit as që u informuan për këto suksese të pamohueshme! Nuk shkroi asnjë gazetë prestigjioze maqedonase, nuk u tha asnjë fjalë nga asnjë media mqedonase! Nuk është hera e parë! Vazhdimisht sukseset e shqiptarëve injorohen! Nuk gjen guxim asnjë media maqedonase që të thotë qoftë edhe një fjalë informacioni, apo, thjesht, kemi të bëjmë me një problem shumë të rëndë!
Fatkeqësisht, maqedonasve u duhet një strategji nacionale për ta mësuar respektin dhe dashurinë ndaj shqiptarëve. Duhet të thyhet ky akull, duhet të pranohet kjo e metë nacionale nga vetë maqedonasit! Maqedonia e Veriut funksionon dhe do të funksionojë vetëm falë shqiptarëve dhe jo zemërgjerësisë greke apo bullgare! Maqedonasit sot mund të mburren se kanë shtet vetëm falë gatishmërisë epike shqiptare për të bashkëjetuar me maqedonasit dhe jo se ia dolën ta humbin identitetin e vet, duke u shndërruar në rrogtar të maqdonasve!
Për maqedonasit janë do shqiptarçiçë të mirë të cilët, simpatinë, respektin dhe dashurinë maqedonase e kanë arritur vetëm falë vasalitetit, falë afinitetit të tyre për të qenë altoparlantë të interesave nacionale maqedonase, falë gëlltitjeve të të gjitha ofendimeve maqedonase që i bëjnë mbi çdo gjë shqiptare! Maqedonasit kërkojnë bashkëmendimtar tek shqiptarët, të cilët duhet të jenë në sinkron me perceptimin nacional maqedonas mbi shqiptarët. Shqiptarët duhet të injorohen, ndërsa njëkohësisht duhet të jenë edhe në pajtueshmëri me vlerësimet maqedonase mbi shqiptarët! Zaten, kjo megalomani ka bërë që ky popull sot për sot në botë të jetë i vetmi popull që për një periudhë prej tri dekadave të përjetojë ndryshimin e flamurit, dy herë ndryshimin e emrit të shtetit, ndryshimin e kushtetutës, të ofrojë këmbim territoresh me një shtet tjetër, të përjetojë vjedhje të historisë, të elementeve të huaja kulturore, arkeologjike, të përjetojë përpjekje për ndryshim identiteti nacional etj.
Në vend të materieve mësimore antishqiptare, maqedonasit bëjnë mirë të angazhohen për strategji e projekte që mësojnë respektin nacional ndaj atyre me të cilët bashkëjetojnë, ndaj fqinjëve, ndaj vlerave kulturore e njerëzore që janë të përbotshme. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Regjisori shqiptar triumfon në Sarajevë

Youth Film Festival 20 Filmi i regjisorit shqiptar nga Shkupi, Murat Zherka,…

“Kur e ha pazari pse jo…”

Midis nesh Kritiku i artit, Mexhit Prençi në një analizë për kritikën,…

Kultura dhe siguria nacionale

Letër nga Prishtina Fill pas fillimit të agresionit rus mbi shtetin e…