Miodrag Soric /

Pse qindra mijëra rusë e lejojnë veten të dërgohen në një agresion dhe luftë kriminale? Pse lejojnë të përdoren si mish për top? Pse ia lënë fatin e tyre një luftënxitësi? Pse nuk rebelohen?

Shumica e njerëzve nuk mund të gjejnë përgjigje për këto pyetje. Rusët duket se lejojnë të bëhet çdo gjë me ta. Krijohen stereotipa për gjoja karakterin kombëtar. Rusët janë tolerantë, i binden gjithmonë carit përkatës në Kremlin, kanë frikë nga liria, siç shkruante Fjodor Dostojevski.

Është e vërtetë që aktualisht është e rrezikshme të rebelohesh. Kushdo që punon për paqen në Rusi, përballet me burgim dhe torturë. Por, edhe demonstruesit në Iran po përballen me këto pasoja. Megjithatë, për tri javë njerëzit atje kanë dalë në rrugë në të gjithë vendin në protestë kundër regjimit brutal të mullahëve. Dhjetëra prej tyre e kanë paguar tashmë me jetë. Por, duket se ata janë të vendosur të vazhdojnë luftën e tyre për më shumë liri dhe demokraci. Kasapët në Teheran dhe qytete të tjera të vendit nuk janë më pak të dhunshëm se trupat Omon në Moskë.

Bota po i shikon me admirim protestat e guximshme të iranianëve. Ashtu si miliona bjellorusë që protestuan para dy vitesh kundër zgjedhjeve të manipuluara të Lukashenkos; apo demonstratat e ukrainasve që kanë luftuar vazhdimisht për demokraci. Në Ukrainë, populli fitoi. Në Bjellorusi – jo ende. Por, bjellorusët do ta rrëzojnë Lukashenkon nëse Putini nuk mund ta mbrojë më atë.

Pretendimi se rusët nuk janë të mirë për demokracinë është absurd. Shumë mbështeten në sondazhe, kur pohojnë kështu. Sipas sondazheve, rreth një në tre rusë beson se “demokracia perëndimore është e papërshtatshme për Rusinë”. Nëse dikush mendon vërtet kështu, atëherë ata janë të moshuarit, që kurrë nuk kanë qenë në Perëndim. Brezi i ri, nga ana tjetër, është kozmopolit si bashkëmoshatarët e tyre në Paris apo Londër. Ata duan lirinë, demokracinë reale (dhe jo të kontrolluar), prosperitetin, mundësinë për të udhëtuar.

Është gjithashtu e pakuptimtë që – siç pretenduan krerët e kishës ortodokse – demokracia gjoja minon moralin. E kundërta është e vërtetë. Vetëm gjykatat që janë të pavarura nga shteti sigurojnë që të gjithë kanë të drejtë – pavarësisht sa të mira apo të këqija janë marrëdhëniet personale me politikanët. Në Rusinë e sotme, megjithatë, Kremlini vendos se si duhet të duket vendimi në gjyqet kundër demonstruesve. Gjyqtarët e Rusisë janë agjentë të pushtetit. Në demokracitë e qendrueshme, korrupsioni dhe nepotizmi nuk kanë asnjë shans.

Edhe vitet 1990 përmenden si një arsye tjetër pse shumë rusë të moshuar janë skeptikë ndaj demokracisë. Por, ajo që rusët duhej të vuanin në atë kohë nuk kishte të bënte me demokracinë. Përkundrazi, pas vitit 1991 elita e vjetër sovjetike, ish-zyrtarë partiakë dhe agjentë të shërbimeve sekrete, u pasuruan në mënyrë të pakufizuar në kurriz të popullit, duke kontrolluar politikën me male parash.

Por, edhe ukrainasit dhe gjeorgjianët vuajtën nga kjo në vitet 1990. Edhe në Kiev oligarkët kishin ndikim të madh. Por, ukrainasit arritën të zgjedhin dhe votojnë qeveritë e tyre. Standardi i tyre i jetesës u rrit ngadalë. Vendi u bë model për Rusinë dhe u bë kaq i rrezikshëm për Putinin. Papritmas u bë e qartë se demokracia dhe liria janë të mundshme edhe me sllavët e Lindjes.

Ukrainasit do të vazhdojnë të luftojnë për vendin e tyre. Ata nuk duan të jetojnë në një shtet autoritar. Sakrificat e mëdha të bëra nga ky popull i bashkojnë ata. Lufta mbrojtëse kundër Rusisë do t’i formësojë dhe bashkojë për shumë breza me radhë. Nëse qytetarët e Rusisë duan një jetë njerëzore në liri dhe prosperitet, edhe ata duhet të luftojnë për të. Ashtu si popujt e tjerë. /DW/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Rendi i ri botëror

Shkruan : Rexhail Ramadani / “Oligarkia Financiare përbëhet prej rrjetit ndërmartesor në…

Shaqir Fetai e keqinterpreton dashurinë dhe respektin e popullatës (4)

(Në paraqitejn e vet të fundit në opinion, përmes një “interviste” në…

Funskionarët në Maqedoni që s’dinë të shkruajnë, por vetëm të nënshkruajnë

Shkruan: Shkëlzen Halimi KUR “INTELEKTUALI” E MASHTRON VETVETEN Ndër shqiptarët e Maqedonisë…

Për një BFI të mirëfilltë

Shkruan: Mirdi Brao / Si nënpunës fetar të këtij institucioni gjithmonë kemi…