HEJZA me Salajdin Salihun, shkrimtar

Salajdin Salihu, i lindur në Tetovë, aktualisht profesor në Universitetin e Tetovës, që me librin e parë, “Vdes pas gjërave të imëta”, pati paralajmëruar se bëhet fjalë për një krijues të veçantë. Këtë do ta dëshmojnë edhe botimet tjera, të cilat botime, nga ana e kritikës do të marrin vlerësime të larta. Poezitë e Salihut janë përkthyer në disa gjuhë dhe janë përfshirë në shumë antologji.

HEJZA:A mjafton fakti se sot, meqë kemi shumë shkrimtarë që “po shkruajnë”, mund të konstatojmë se po bëjmë letërsi?

S. SALIHU: Kam lexuar diku se në Islandë, me rreth 300 mijë banorë, botohen 1000 libra letrarë brenda vitit. Një në 300 islandezë i bie të jetë shkrimtar. Në festën e Krishtlindjeve ata këmbejnë libra. Prej tyre shumë pak kujtohen, por thuhet se gjuha islandeze është njëra nga më të kultivuarat në botë. Pra, botimi i librave të shumtë nuk është dukuri vetëm te ne. Në çdo epokë janë botuar shumë libra, por koha i ka seleksionuar.
E dimë, gjithashtu, se letërsia nuk ka raporte të mira me sasinë. Ajo e njeh vetëm një gradë, gradën e parë, siç thoshte Lasgushi. Ali Podrimja thotë se kur një letërsie kombëtare i mungojnë poezitë për një antologji, atëherë mjaftojnë lehjet. Fatmirësisht, letërsia shqipe ka shumë poezi për antologji. Botohen edhe libra shumë të mirë, për të cilët flitet shumë pak.
Megjithatë, sot në sistemin tonë kulturor, në shoqërinë shqiptare, kemi gjendje anomie. Nuk ka sistem vlerash. Është përzier ari dhe rëra. Sot shkruhet shumë dhe lexohet pak. Poeti duhet të ketë kulturë të madhe. Të mos shpejtojë. Horaci thoshte se poeti duhej t’i botonte poezitë pas disa vitesh. Poeti duhet “të ngutet ngadalë”.
Më lejoni ta rrëfej edhe një anekdotë. Një poet ia dha Tagores që t’i lexonte disa poezi. Ai, pasi i lexoi disa vargje, nisi të dridhej, sikur kishte ethe.
Poeti e pyeti: – Ke ftohtë?
Tagore u përgjigj duke qeshur: – Ose më shumë zjarr në vargje ose vargjet në zjarr.
Një poet më shumë gris se sa boton.

HEJZA: Pse sot nuk kemi gjenerata krijuesish si dikur, që në viset etnike jashtë atdheut, po shënonin “epoka letrare”: gjenerata e Pasluftës së Dytë Botërore, gjenerata e viteve 70-80-90! Ku qëndron problemi: te shkëputja e kontaktit krijues-lexues, te “heshtja krijuese” si pasojë e shkëputjes kohore, e cila kërkon një hedhje të hapit gjigant në krijimtarinë letrare, apo si pasojë e “vdekjes” së kritikës letrare?

S. SALIHU: Është e bukur për një letërsi dhe për një kulturë kur i shfaqet një gjeneratë shkrimtarësh e mendimtarësh. Kjo ka ndodhur disa herë në historinë tonë kulturore. Mund ta përmendim atë që e quajmë “letërsi e vjetër”, Rilindjen Kombëtare, veçanërisht De Radën, pastaj elitën e viteve ’30 dhe viteve që i përmendni Ju. Por, ka edhe periudha kur një letërsie jo vetëmnuk i shfaqet ndonjë brez i fuqishëm, por i mungon edhe një emër i shquar. Kjo ka ndodhur edhe me letërsitë tjera evropiane…
Noli ka thënë se për zhvillimin e letërsisë dhe artit duhet ambienti kulturor dhe vlerësues. Sot nuk kemi ambient kulturor dhe vlerësues. Kultura, si vetë shoqëria në tërësi, është në gjendje anomie. Dominon “filozofia e pallangës”, siç e quan një filozof. Kemi gjendje kaotike. Branko Merxhani, duke iu referuar Niçes, kërkonte që shoqëria shqiptare të krijonte prioritete dhe ta organizonte kaosin. Në kaos ka humbje energjie. Nuk dihet kush se çfarë është…
Për sa i takon kritikës letrare, mendoj se krijuesin e mirë nuk e bën kritika letrare. Ka ndodhur kur shkrimtarët gjenialë nuk janë çmuar fare nga kritika. Edhe më keq: ata janë përçmuar dhe akuzuar rëndë. Mund të japim shembuj të shumtë, duke filluar nga antikiteti dhe deri në ditët e sotme. Kritika letrare shqiptare shpesh ka vepruar edhe si polici shpirtërore. Ajo i ka quajtur “dekadentë” dhe “reaksionarë” shumë shkrimtarë e poetë shqiptarë. Kritika dogmatike, e ngulfatur nga rregullat, kufizimet, dogmat ideologjike është e dëmshme për një kulturë. Ajo është si Prokrusti. Ia pret flatrat pasionit krijues.
Kundër kësaj kritike ka shkruar edhe Danilo Kishi. Në vitin 1974, në esenë “Për pluralizmin”, ai e kritikonte kritikën tradicionale, pozitiviste, sociologjike. Sipas Kishit, kritiku letrar dëshironte të dominonte me idetë dhe shijen e tij në mënyrë tiranike, totalitare. Ai e kritikonte kritikën letrare “realiste”, sepse ajo kërkonte që letërsia të ishte “imazh i jetës popullore”, “literaturë e kritikës shoqërore” dhe e “angazhuar në dobi të popullit”. Kishi kërkonte pluralizëm idesh, sepse pa këtë pluralizëm një kulturë nuk e arrin lirinë elementare.
Kundër këtyre kufizimeve ishin edhe shumë kritikë dhe shkrimtarë shqiptarë. Mjafton ta përmendim “Voxclamantis in deserto”, një manifest i qarkut të Prishtinës që i kundërvihej realizmit socialist. Një kritikë e këtillë na duhet dhe jep një ndihmesë të madhe. Në vitet 80, në Prishtinë, kishte një mendim shumë të avancuar kritik, që ishte në të mirë të vlerës letrare.

