1
1
Kur ceremonitë fetare bëhen instrument shtetëror, laiciteti shndërrohet në dekor. Dhe kur institucionet që duhet të flasin zgjedhin heshtjen, poshtërimi bëhet normë
Nga Mensur Hakiu
Në një nga ditët e fundit, Ministria e Punëve të Brendshme u pajis me një numër të konsiderueshëm makinash policore. Një lajm i zakonshëm për një shtet që pretendon funksionalitet, po të mos shoqërohej me një ritual që i takon më shumë mesjetës sesa një republike laike të shekullit XXI. Sepse, si gjithmonë, “rastësisht”, bekimi ishte vetëm i njëanshëm, vetëm ortodoks, vetëm në përputhje me një narrativë shtetërore që po bëhet gjithnjë e më pak e fshehur.
Republika e Maqedonisë së Veriut, të paktën në Kushtetutë, është shtet laik. Jeta fetare zhvillohet përmes institucioneve fetare të barabarta: Kisha Ortodokse Maqedonase, Bashkësia Fetare Islame, Kisha Katolike dhe komunitete të tjera. Në letër, të gjithë janë të barabartë. Në praktikë, KOM-i është më “i barabartë” se të tjerët.
Përkundër këtij përcaktimi kushtetues, pushteti maqedonas prej vitesh angazhohet sistematikisht për t’i dhënë shtetit karakter të theksuar fetar ortodoks. Simbolet, ceremonitë, bekimet, heshtja selektive e institucioneve, të gjitha janë pjesë e të njëjtit skenar. Një shtet që pretendon laicitet, por vepron si njëfetar.
Në kohën kur në krye të BFI-së ishte ish-reisul-ulema h. Sulejman Rexhepi, tentativave të tilla iu vu një vijë e kuqe. Me ngrirjen e raporteve jo vetëm me Kishën Ortodokse, por edhe me strukturat shtetërore, ai dërgoi një mesazh të qartë: se gjërat nuk ishin në rregull. Ishte një akt politik në kuptimin më fisnik të fjalës: bëhej, të paktën, sensibilizim i faktorit ndërkombëtar dhe paralajmëronte se Bashkësia Fetare Islame nuk ishte dekor, por institucion me peshë.
Ajo ishte një mënyrë për t’ua bërë të qartë të gjithëve se në Maqedoninë e Veriut, BFI është po aq e rëndësishme sa çdo institucion tjetër i shtetit dhe se anashkalimi i saj është jo vetëm i pamundur, por edhe i rrezikshëm.
Po sot?
Që nga largimi i tij përmes një puçi klasik institucional, BFI ka kaluar nëpër faza të njëpasnjëshme degradimi. Sot, ajo ngjan sikur as nuk ekziston. Sikur të jetë e paaftë të lexojë mesazhet poshtëruese që i vijnë nga të gjitha anët e pushtetit shtetëror. Sikur të ketë humbur jo vetëm zërin, por edhe vetëdijen për ekzistencën e saj.
BFI nuk është më institucion reprezentativ i myslimanëve të këtij vendi. Nuk reagon ndaj goditjeve devalvuese, nuk kundërshton shkeljet simbolike, nuk artikulon qëndrim, nuk projekton vizion. Hesht. Pajtohet. Tretet. Kështu ndodhë kur i falet shpirti shejtanit, apo, kur ta zë dera bishtin, apo kur pushteti të mban në grusht duke të të shantazhuar me të gjitha veprimet imorale që paraprakisht t’i ka skenuar.
Pra, BFI-ja nga faktor relevant shoqëror, është shndërruar në një institucion formal, në një targambledhës të parasë së djersës së fukarait të devotshëm për një grusht individësh të BFI-së që e shfrytëzojnë për interesa personale. Pikërisht për këtë arsye, drejtuesit uzurpatorë të saj pranojnë çdo poshtërim: sepse heshtja është çmimi i mbijetesës së tyre.
BFI sot nuk ka strategji, nuk ka politika zhvillimore, nuk ka kapacitet për të lexuar realitetin politik e shoqëror, e aq më pak për ta kuptuar se ka faktorë që synojnë degjenerimin e saj si autoritet dhe si personalitet institucional.
Dhe tani, le të bëjmë një ushtrim të thjeshtë imagjinar.
Paramendoni për një çast sikur makinat e policisë të bekoheshin nga një grup hoxhallarësh me uniformë fetare, të cilët, me këtë rast, do të këndonin hatme për mbarësi. Çfarë do të ndodhte? Si do të reagonte Kisha Ortodokse? Si do të reagonin besimtarët ortodoksë? Si do të reagonin mediat, “opinionistët”, institucionet shtetërore?
Përgjigjja dihet!