Midis nesh

Artistët, përmes artit të vet, gjithnjë e kanë synuar më të mirën e botës! Deri te kjo e mirë artistët kanë hapëruar në dy kahe: njëri kah i artistëve është angazhuar për të qenë sa më të denjë në përfaqësimin e botës (reprezentativ), ndërsa kahu tjetër ka qenë i artistëve ithtarë të transformimit të botës kah më e mira, më e bukura, më dinjitozja! Artistët që e kanë mëtuar dhe që në njëfarë forme e kanë arritur këtë synim, janë quajtur avangardë. Artistët reprezentativë janë llogaritur ajo avangardë artistësh që në art kanë sjellë stile dhe teknikë (kubizmi, ekspresionizmi, ekspresionizmi abstrakt)! Në periudhën e post-avangardizmit (në shoqëritë që gjakonin një jetë liberale) si dhe në avangardën post-socialiste, do të kemi edhe stile dhe teknika të tjera të cilat hollësisht i trajtohen historia e artit. Kjo avangardë e artistëve reprezentativ mendojnë se përfaqësojnë “artin e pastër” – prandaj njihen si tipa idealistë! Këta mendojnë se duke i afruar shoqërisë kryevepra, duke u mësuar shoqëria në shijimin e së bukurës së tyre – kësisoj do të arrihet transformim i botës!
Në anën tjetër kemi avangardën e cila mëton që përmes artit të vet të dikojë në jetë dhe, me këtë, ta ndryshojë botën. Për shkak të koncepteve të tyre mbi reformimin e botës, ata herë do të quhen si “ekstremistë” e herë si “radikalistë”, herë si “revolucionaristë’, herë si “politiko-poetikë, e herë si “politiko-estetikë”. Këto emërtime me përmbajtje politike, ndikuan në tipizimin e tyre si lëvizje avangarde “estetike” dhe do të shfaqen pothuajse në çdo shoqëri!
A i kemi ndër ne (ndër artistët shqiptarët) këta lloje avangardistë? Të kuptohemi “avan-gard”-istët gjithnjë duhet të jenë para kohës dhe duhet të dinë saktësish se kah po shkon shoqëria e tyre! Rilindësit tanë e dinin, pa dyshim! Por, nëse i kemi sot këta avangardë, a mund të na thonë se në ç’drejtim (jo-politik) po hapëron shoqëria shqiptare? Janë disa konstatime që mundohen të vërtetojnë se populli shqiptar është populli më politik në rajon! Edhe fëmijët në djep merren me politikë!
Para 157 viteve, poeti, dramaturgu dhe historiani gjerman, Fridrih Shiler, ngriti teorinë se zgjidhjet politike pa një qasje estetike gjithnjë janë gjysmake dhe, thjesht, të paqëndrueshme. Ai thoshte: “Nëse njeriu dëshiron që përfundimisht t’i zgjidhë problemet politike, ai këtë do të mund ta arrijë vetëm përmes problemit estetik, sepse, njeriu vetëm përmes të Bukurës mund të vije deri te Liria”! Porosi gati të ngjashme si kjo përcjell edhe proverbi popullor irlandez i cili thotë se “Një popull që e ka të kultivuar lirikën ai e do Lirinë”! ‘Ky lloj i avangardistëve reformimin e botës e shikon vetëm përmes “revolucionit estetik”!
Ky është shpjegimi mbi atë se si Shtetësia e Kosovës po del të jetë kaq shumë “rrëfim i suksesshëm”! Sepse, të paktën nja tri dekada para luftës çlirimtare, “revolucioni estetik” është ndjerë pothuajse në çdo vit! Plot një dekade para luftës Lëvizjen Popullore brenda Kosovës e drejtuan “ekstremistët”, “radikalistët”, “gandistët”, “poetët politik”, “estetët politik”, “krijuesit nacionalistë”, pra, një avangardë që po drejtonte në “paqe të okupuar” një “revolucion estetik” deri në dalje në sipërfaqe të “planit B” – të çlirimtarëve të ushqyer edhe me frutat e këtij “revolucioni”!
Dhe, ky duhet të jetë shpjegimi edhe i “rrëfimit dëshpërues” të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut! Në njërën anë, angazhimi politiko-luftarak i subjekteve shqiptare dhe, në anën tjetër, këmbëngulja për prezencë reprezentative të elementit misionarist të “ekstremistëve fetarë”, e refuzuan nevojën e “revolucionit estetik” duke e llogaritur si “luks përtej kohës”, apo edhe si “mëkat i madh”! Prandaj te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut “plani B” nuk ishte as “revolucion”, as “luftë” por thjesht, protestë “e armatosur” për të “drejta reprezentative” (të drejtat e shqiptarëve) dhe për përfaqësim adekuat të shqiptarëve në administratën shtetërore dhe publike! I vetmi “transformim estetik” i cili mund t’i karakterizojë sot shqiptarët e Maqedonisë, është mjerisht “pedantëria” prej të qenët “protestues partiakë” si dhe “bukuria e mjekërzimit” të misionarëve që shkon përtej identitetit kombëtar!
Shkrimtari dhe historiani hungarez, Miklosh Sabolçi, ndante mendimin se “revolucioni pa avangardë (në art) në fakt është pseudorevolucion”!
Përtej këtij realiteti demoralizues, shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut u mbetet vetëm edhe një përpjekje vetëmohuese – revolucioni kulturor, i cili do të dinte t’i çmonte frytet e “protestës luftarake” kombëtare (2001), duke i transformuar nga “vlera personale” në vlera estetike me forcën e përjetësisë.
Me nocionin “Revolucion Kulturor” në rastin konkret, nuk mendohet në formën e Revolucionit Kinez, apo të Revolucionit Francez, nuk mendohet as në çlirim e në pavarësim, por thjesht mendohet në përkushtimin kombëtar të subjekteve politike që “popullin politik” ta kulturojnë!
Këto ditë, diku në Zvicër, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, brenda një ore kishin mbledhur një milion franga zvicerane për ta ndërtuar një xhami! Shumë bukur, nuk ka asgjë të keqe, madje duhet të lutemi që këta donatorë bamirës Zoti Mëshirëplotë t’i shpërblejë me kopshte parajsore! Por, a thua, sa para do të ishin mbledhur sikur të realizohej një aksion për një teatër privat apo për një shtëpi të kulturës, bie fjala, në Çair! Po ashtu, këto ditë në një televizion nacional u prononcua një “udhëheqës fondacioni”, i cili tha se ia dorëzoi Fondit të themeluar për Forcat e Sigurisë së Kosovës shumën prej 100 mijë e ca franga zvicerane të grumbulluar nga biznesi shqiptar në Zvicër qysh prej hapjes së Fondit e deri më sot! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

KA DEGRADUAR SISTEMI I VLERAVE

HEJZA me SARË GJERGJIN, poet Sarë Gjergji, i lindur në Stubëll, është…

POLITIKAT KULTURORE NË RAPORT ME LETËRSINË SHQIPTARE!

Midis nesh Politikat kulturore shqiptare, para se të jenë globaliste, është mirë…

JEMI NË QORRSOKAKUN E VLERAVE TË MUNGUARA

Me Zaim Elezin, piktor Zaim Elezi, një nga piktorët tanë më të…

Midis nesh / KUR INJORANTËVE U PËLQEN VETJA!

Keqpërdorimi i demokracisë, duke e shndërruar atë në një anarki të çuditshme,…

NUK BËJMË ASGJË PËR TEATRIN

HEJZA me Afeida Boriçi Memetin, regjisore Afeida Boriçi Memeti u diplomua në…