Kosova dhe Serbia mbrëmë arritën marrëveshje për targat ilegale, me Serbinë që do të ndalojë prodhimin e këtyre targave, ndërsa Kosova do të suspendojë fillimin e gjobitjes për serbët që përdorin këso lloj targash.

Pas njoftimit të marrëveshjes nga Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme, Josep Borrell, pasuan reagimet.

I pari nga partitë opozitare që reagoi ishte kryetari i AAK-së, Ramush Hardinaj.

Ai mirëpriti arritjen e ujdisë, ndërkohë që kërkoi që tani të përmbyllet edhe marrëveshja për njohje, me lidership amerikan.

“Mirëpres arritjen e marrëveshjes për targa. Tani të përmbyllet marrëveshja për njohje, me lidership amerikan”, shkroi Haradinaj pak pas njoftimit.

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u deklarua për këtë ujdi gjatë ditës së sotme përmes faqes zyrtare të partisë në Facebook.

Ai e vlerësoi dakordimin e mbrëmshëm të arritur, duke thënë se rruga e vetme që garanton suksesin e Kosovës është bashkërendimi i ngushtë dhe i përhershëm me partnerët strategjikë, në veçanti me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

“Për Kosovën dhe të ardhmen euroatlantike të saj, stabiliteti politik dhe siguria janë parakushte esenciale, ndërsa bashkëpunimi i përgjegjshëm ndërkombëtar garanton shtyrjen përpara të interesave nacionale të Republikës së Kosovës.

Megjithatë, Abdixhiku e ka parë tërësisht të panevojshme dhe të dëmshme, atë që e ka quajtuar ai, gjithë dramën populiste të krijuar nga institucionet kryesore të vendit gjatë ditëve dhe javëve të fundit.

“Kthimi dhe pranimi i marrëveshjes së njëjtë, pas gjithë dramës së shkaktuar, tregon joseriozitetin e drejtuesve aktualë të shtetit në përballje me përgjegjësitë e larta shtetërore. Kjo sjellje, përveç se ka lënduar marrëdhëniet e Kosovës me institucionet ndërkombëtare dhe shtetet mike, për të cilat Kosova ka nevojë, ka bllokuar dhe proceset kryesore integruese të vendit”.

Në fund, LDK-ja u ka bërë thirrje institucioneve të vendit që të jenë transparente për procesin e dialogut politik, nëpërmjet raportimit në Kuvend përpara përfaqësuesve të zgjedhur.

“Deklarimet e fundit të kryeministrit, përveç se kontradiktore, janë dhe tepër të paqarta, së këndejmi, ato krijojnë pasiguri në lidhje me drejtimin e këtij procesi jetik për Kosovën”, thuhet tutje në reagim.

I fundit për të reaguar nga krerët opozitarë ishte kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, i cili zgjodhi ta komentonte marrëveshjen nga foltorja e Kuvendit.

Krasniqi tha se e mirëpret marrëveshjen për targat të arritur dje në Bruksel, por edhe ai pati kritika për qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti, pasi siç tha, u shkaktua dramë “pa pikë nevoje”.

“Në mes të dramës pa pikë nevoje që i keni shkaktuar vendit, ne e mirëpresim dakordimin që ka ndodhur dje në Bruksel, marrëveshjen që shmang përshkallëzimin dhe eskalimin potencial në veri”.

Ai i tha Kurtit se këtë ka mundur ta bëjë vet, duke u dakorduar me ShBA-të.

“Ke mundur ta bësh këtë vet që e bërë në Bruksel, duke u dakorduar me ShBA-të dhe duke ua marrë për bazë këshillën që e kishe për më shumë se 4-5 javë në tavolinë, nga Escobar por edhe nga Blinken. Fatkeqësisht duke mos bërë një gjë të tillë, ke shprehur një pafuqi të Kosovës, duke ndjell panik e frikë, dhe jo veç në veri”.

Krasniqi po ashtu pyeti qeverinë nëse do të kthehen serbët në institucionet e Kosovës.

“A do të ketë normaliteti në veri siç ka pasur, s’mund t’i ktheni eprorët por a do të kthehen një pjesë e tyre në administratë e institucione të tjera?”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Gjermania shtyn karantinën deri në qershor, ndërsa numri i infeksioneve vazhdon të rritet

Shkalla e infeksionit të koronavirusit në Gjermani u rrit në fundjavë megjithë…

Kurti: Thaçi po thotë me amerikanë e pa evropianë, unë them me të dyja

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se presidenti Hashim Thaçi ka qëndrim…

Udhëheqësit e NATO-s, Putinit: Ju s’do të fitoni

Në Madrid, disa nga liderët botërorë që marrin pjesë në një samit…

Shqiptari i RMV-së arrestohet në Kosovë për vrasje!

Policia e Kosovës sot ka informuar se është arrestuar një shqiptar, shtetas…

COVID: Pfizer thotë se pilula antivirale është 89 përqind efektive në rastet me rrezik të lartë

Një pilulë eksperimentale për trajtimin e COVID-it e zhvilluar nga kompania amerikane…