Borrell: S’ka alternativë veç dialogut, palët do takohen sërish
Ka përfunduar pa një marrëveshje edhe raundi i dytë i takimit trepalësh mes liderëve të Kosovës, Serbisë dhe ndërmjetësuesve të Bashkimit Europian që u mbajt këtë të enjte në Bruksel. Pavarësisht angazhimit direkt të përfaqësuesit të lartë të BE-së, Josep Borrell dhe emisarit për dialogun Miroslav Lajçak, Kurti dhe Vuçiç nuk arritën edhe një herë tjetër të sheshojnë mosmarrëveshjet e shumta mes dy vendeve, sidomos sa i përket çështjes së reciprocitetit për targat dhe dokumentet.
“Nuk kemi një marrëveshje sot, më vjen keq. Por ky nuk është fundi. Të dy liderët janë pajtuar që procesi ka nevojë që të vazhdojë dhe se diskutimet do të rinisin në ditët në vijim. Ka ende kohë deri në shtator. Unë nuk heq dorë”.
Megjithatë sipas Brukselit takimi shërbeu që palët të kuptojnë se nuk ka zgjidhje tjetër veç dialogut.
“Qëllimi i këtij takimi ishte qetësimi i situatës në terren. Të dy udhëheqësit patë mundësinë të diskutojnë në detaje për marrëveshjen gjithëpërfshirëse mes dy vendeve. Të dy udhëheqësit e kuptuan se nuk ka alternativë tjetër përveç dialogut për të zgjidhur problemet”.
Kryeministri Kurti nuk pati asnjë reagim për takimin, ndërsa Vuçiç në një video të postuar në rrjetet sociale tha se kompromisi mund të vijë në ditët në vijim vetëm nëse ndodh ndonjë mrekulli.
Sipas detajeve që janë dhënë nga qeveria Kurti në Kosovë, në thelb të marrëveshjes përveç reciprocitetit për targat dhe letërnjoftimet ishte edhe njohja reciproke.