Kisha, edhe pse është e ndarë nga shteti, ajo ka për detyrë që në mënyrë konstruktive të ndjekë drejtimin e zhvillimeve të shtetit, duke mbetur përkrah politikave euroatlantike, ashtu siç e kanë ndjekur dhe ndihmuar Kishën Ortodokse Maqedonase të gjitha qeveritë e mëparshme maqedonase, thonë njohësit e marrëdhënieve ndërmjet bashkësive fetare dhe shtetit.

Këto komente pasojnë vizitën e mitropolitit rus, Antoni, më 11 janar në Maqedoninë e Veriut me ç’rast është takuar me kryetarin e Kishës Ortodokse Maqedonase, Stefanin.

Mitropoliti rus, Antoni, nuk ka dhënë shumë informacione për mediat lidhur me qëllimin e kësaj vizite. Megjithatë, pas takimit me zyrtarët e lartë të Kishës Ortodokse Maqedonase ka thënë se në Maqedoninë e Veriut ka ardhur për ta uruar personalisht kryepeshkopin maqedonas, Stefanin për festën e emrit (“imen den” festë që ndërlidhet me festën e shenjtorëve që kanë emrin e ndjetë) dhe me këtë rast për të përcjellë urimet nga Patriarku rus, Kirili.

Gjatë takimit që ka realizuar mitropoliti rus, Antoni, me zyrtarët e Kishës Ortodokse Maqedonase është shoqëruar nga ambasadori i Federatës Ruse në Shkup, Sergej Bazdnikin.

Presidenti i Maqedonisë, Stevo Pendarovski, tha se për momentin vizita e klerikut rus bëhet vetëm në kuadër të diplomacisë kishtare dhe nëse mbetet në ato korniza, nuk është problematike.

“Nëse diplomacia kishtare, e cila pa diskutim e dimë se po përdoret nga presidenti rus [Vladimir]Putin, si një nga mjetet e tij për të justifikuar luftën në Ukrainë dhe për të justifikuar mizoritë që po kryen atje, atëherë nuk do ta mbështesja këtë, por deri në këtë moment mendoj se takimet kanë qenë vetëm në kuadër të kishës dhe është biseduar vetëm për çështjet kishtare”, tha Pendarovski, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve pas fjalimit në një ngjarje të organizuar nga Këshilli i Ambasadorëve.

Vizita e klerikut të lartë mund të shkaktojë probleme, si për vendin, ashtu edhe për vetë kishën

Por, Aleksandar Spasenovski, ligjërues në Fakultetin Juridik, njohës i marrëdhënieve ndërmjet bashkësive fetare dhe shtetit, thotë për Radion Evropa e Lirë, se takimi i mitropolitit rus me krerët e Kishës Ortodokse Maqedonase paraqet “ofsajd për vendin, si në aspektin strategjik, ashtu edhe në atë gjeopolitik”.

“Maqedonia [e Veriut] është anëtare e NATO-s, po ndërton një partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është interesi ynë themelor strategjik që duhet mbështetur dhe ndihmuar. Vizita e Kishës Ortodokse Ruse në vendin tonë, paraqet një largim nga një interes i tillë strategjik dhe mund të shkaktojë probleme, si për vendin, ashtu edhe për vetë kishën”, thotë Spasenovski.

Nga ana tjetër, edhe Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantik në Maqedoninë e Veriut thotë për Radion Evropa e Lirë se ardhja e klerikut të lartë rus në Maqedoninë e Veriut në asnjë mënyrë nuk është me qëllim të mirë.

“Për vetë faktin se Kisha Ortodokse Ruse është përkrahëse e fortë e politikave të Putint dhe agresionit në Ukrainë dhe kështu, meqë është e përfshirë në rrjedha politike, pra nuk është jashtë politikave institucionale shtetërore të Rusisë si shtet, atëherë ardhja e tij dhe mesazhi që mund të sjellë mund të jetë problematike. Vetë Kisha Ortodokse këtu duhet të jetë e kujdesshme që mos bjerë në grackën e ndonjë premtimi”, vlerëson Ramadani.

Vizita e klerikut të lartë rus në Maqedoninë e Veriut përkon me kohën kur Kisha Ortodokse Maqedonase pret një akt konfirmues kishtar (tomos) nga Patrikana e Euminike në Stamboll. Kjo pasi Kisha Ortodokse Serbe më 24 maj të vitit të kaluar ka pranuar autoqefalin e Kishës Ortodokse Maqedonase, duke i dhënë fund kontestit prej disa dekadash mes tyre, përkatësisht nga viti 1067. Rikujtojmë se problemet ndërmjet dy kishave, serbe dhe asaj maqedonase kishin dalë në sipërfaqe sidomos pas pavarësisë së Maqedonisë (së Veriut) më 1991 pasi Kisha Serbe konsideronte se ndarja e Kishës Maqedonase nuk është bërë sipas rregullave kishtare.

Më 9 maj të 2022, Patrikana Ekumenike e Stambollit pranoi Kishën Ortodokse Maqedonase si kishë të pavarur. Më 25 gusht 2022 edhe Kisha Ortodokse Ruse e njohu Kishën Ortodokse Maqedonase si kishë motër autoqefale.

Kjo është vizita e parë e një kleriku të lartë rus që kur Kisha Ortodokse Ruse e njohu Kishën Ortodokse Maqedonase si kishë autoqefale. Mitropoliti Antoni paraprakisht ka vizituar Serbinë dhe Bullgarinë.

“Në aspektin kishtar, atë religjioz apo fetar, kjo vizitë është e paarsyeshme pasi Kisha Ortodokse Maqedonase rrezikon t’i prishë raportet me Patrikanën Ekumenike në Stamboll pas vendimit historik të Patriarkut Bartolomeu të njohë Kishën Ortodokse Maqedonase – Arqipeshkvia e Ohrit, si kishë kanonike dhe të njohur në botën ortodokse”, thekson Aleksandar Spasenovski.

Ismet Ramadani rikujton se Kisha Ortodokse Maqedonase u bë autoqefale, (e pavarur) nga Patrikana e Stambollit dhe në këtë vijë duhet të mbetet.

“Ky veprim i tyre (Kishës Ortodokse Maqedonase) duhet të kultivohet edhe më tutje pasi në një mënyrë na distancon nga krejt ajo që është politikë ruse dhe veprimet e Putinit në Ukrainë” thotë Ramadani.

Kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Patriarku Kirill, është mbështetës i presidentit rus, Vladimir Putin, i cili e ka “bekuar” invazionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë me pretendimin se ushtria ruse po bën një “akt heroik”./REL/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Jashari: Vetëm Serbia dhe Rusia i kanë dyert e mbyllura në Komunën e Skënderajt

Kryetari i Skënderajt, Bekim Jashari, ka thënë se vetëm dy shtete i…

Zjarri në komunën e Likovës është shuar, nga Drejtoria kërkojnë masa në nivel shtetëror

Nga Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim propozojnë ndërmarrjen e masave në nivel…

Sekretari britanik i Mbrojtjes: Okupimi i Ukrainës do të jetë shumë i vështirë për Rusinë

Sekretari britanik i Mbrojtjes, Ben Wallace, ka thënë se Rusia po ballafaqohet…

Lajçak takohet me Kurtin, flasin për hapat e ardhshëm

I dërguari special për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, këtë të…

Zgjedhjet e parakohshme, mbi 22 mijë mërgimtarë hyjnë në Kosovë

Një numër i madh i bashkatdhetarëve janë parë teksa vinë këto ditë…