(Enkas për Hejza-n)
Në Shqipëri kritikët janë si sazexhinjtë. Kur dikush ka “dasmë” (kupto: promovim libri) thjesht i paguan që ata t’u bien sazeve. Kështu, çdokush që ka shkruar një libër të ri dhe paguan mirë, del shkrimtar i mbaruar. Ndërkohë që “kritiku” krekoset në podium, duke folur për mjeshtërinë e rrallë të “kontraktuesit”-shkrimtar, ky i fundit i fëshfërit poshtë tavolinës zhurmën e ëmbël të kartëmonedhave. Dhe aty tingujt e sazeve të “kritikut” nuk përmbahen fare. Në varësi të sasisë së kartëmonedhave, shkrimtari mund të dalë edhe direkt kandidat për Çmimin “Nobel”. Dhe nuk ka pikë rëndësie se “kritiku” bën gabime të pafalshme drejtshkrimore kur i qëndis ato shkrime nëpër gazeta. Dhe nuk ka pikë rëndësie se “kritiku” (në të shumtën e rasteve i vetëshpallur) ka një nivel të ulët kulturor. Mjafton që të ftohet në disa emisione televizive me drejtues injorantë dhe ja ku e fitoi statusin. Nga ana tjetër, ju besoj se e keni vënë re se çdokush që bën një emision televiziv në Shqipëri, del edhe një shkrimtar gjenial! Kur dihet se në botën e kulturuar letërsia e vërtetë dhe televizioni janë në një kontrast të vazhdueshëm midis tyre.
Po ju sjell dy fragmente nga romani im i fundit “Bob Legjenda” në lidhje me këtë:
“Ç’është e vërteta unë nuk e kam lexuar librin, por kjo nuk më pengon t’i bëj një analizë të hollë përmbajtjes, kompozicionit apo figuracionit letrar. Kush jeni ju, zotëri që të më ndaloni? Jetojmë në një rend demokratik, ku të gjithë mund të shprehim mendimet tona për librat e palexuar… Ju lutem, mos censuroni fjalën e lirë!”
“Sa më i zhurmshëm promovimi aq më e dobët vepra!
Ka shkrimtarë, të cilëve u mbaj mend me detaje promovimin, por nuk u mbaj mend asgjë prej librit vetë.
Dhe më duhet të pohoj se kjo është e qëllimshme. Enkas e hutojnë publikun, në mënyrë që ai të merret sa më pak me atë që është shkruar në libër, ndaj e parfumosin pafund atmosferën me efekte speciale.
Me një ngazëllim konvulsiv ligjërojnë nga foltorja miq e të afërm të autorit. (Ata nuk e humbasin rastin të rrëfejnë edhe se nga ç’pemë gjeanologjike e epërme ai rrjedh.)
Pastaj ndonjë aktor i papunë, gjysmë i dehur, pasi ka mbaruar së iu vardisuri gjithë gjinisë femërore të pranishme në atë ngjarje letrare, lexon gjithë zjarr parathëniet që nuk thonë gjë prej gjëje.”

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Gjysmëfinalet e “Eurovision”, kualifikohen 10 të parët

Dhjetë vende, përfshirë Serbinë dhe Slloveninë, u kualifikuan për natën finale të…

Politika dhe artistët

Midis nesh Pothuajse nuk ka shtet në botë ku politika nuk përzihet…

Të respektosh gjuhën shqipe është kulturë

Midis nesh Në fillim të muajit maj të këtij viti, në Universitetin…

Pse nuk kemi biblioteka për fëmijë!

Dy-tri javë më parë në Maqedoninë e Veriut si dhe në Kosovë…