Shaqir Fetai paska marrë pjesë në manifestimin kushtuar 30 vjetorit të themelimit të Meshihatit të BFI të Sanxhakut, me seli në Novi Pazar. Madje paska pasur edhe rastin t’i përshëndesë të pranishmit! Çuditërisht, tamam si një skuth i ndërkryer, gjithkun i ik rolit të protagonistit, si institucion, edhe në ngritjen e këtij Meshihati që ka një historik deri te ky përvjetor. Natyrisht, ky historik mund të jetë i paqartë për gjeneratat aktuale të këtij Meshihati, por ama, gjërat gjithnjë përkujtohen, rrëfehen dhe, kësisoj, mozaiku i së vërtetës del më i qartë dhe më i plotë! Shaqir Fetait iu paska kujtuar që ta nënvizojë rolin e këtij Institucioni në institucionalizimin e jetës fetare islame në Sanxhak, thuase këtë fakt nuk e dinë myslimanët e këtij vendi!
Po pse Shaqir Fetai frikësohet nga faktet historike? Pse ai i ik të kaluarës? Pse e vret, pse tmerrohet nga e kaluara Shaqir Fetai? Pse Shaqir Fetai aq me ngulm mundohet që ta fshijë me gomë traktori të kaluarën e Bashkesisë Fetare Islame, rolin dhe kontributin e saj në të gjitha rrethanat e paraqitura përgjatë zhvillimit institucional të jetës fetare islame në vendin tone dhe më gjërë në rajon. Shaqir Fetai disa herë ka dëshmuar se fort i parapëlqen që ta bindë botën mbarë se islami në RMV shënon hovin e vet që me instalimin e tij në krye të Institucionit nga “dora e zezë”!
Pse Shaqir Fetai nuk e tregon vizitën historike të Muhamed Zurkorliqit më vitin 1993 që ia bëri BFI të RMV-së?
Pse insistonte për ta takuar kryetarin historik të BFI-së, Sulejman ef. Rexhepin dhe çka kërkoi prej tij?
Si u ngjiz ideja për themelimin e BFI-së së Sanxhakut pikërisht në kabinetin e Reisul ulemasë, Sulejman ef. Rexhepit, ideja e të cilit ishte që BFI-ja e Sanxhakut të jet e pavarur, dhe jo si kjo sot nën Rijasetin e Sarajevës! Përse myslimanët e Luginës të ngelen me Sarajevën dhe jo Shkupin ose Prishtinën?!
Cilat ishin nevojat imediate si dhe kërkesat e menjëhershme të nismëtarit Muhamed ef. Zukorliqit për ta sendërtuar këtë ide?
Cila ishte përkrahja konkrete e H. Sulejman ef. Rexhepit?
Pse këtë ndihmë efendi Zurkoliqi ia kërkoi pikërisht prijësit fetar të vëllezërve shqiptar, H. Sulejman ef. Rexhepit?
Janë këto disa fakte anashkalimi i të cilëve nuk i bën nder askujt dhe, përtej këtyre, askush nuk e ka të drejtën të flasë për rolin e institucionit në perspektivë.
Apo, ndoshta Shaqir Fetai tashmë ka një anamnezë pas së cilës asgjë nuk i kujtohet nga e kaluara, sepse e vetëfshiu historinë që kur u përkushtua për ta rrënuar Bashkësinë Fetare Islame. Shaqir Fetai duhet të kuptojë se, fetarisht, islamikisht, e ka rreptësisht të ndaluar, e ka haram, të flasë për institucion fetar islam që në momentin kur u bë ushunjëzë e të gjitha intrigave që do ta ndihmonin verbërisht në ngritje të karrierës mbi kurriz të të pathyeshmëve./z.m./