Në fokus

Nuk ka familje shqiptare në botë që nuk e ka një trishtim, një humbje, një dhembje, apo edhe një gëzim! Në asnjë familje këto shqetësime nuk janë të njëjta, të të njëjtit intensitet apo të të njëjtave përmasa. Prandaj, problemet apo gëzimet familjare kurrë nuk mund të bëhen kolektive.
I vdes djalit babai që paska qenë shkrimtar, piktor, kompozitor, regjisor, doktor shkence etj. Kolektivi, komuniteti, akademia, institucionet më të larta shtetërore, kësaj familje mund t’i shprehin ngushëllime; institucionet shtetërore mund të shpallin edhe tre ditë zie dhe këtu merr fund shqetësimi “kolektiv” për humbjen e një artisti! Kjo humbje familjare nuk ia del asnjëherë të perceptohet si humbje shoqërore. Çdo përpjekje e djalit, vajzës, gruas për ta përditësuar shoqërinë me trishtimin nga humbja e më të dashurit të tyre, duke u munduar ta bëjnë si metaforë e dhimbjes kolektive, është manipulim, është e kotë, mbase edhe një peng, një shpjegim se nuk ishin në kurrfarë lidhje dashurie apo familjare me të ndjerin!
Për të ndjerin artist nuk ka se çfarë të flasë në opinion e të shkruajë çdo ditë fëmija, sepse tërë ajo që do ta shkruajë do të ngelë në suaza të dhembjes familjare, ndërsa kjo do ta defokusonte vëmendjen nga angazhimi estetiko-artistik i të ndjerit; shoqëria do të flasë për dhembjen e djalit që humbi të atin, duke i harruar veprat artistike që i la i ndjeri! Prandaj, duhet të ngacmohet shoqëria që të merren me veprat e të atit dhe jo që të brengoset për dhembjen e përditshme të të birit për humbjen e të atit.
A mund të ngritët dhembja familjare në art për t’u shijuar si vlerë artistike-estetike? Manifestimi i trishtë i dhembjes së përditshme mund të kalojë në monotoni, nis e perceptohet si manipulim ndjenjash, nis e trajtohet si “dhembje narcizoide”! Dhembja e ardhur si brengë familjare krijon stereotipin e keqardhjes apo ngushëllimit! Dhembja që vjen si art, krijimi artistik që shpreh dhembjen dhe trishtimin e personazhit që metaforikisht është ngritur në figurë kolektive që personifikon dhembjen dhe trishtimin e komunitetit, popullit, shoqërisë – kjo po që bëhet vlerë e patejkalueshme. Gozhdimi i Krishtit në kryq, gjakosja e kokës së tij nga kurora me gjemba, bëri që gjatë këtij akti pasuesit e tij të ndjejnë trishtim, dhimbje, të shkulin flokë, të zënë gjëmën, kujën etj. Megjithatë, këto dhembje ishin të papërfillshme në raport me dhembjen e shpirtit që po e ndjente Krishti për pasuesit e vet dhe për mbarë njerëzimin. Këtë situatë shpirtërore më së miri na e paraqet Salvador Dali! Krishti “i tij” në pikturë, derisa ngjitet i gozhduar për në qiell, kokën nuk e ka të kthyer nga plagët e duarve, të këmbëve apo të brinjëve të shpuar me heshta! Shikimi i Krishtit vërehet të jetë pingul, mbi popullin e vet të ngelur në errësirë, shikim që shpreh tërë shqetësimin dhe dhembjen e tij për ndjekësit, por dhe për torturuesit e tij për të cilët lutej “Zot fali se, nuk dinë se ç’bëjnë”!
Në rrafshin njerëzor, megjithatë, poeti ynë kombëtar, Ali Podrimja, është ndër të rrallët, nëse jo i vetmi që, dhembjen dhe trishtimin familjare diti ta kthej në dhembje kolektive! Ia doli kësaj vetëm në momentin kur mblodhi zemër dhe “hoqi dorë” nga Lumi i ndjerë, duke e ngritur në figurë kolektive që personifikon mbarë popullin shqiptar dhe kur dhimbjet e Lumit i barazoi me shqetësimet e popullit, i cili, kolektivisht po e ndjente po atë dhembje të Ali Podrimjes, po atë shqetësim të Lumit. Pra, Ali Podrimja nuk u përpoq që ta thërrasë popullin e vet që të solidarizohet me dhimbjen e tij, por artisti diti me mjeshtri që t’ia dalë këtë dhembje familjare, trishtimin e Lumit, ta amortizojë, ndërsa dhimbjen dhe trishtimin e popullit ta mbivendosin mbi tragjedinë e artistit dhe të Lumit të tij.
Nga ana tjetër, populli shqiptar viteve të fundit ka humbur mjaft personalitete e figura kombëtare nga bota e artit e të kulturës! Familjarët e tyre bëjnë përpjekje maksimale që kujtimit për ta t’i mbajnë të gjallë sa më gjatë në shoqërinë shqiptare. Po shoqëria shqiptare, çfarë ka bërë dhe çfarë po bën për artistët tanë që nuk rrojnë më? Fatkeqësisht, asgjë? Një minutë heshtje e një kurorë me lule ditën e varrimit! Ndërsa kanë ikur nga gjiri i popullit artistë e krijues të papërsëritshëm! Le të themi se punë e politikanëve është që t’u përkushtohen të gjallëve, pak për t’i zhvatur e më shumë për të siguruar vota! Po komuniteti i artistëve, i krijuesve, i kulturologëve, akoma nuk e kanë gjetur formulën e përkushtimit që kolegët e vet të ndjerë t’i mbajnë përjetë të gjallë e të shtrenjtë edhe përkundër rënieve, ngritjeve, ndryshimeve politike e ideologjike! Ruajtja e këtyre vlerave dhe kategorizimi i tyre në vlera të trashëgimisë kulturore është obligim i amshueshëm i botës së artistëve.
Përkujtimi i humbjes familjare nuk mund të gjenerojë kurrfarë mekanizmi që do ta shndërronte trishtimin familjar në dhembje kolektive. Kalimi i humbjes së më të dashurve tanë në metaforë, ky po që do të ishte përjetësim i një trishtimi, kalim në legjende për të cilën do të flitej brez pas brezi! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

POS TË PARIT, S’KA ATDHE TË DYTË

Me shkrimtarë të diasporës: BAJRAM SEFAJ Bajram Sefaj (1941), gazetar dhe shkrimtar,…

Të kombëtarizohen institucionet nacionale

Midis nesh Institucionet kulturore në Kosovë kaluan nëpër disa situata të pavolitshme…

Zbehja e kujtesës

Midis nesh Janë me qindra artistë shqiptarë, të cilët vërtet meritojnë të…

Teatri duhet të frymojë shqip edhe përmes temave

HEJZA me Bajrush MJAKUN, aktor Bajrush Mjaku është një nga aktorët tanë…