Letër nga Shkupi

Janë të përvitshme reagimet e subjekteve të ndryshme juridike, por edhe fizike, në sferën e kulturës, të….
Janë të përvitshme reagimet e subjekteve të ndryshme juridike, por edhe fizike, në sferën e kulturës, të cilët nuk pajtohen me programin kulturor vjetor. Nga shqiptarët vazhdimisht dëgjohen dy zëra kundërthënës: “ia dolëm që të marrim 25 për qind nga projektet kulturore”, “programi vjetor është pasqyrë e diskriminimit të rëndë kulturor që u bëhet shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut”!
Kurrë nuk patëm një analizë të thuktë (por jo politiko-partiake!) që të konstatohet se cili zë është më afër së vërtetës! Ndërkaq faktet flasin se zëri i dytë është qind për qind i saktë!
Po zëri i atyre që thonë se ia dolëm që të marrim 25 për qind të projekteve kulturore!? A di të na thotë dikush se kush i mori ato projekte? Ku shkuan? Çka përfaqësojnë ato projekte? Në rrafshin kombëtar, në sferën e kulturës, çka u arrit me ato projekte?
Ky problem tërheq vërejtjen serioze për partitë tona që participojnë në pushtet? Asnjë parti shqiptare e cila deri më sot ka participuar në pushtetet e këtij vendi, nuk i ka bërë një revizionim projekteve kulturore vjetore për të parë se cili ishte feedback-u i tyre në kulturën kombëtare? Thjesht, të bëjnë një analizë për të parë se sa ato projekte që i kanë fituar subjektet e ndryshme shqiptare ishin në përputhje me platformën kulturore të programeve partiake! Një parti serioze që participon në pushtet, duhet ta ketë programin e vet kulturor që del nga politikat kulturore që i ka përcaktuar si obligim kombëtar për periudhën deri sa do të jetë në skenën politike, qoftë si pushtet qoftë në opozitë!
Funksionarët partiakë, komisionet e caktuara nga partia në pushtet, duhet që të jenë hollësisht të njoftuar me politikat kulturore të partisë dhe, konform përcaktimeve të dala nga këto politika, të veprohet edhe përgjatë hartimit të programit kulturor vjetor. Është koha e fundit që të stopohen praktikat e vjetra anti-kulturore dhe, për më tepër, antikombëtare! Nuk mundet që ministria e kulturës të shërbejë si magazë ku mund të merret një tezgë pazari për të nxjerrë ne treg idiotësira, shund e kiç, antivlera e plehra, madje të detyrohet po kjo ministri që t’i subvencionojë të gjitha këto “marifetllëqe kulturore”! Ministria e kulturës duhet të jetë sektor tërësisht në funksion të politikave kulturore që e zhvillojnë qartazi identitetin kulturor etnik!
Natyrisht, nuk mund të shahen të gjithë subjektet që deri më sot ia kanë dalë të përfitojnë në emër të kulturës, në fakt, të bëjnë biznes duke e dëmtuar kulturën. Kush nuk do të donte të përfitojë sa të mundet? Faji bie tërësisht mbi subjektet tona politike që deri më sot kurrë nuk e kanë bërë më të voglën përpjekje për një kornizë nacionale të politikave kulturore. Ndërsa këto politika nuk bëhen me militantë, por, pa dyshim, me kulturologë, me njohës të problemeve të krijimtarisë artistike, kulturore, duke zhvilluar debate e duke ngritur probleme kulturore, të cilët nuk duhet futur nën plaf, por duhet të trajtohen si fenomene që kërkojnë zgjidhje përgjatë mandateve qeveritare!
Ky përcaktim si dhe revizionimi i programeve kulturore vjetore vetvetiu do t’i eliminonte “matrapazët kulturorë”, ndërsa do të profilizonte subjekte që me të vërtetë do të ndjeheshin si forcë e domosdoshme për t’i shtyrë përpara proceset kulturore të shqiptarëve të këtij vendi! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Blerina Rogova Gaxha: POEZIA E JETËS GJITHNJË ËSHTË ME NE

Për HEJZA-n flet Blerina Rogova Gaxha, poete Blerina Rogova Gaxha (1982) është…

Besa Kalaja për frymëzimin

JO GJITHÇKA PËRFUNDON NË LETËR (Enkas për HEJZA-n) Kam përshtypjen që të…

Përshkrimi i udhëtimit të udhëpërshkruesit të njohur gjerman: Johann Georg von Hahn gjatë vitit 1858, nëpër trevat shqiptare të Leskocit

Serbët e shkruajnë se Hahn, kishte shprehur shumë interesim për ti vizituar…

Kur “kritikët” bëhen Don Zhuanë!

Midis nesh Janë disa “kritikë” që i ka kapluar një dalldi e…