“Sot, datë 06.01.2023 rreth orës 15:19 policia e stacionit në Shtërpcë ka pranuar një informacion se në fshatin Drajkovc të Shtērpcës dy persona, njëri rreth 11 vjeçar dhe tjetri rreth 31 vjeçar janë plagosur nga arma e zjarrit nga personi/persona të panjohur i cili/të cilët ishin me një automjet të udhëtarëve në lëvizje, që po qarkullonte nga Shtërpca në drejtim të Ferizajt dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes”, ka njoftuar policia.
Sipas njoftimit, dy të lënduarit janë dërguar për ndihmë mjekësore në Qendrën e Mjekësisë Familjare në Shtërpcë dhe pas marrjes së ndihmës së parë në Shtërpcë, për tretman të mëtutjeshëm mjekësor janë dërguar me autoambulancë për në qytetin e Graçanicës.
Sipas policisë të plagosurit janë jashtë rrezikut për jetë, derisa janë marrë të gjitha veprimet nga policia për hetimin e këtij rasti.
Policia ka bërë të ditur se aktualisht rruga që dërgon për në Shtërpcë është e bllokuar nga të dy drejtimet e lëvizjes.