Midis nesh

Tash sa kohë teatrot shqiptare përballen me probleme sa reale aq edhe ireale, kurse e gjithë kjo përcillet me një heshtje të çuditshme dhe mbase të pakuptueshme.
Teatri shqiptar në Shkup ka kohë që është në errësirë për shkak të faturave të larta të energjisë elektrike dhe mos-shlyerjes së borxhit.
Aktorët, të cilët shtëpi shpirtërore e kanë skenën, duket se mezi kanë pritur t’u ndodhë kjo fatkeqësi dhe të pushojnë këmbë mbi këmbë. Në fakt, thonë se disa aktorë, megjithatë janë të angazhuar në përgatitjen e një shfaqje të Çehovit (se autorë shqiptarë nuk ka) në një ambient pa drita, duke shpresuar se do të gjendet një zgjidhje fatlume.
Problemi me të cilin po ballafaqohet Teatri shqiptar i Shkupit, nuk është i thjeshtë dhe realisht fare lehtë mund të përsëritet edhe në të ardhmen.
Teatri duhet të funksionojë pandërprerë, duke reflektuar vlera e gjallëri. Kurse ndërprerjet e gjata janë pengesa që vrasin shpirtin e skenës.
Kur sharra has në gozhdë, atëherë duhet gjetur një zgjidhje që të ruhen dhëmbëzat e sharrës. Në rastin konkret, dikush duhet të përgjigjet.
Por, shtrohet pyetja, kujt t’i jepet kjo përgjegjësi kur atë nuk e kërkon askush. Ata që duhet ta ngrenë zërin dhe të kërkojnë përgjegjësi, në rastin konkret – aktorët, ata nuk janë askund, sepse janë pajtuar që me heshtje e pa punë ta marrin pagën e tyre mujore. Ata, me gjasë, do të pajtohen me gjithçka, po edhe nëse e do rendi për të bardhën të thonë se është e zezë.
Është tmerrësisht tragjike të pajtohesh që për interesa të ngushta grupore t’i mbyllësh sytë dhe veshët.
Skena është një botë e veçantë dhe e shenjtë për aktorin, dhe është mëkat të përbuzet. Vetëm në skenë aktori mund ta njohë botën e tij të brendshme, fuqinë transformuese dhe gjuhën e Talisë, ndaj dhe këto veçanti nuk kanë çmim karshi dëshirës hyjnore që skena të jetë një hapësirë e vogël e një bote të madhe.
Aktorët duhet ta ngrenë zërin me një qëllim të vetëm: pushtimin e skenës dhe dhënien e emocioneve publikut. Në të kundërtën, ata do të jenë humbësit më të mëdhenj dhe përçmuesit e vetvetes. Nëse vazhdojnë ta përçmojnë vetveten, atëherë s’do t’u ndihmojë dot as kthimi i dritave…
/HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Lulëzimi kulturor manipulativ

Midis nesh Nuk janë të rrallë rastet kur kemi dëgjuar deklarata të…

RMV, numri i bibliotekave për vite me radhë i njëjtë, anëtarësia brenda tre vitesh ka rënë për gati 50.000

Në Maqedoni vitin e kaluar kishte gjithsej 175 biblioteka me gjithsej 82.928…

Shtëpitë botuese!

Midis nesh Shtëpitë e shumta botuese shqiptare në rrethanat aktuale paraqesin një…