Fitorja e diskutueshme e kampionit të botës në peshën e rëndë në boks Tyson Fury ndaj yllit të MMA-t, Francis Ngannou, ka ngjallur reagime të shumta.
Fury të shtunën mbrëma në Riyadh të Arabisë Saudite fitoi 2:1 me vlerësim të gjyqtarëve. Ngannou e kishte rrëzuar një herë Furyn në rundin e tretë.
Ylli i basketbollit, LeBron James, në platformën “X” ka shkruar: “Kjo është arsyeja pse nuk shikoj boks”.
Ndërkohë promotori i famshëm i boksit, Eddie Hearn, po ashtu ka thënë se Fury nuk ishte fitues.
“Nuk kam fjalë. Francis Ngannou kurrë s’ka boksuar më herët dhe respekte për të. Nuk mendoj se ishte impresiv, por Tyson Fury u duk sikur kurrë nuk ka vënë dorëza të boksit më herët. U rrëzua në rund të tretë, kurrë nuk dha asnjë goditje dhe Ngannou nuk dha asnjë goditje më pas. Mendoj se Ngannou fitoi për dy runde. Bota e boksit është çmendur. Harroni Fury – Usyk, asnjëri nuk është i interesuar. Lëreni Furyn kundër Anthony Joshuas. Joshua do ta nokautojë Tyson Furyn në gjashtë runde. Bëjeni këtë luftë, përndryshe kurrë s’do ta kemi”, ka thënë promotori Eddi Hearn.
E edhe ish-boksieri britanik Luke Campell, ka thënë se vlerësime të tilla të gjyqtarëve po e shkatërrojnë boksin.
Fury pritet të përballet me ukrainasin Oleksandr Usyk për titullin e kampionit të padiskutueshëm në peshën e rëndë. Fury e ka titullin e botës të versionit WBC, ndërsa Usyk i ka titujt e versionit IBF, WBO dhe WBA.
Lufta mes tyre është paraparë të mbahet më 23 dhjetor, por ka gjasa të shtyhet.
“Pata përshtypjen se ai po luante. Unë do të stërvitem qind për qind. Por, është boks. Ndoshta ishte element i befasisë. Ndoshta. Por, mendoj se ishte shou. Ngannou është kampion bote në MMA, dhe ka grusht të fuqishëm. Kishte element befasie. Ndoshta Tyson Fury nuk e mori seriozisht, tha ‘është vetëm luftëtar i MMA’t’. Sigurisht se u befasova nga nokdauni”, tha Fury.