Pas të shtënave me armë zjarri në paradën e Ditës së Pavarësisë në Highland Park, Illinois në SHBA, Policia amerikane ka arrestuar një të dyshuar për ngjarjen e rëndë që i mori jetën 6 personave. Robert E Crimo III, 22 vjeç, u arrestua pas një ndjekje nga policia.
Personi i armatosur u ngjit në çati duke qëlluar mbi ata që ishin të pranishëm me armë zjarri. Crimo u referua si një “person i dyshuar” për ngjarjen që u mori jetën 6 personave, por pas arrestimit të tij, policia tha se beson se ai ishte përgjegjës.
Pesë persona ndërruan jetë në vendngjarje, ndërsa një tjetër fatkeqësisht nuk mundi që t’i rezistonte plagëve të marra dhe ndërroi jetë në spital.
Ajo që duhet të kishte qenë një ndër ditët më të lumtura të vitit në SHBA, ditë në të cilën festohet pavarësia e vendit, shumë shpejt u kthye në makth teksa turmat largoheshin me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Ndërkohë, disa dëshmitarë thanë se mendonin që zhurma e armëve ishte fishekzjarre.