HEJZA: A mund të ketë kritikë bashkëkohore letrare në kohën kur po na ngulfat amatorizmi dhe diletantizmi në bërjen e “letërsisë”?

S. SALIHU: Mund të ketë. Ose: duhet të ketë. Po cili i është përkushtuar sot kritikës letrare? Cili paguhet vetëm për këtë punë? Cili e ka profesion?
Në vendet me industri libri ka edhe kritikë letrare. Mendimi i tyre ndikon që një libër të bëhet edhe bestseller. Shtëpitë botuese e reklamojnë një libër të mirë, sepse kanë edhe përfitime materiale. Te ne mungojnë edhe recensionet në media.

HEJZA: A shihni ndonjë rol në profilizimin e krijuesve të mirëfilltë nëpër portale apo redaksi elektronike gjithëkombëtare që do të ishin nën përkujdesin institucional të shteteve tona shqiptare?

S. SALIHU: Është e domosdoshme të ketë faqe të këtilla në internet, me të dhëna për shkrimtarët. Pa e përjashtuar traditën. Mjerisht, shteteve tona nuk u intereson kultura. ministritë e kulturës janë për këtë punë.

HEJZA: Librin elektronik, bibliotekën elektronike, digjitalizimin e botimeve, e shihni si “vdekje të librit” apo si një proces të cilin, detyrimisht duhet ta pranojmë dhe të jemi në hap me kohën! A mund ta konceptojmë këtë proces të librit si fat i shkrimit të pergamenave, të shkrimit nëpër lëvore drush, në rrasa guri, në lëkurë kafshës, në shpat mali, në shpella!

S. SALIHU: Unë e pëlqej librin e shtypur. Besoj se lexuesit e letërsisë janë më konservatorë dhe nuk do ta lejojnë vdekjen e librit të shtypur. Leximi vertikal, pra leximi i librave, siç thuhet, i bën dijet e qëndrueshme, për dallim nga leximi horizontal.
Besoj gjithashtu se zhvillimet teknologjike nuk ndikojmë fare në cilësinë artistike. Veprat më të mira letrare janë krijuar në kohën kur nuk ka pasur rrymë elektrike. Epi i Gilgameshit edhe sot është kryevepër e letërsisë botërore. Mos flasim pastaj për veprat e Homerit, Eskilit, Sofokliut, Euripidit, Aristotelit, Platonit, Servantesit, Shekspirit etj.
Nuk e paragjykoj as librin elektronik. Sot mundesh shumë lehtë ta gjesh një libër që të intereson. Nëpër arkiva dhe biblioteka digjitale ka libra të çmuar edhe për ne shqiptarët. Kam gjetur shumë shënime të panjohura për lexuesin shqiptar. Kam gjetur dokumente për arbrit para se t’i përmendte Ataliati. Mendoj se librat e domosdoshëm për një kulturë duhet të digjitalizohen.

HEJZA: A po e vuan kritika jonë letrare mungesën e gazetave dhe revistave kulturo-letrare! Nga ana tjetër, janë të pakta edhe përpjekjet e kritikës sonë që të gjejë vend e strehë nëpër faqe profesionale, nëpër rrjete sociale të profilizuar ku mund të japin kontribut të pamohueshëm.

S. SALIHU:Në hapësirën shqiptare botohen disa revista letrare cilësore. Në Maqedoninë e Veriut, fatkeqësisht, janë shuar shumë revistave letrare për mungesë mjetesh financiare. Revistat letrare janë të domosdoshme. Uroj që një ditë edhe “Hejza” të botohet edhe në versionin e shtypur. Uroj që gazetat dhe portalet t’i kenë shtojcat kulturore që do të përgatiteshin me profesionalizëm. Do të doja të kishim revista vetëm me shkrime kritike për letërsinë, për artet pamore, artet skenike, veçanërisht për muzikën.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Mbi origjinën ilire të gjuhës shqipe

Kumtesa e mbajtur në vitin 1982 në Beograd nga dr. Idriz Ajeti,…

VIDEO / Doktori i njohur: Ja e vërteta që po na fshihet pas koronavirusit

Shiva Ayyadurai, i njohur nga të gjithë si Doktor Shiva, është një…

Shqiptari Fetah Efendiu sipas dokumenteve të UDB-ës jugosllave

Pas vdekjes së Ataullah Hoxhës (dhjetor të vitit 1946), për udhëheqës të…

Mohamed Salmawy: Një film për mbretin shqiptar të Egjiptit, Mohamed Ali

Më shumë se 3 shekuj më parë, një familje nga Zëmblaku i…

Biografi për të famshmin Ali Pashë Tepelena

Nga Aurenc Bebja/ “La Quotidienne” ka botuar, të shtunën e 29 nëntorit…