Bashkimi kulturor, mision i (pa)mundshëm

Enkas për HEJZËN, Puntorie Muça ZIBA

E dimë se dituria lulëzon bashkë me letërsinë, prandaj misionarët letrar duhet ta shpëtojnë nga shkatërrimi këtë epokë krijuese. Letërsia shqiptare nuk duhet të ketë kufi gjeografik. Ajo ka qenë dhe duhet të jetë një letërsi me halle, probleme dhe shqetësime të përbashkëta të të gjithë krijuesve autokton. Për të bashkuar shpirtin kulturor, duhet në të gjitha anët e banuara me shqiptarë të luftohet diletantizmi, smira, injoranca…
Sot, në fushën e internetit të gjithë “shkruajnë” e dalin në televizor dhe “shesin” mend, flasin pa menduar, nënvleftësojnë, ngulfatin letërsinë nacionale, duke u “marrë” me letërsinë e shekujve të kaluar nëpër botë. Pështirosesh duke i dëgjuar disa lexues jo të mirëfilltë që më shumë kapen për kopertina sesa për brendinë e romaneve ose veprave të zhanreve tjera, si ato poetike dhe dramatike. Të shtyrë nga snobizmi gjoja se: “Jam lexues i madh nëse deklarohem si “lexues” i “ Zonjës Bovari” etj. Pastaj, pa pasur bezdi se i dëgjojnë lexuesit dhe studiuesit serioz të letërsisë botërore dhe nacionale, fillojnë tregojnë përralla me mbretër. Në mediumet vizuale dikush ta fut frikën në palcë. Pas kësaj që po e shkruaj, më ndjek pyetja se ku fillon e keqja e kulturës kombëtare. Aty ku më së shumti duhet t’i kushtohet rëndësi bashkimit kulturor dhe letërsisë së mirëfilltë, u jepet mundësia të futen në programet kulturore disa njerëz që marrin rolin e ndërmjetësuesit, duke ua imponuar lexuesve disa emra shkrimtarësh të njohur e të panjohur botërorë. Ata me një dinakëri të çuditshme neglizhojnë dhe e turpërojnë letërsinë cilësore nacionale. Për të qa e për të qesh kjo punë. Nuk e di kur do të fillojmë ne shqiptarët të merremi më shumë me veten. Përse duam aq shumë ta vrasim veten e t’u bëjmë elozhe të tjerëve.
Po ua kujtoj qëndrimin konformist të politikave kulturore në Shqipëri, Maqedoni e Kosovë, jo seriozitetin e shumicës që japin dezinformata, që ngatërrojnë lexuesin dhe krijuesin në rrugën drejt bashkimit kulturor të trojeve tona. Disa nga brezi i ri, haptas shkëpusin kontaktin me letërsinë që krijohet në këtë periudhë kohore. Kjo të ngjall tmerr.
Edhe pse qysh në fillim të tranzicionit, bashkë me bashkimin ekonomik filloi edhe bashkimi kulturor, ai sot po zbehet më shumë se kurrë. Politikat nacionale kulturore duhet të formojnë strategji kombëtare për bashkimin kulturor. Libra leximi të përbashkëta, lektura shkollore të përbashkëta nga autor bashkëkohor për shkollat nëntëvjeçare dhe për shkollat e mesme. Edhe pse i domosdoshëm si ajri që e thithim, shpesh më duket më i rëndë se shkrepat e malit ky projekt. Mendoj se gjithçka duhet të nis nga politikat kulturore, nga institucionet arsimore e kulturore, nga shoqatat serioze të shkrimtarëve dhe nga disa asociacione tjera, me qëllim që, për një kohë jo shumë afatgjate, gjithçka të vjen në vend të vet. Ne jemi një komb me të njëjtën kulturë, prandaj nuk duhet të sundohemi nga banaliteti, nuk duhet t’i harrojmë të vdekurit nën bli që lanë pas vetes vepra cilësore letrare e shkencore dhe të gjallët që përpëliten flatra-këputur për t’i lënë kombit perla e për ta mbajtur gjallë shpirtin kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Ku mbeti kujtimi për librarinë nobel!?

Letër nga Shkupi Kur bëhet fjalë për kulturën shoqëria shqiptare në Maqedoninë…

“Fotografi maqedonas, Osman Demiri”

Midis nesh Disa nga mediumet (sidomos ato elektronike) në Shqipëri vazhdojnë të…

LETËRSIA E BREZIT TË RI LEXOHET PAK DHE PARAGJYKOHET SHUMË

HEJZA me Ndue Ukajn, shkrimtar Ndue Ukaj (1977) është shkrimtar, kritik letrar…

Anila Kurti për kritikën letrare

“Shenja e mendjes së pjekur” (Enkas për Hejzën)Arshi Pipa, për mua themeluesi…