Bashkimi kulturor, mision i (pa)mundshëm

Për HEJZËN, Bardh FRANGU

Në një protestë, nga shumë sosh të organizuara gjatë kohës së okupimit serb, një burrë me plis të bardhë në kokë, bërtiste me sa fuqi që kishte: “Rrnoftë bashkimi kangëtar”. Tipi idenë nuk e kishte për kombin. Dhe mbase kishte të drejtë, sepse ishte ajo kohë kur kënga na bashkonte, pavarësisht pse kjo ndodhte njëanshëm. Po as tash nuk kemi një ide të formësuar për kombin, mbase gjithnjë e më shumë po bëhet e dukshme kriza identitare. Kur flasim për kulturën dhe integrimet e saj, duhet pasur parasysh se gjuha është faktori numër një, ndërsa krijuesi i takon gjuhës në të cilën krijon. E kur dihet fakti se gjuha para së të jetë çështje kulturore është çështje politike, bindemi se gjendemi në një kizë të thellë politike dhe kulturore. Në vend se të ndërtojmë politika të përbashkëta shtetërore rreth zhvillimit të gjuhës si një organizëm i gjallë, ne vazhdojmë ta mbajmë të konservuar standardin e gjuhës të vitit 1972, madje me tendenca të hapura që ta zhbëjmë këtë standard dhe t’i kthehemi të folmes së lagjeve tona. Për me keq, ka edhe tendenca të hapura edhe për ndarje gjeografike Veri- Jug, në kuptimin e dy identiteteve të ndryshme.
Në kontekst të këtyre zhvillimeve shohim se, për fat të keq, ka më shumë tendenca që na ndajnë se aso që na bashkojnë. Sigurisht që krejt këto zhvillime duhet parë edhe në kontekstin historik, përkatësisht në prerjet e vrazhda kulturore, të cilat kanë krijuar një ndjenjë inferioriteti, përkatësisht një kompleks të vlerës së ulët. Ndryshe duken të pakuptimta iniciativat politike dhe kulturore që lidhin Tiranën dhe Prishtinën më shumë me Beogradin se Tiranën dhe Prishtinën mes veti. Prishtina aktualisht më shumë ka bashkëpunim kulturor me Beogradin se me Tiranën. Tirana ka më shumë bashkëpunim politik dhe kulturor me Beogradin se me Prishtinën. Në Tiranë ngjarje kulturore bëhet koncerti i Bregoviçit dhe përkthimi i Andriqit, dy armiqve të dëshmuar kundër qenies kombëtare shqiptare. Ngjarje kulturore nga Prishtina në Tiranë apo edhe anasjelltas nuk kemi.
Këto aktivitetet improvizuese kinse të përbashkimit janë vërtet për keqardhje, sepse janë prodhime të injorancës dhe mediokritetit që mbështeten nga politikat ditore dhe që si të tilla nuk prodhojnë ngjarje kulturore. Sigurisht që kur bëjmë fjalë për vlera të përbashkëta, përkatësisht për integrime kulturore, duhet pasur parasysh edhe kontekstin kohor në të cilin janë zhvilluar si të ndara dy kulturat tona. Ndërsa në Shqipëri për pesë decenie kemi të zhvilluar një politikë në shpërbërje të individit dhe në ndërtimin e njeriut të ri, sipas masës së kuqe, ndikuar nga socializmi që vije nga të ftohtit, në Kosovë kemi një politikë autonomiste, me tendenca të ruajtjes së qenies kombëtare dhe zgjerimit të të drejtave të saj, rrjedhimisht një kulturë të zhvilluar në kontekst të kësaj. Mbase pak kush e di që në kushtetutën e të ashtuquajturës RSFJ, politika nuk kishte të drejtë të përzihej në kulturë. Tjetër gjë është pse strukturat e partisë te ne nuk e kanë respektuar asnjëherë këtë, gjë që edhe vetë isha viktimë e kësaj. Megjithatë ishin rrethana kur Qarku Kulturor në Prishtinë komunikonte me vlerat që prodhoheshin edhe në Paris, për dallim nga Tirana që vazhdonte të besonte në Moskën e kuqe të Stalinit.
Ndërsa në Tiranë përbalteshin Fishta, Lasgushi, Reshpja, Xhaferri… ne në Prishtinë u kishim ndërtuar përmendore. E kjo megjithatë flet për një fenomen që nuk ka si të mos reflektojë edhe sot në zhvillimet tona kulturore.
Përkundër të gjitha këtyre ideja për integrime kulturore është diçka e natyrshme dhe si e tillë besoj se nuk mund të ndalet, përkundër të gjitha këtyre tendencave penguese dhe mbase çoroditëse. Është fat i madh që veprën e Kadaresë e kemi si një fije ndërlidhëse që na bën të urojmë që të kemi sa më shumë vepra të tilla që na bashkojnë e sa më pak aso që na ndajnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Statusi i organizatave përkatëse në sistemin kulturor

Midis nesh Çka duhet të synojnë shoqatat apo organizatat kulturore gjatë zbatimit…

Margariti: Logoja e TKOB, vogëlsi/ Artistët paralajmërojnë protesta

Ju falenderoj për vëmendjen që keni dhe për problematika kaq të vogla.…

Qyteti muze që po i lëkunden themelet

Luani që ia ka falur emrin qytetit! Lviv! I vetmi qytet në…

KA DEGRADUAR SISTEMI I VLERAVE

HEJZA me SARË GJERGJIN, poet Sarë Gjergji, i lindur në Stubëll, është…

ANSAMBLET

Midis nesh Ansamblet tona duhet ta shtrijnë gamën e veprimit të tyre,…