Qeveria dhe kryeministri Albin Kurti do ta udhëheqin dialogun me Serbinë në koordinim dhe këshillim me presidenten e vendit, Vjosa Osmani si dhe në bashkëpunim të ngushtë me Kuvendin e Kosovës dhe subjektet e përfaqësuara atje.

Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka deklaruar për klankosova.tv se dialogu Kosovë-Serbi duhet të jetë i koncentruar në përmbajtje dhe jo në afate kohore.

“Dialogu duhet të jetë i përgatitur mirë, me parime dhe me synime të qarta dhe të dakorduara në mes palëve të përfshira aty. Dialog i koncentruar në përmbajtje, e jo afate kohore. Qeveria dhe kryeministri Kurti do të udhëheqë me dialogun. Këtë do ta bëjë duke u koordinuar dhe këshilluar me presidenten Osmani, dhe duke bashkëpunuar ngushtë me Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe subjektet e përfaqësuara aty”.

Kryeziu ka theksuar se përbërja e delegacionit të Kosovës do të bëhet duke u bazuar nga temat e diskutimit, duke shtuar se dialogu me Serbinë është ndër çështjet kryesore ku do të kërkohet konsensus.

“Sa i përket ekipit, ai do të caktohet varësisht nga temat e diskutimit, sipas fushave të përgjegjësisë dhe të ekspertizës. Kryeministri ka deklaruar disa herë tashmë se do të kërkojë konsensus dhe debat deri në shterim me opozitën për çështje kapitale për vendin. Dialogu me Serbinë është ndër çështjet kryesore ku do të kërkohet konsensus. Tema e parë duhet të jetë fati i personave të pagjetur”, ka thënë Kryeziu.

Dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është ndërprerë që nga dhjetori i vitit të kaluar dhe ende nuk dihet se kur do të rifillojë.

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, nuk e ka bërë të ditur datën dhe agjendën e takimit të ardhshëm mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, duke shtuar se kjo do të bëhet e ditur në një kohë të përshtatshme.

Ai në një deklaratë dhënë ditë më parë për Klankosova.tv ka thënë se “BE-ja dhe shtetet anëtare presin që autoritetet e reja në Prishtinë të angazhohen në mënyrë konstruktive me qëllim vazhdimin e takimeve në dialogun e lehtësuar nga BE-ja dhe të shfrytëzojnë mundësinë që kanë përpara tyre për të sjellë këtë proces të rëndësishëm në një përfundim të suksesshëm”.

Rreth temës së dialogut edhe sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 7 prill i ka dërguar një letër kryeministrit Albin Kurti ku kishte theksuar se sigurimi i një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizim me Serbinë, e përqendruar në njohjen e ndërsjellë është thelbësore për Kosovën që të arrijë potencialin e saj të plotë dhe të ecë përpara në rrugën drejt anëtarësimit në BE.

Do të keni mbështetjen e plotë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë drejtim”, ka thënë Blinken.

Në ndërkohë mediat serbe kanë raportuar se presidenti i këtij vendi, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se do të shkojë në Bruksel dy herë dhe se ai pret bisedime të mira dhe konstruktive, si dhe vazhdimin e dialogut me Prishtinën në maj ose qershor.

10 dhjetori është data kur është mbajtur takimi i fundit për vitin 2020 në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd, derisa takimet e radhës do të mbahen në vitin 2021.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Në Wuhan vetëm një person është infektuar me coronavirus gjatë 24 orëve të fundit

Në qytetin kinez Wuhan, gjatë 24 orëve të fundit është regjistruar vetëm…

Përfundon identifikimi i viktimave nga aksidenti tragjik në Bullgari

Zëvendës prokurori kryesor dhe drejtori i Shërbimit nacional hetues në Bullgari, Borisllav…

Zaev në Prishtinë: Hetim ndërkombëtar për rastin e Kumanovës

Vizita e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev, në Prishtinë është e para e…

Një viktimë dhe 7 raste të reja me Covid-19, shërohen 47 pacientë

Në 24 orët e fundit në vendin tonë janë realizuar 113 teste,…