Midis nesh

Bibliotekat si institucione nacionale përveç që mbledhin dhe e ruajnë librin, kanë edhe detyrimin që ta shpërndajnë edhe atje ku mungon, nëpër institucione të ndryshme shoqërore. Natyrisht, bibliotekat e këtij lloji tubojnë të paktën nga pesë ekzemplarë (dhe më shumë) të çdo libri që botohet, të cilët pastaj distribuohen edhe nëpër disa biblioteka simotra, për çështje sigurie! Shtëpia ku strehohet libri nuk ndryshon, nuk modernizohet, vlerat i shtohen në vjetërsinë e saj, ajo mund të pajiset me mjete që garantojnë siguri nga vjedhja, nga zjarri, që sigurojnë ajër, thatësi, ngrohtësi, freski! Në botë sot ka biblioteka me mijëra vite të vjetra!
Nga ana tjetër, moderniteti në jetën e njeriut të sotëm ia ka dalë që të ketë ndikim edhe në qasjen ndaj librit si mjet fizik. Dikur, në periudhën komunist, libri lexohej më shumë, ishte një lloj trendi që librat të kishin këndin e vet pothuajse në çdo shtëpi. Biblioteka shtëpiake e trashëguar nga gjyshi e babai ia shtonin vlerën shtëpisë, familjes!
Gjenerata e sotshme në raport me shtëpinë kërkon hapësirë, jo mbingarkesa, kërkon ndriçim e bardhësi, mure të zhveshur e të stolisur eventualisht me ndonjë pikturë! Në raport me librin, gjeneratat e sotshme përkujdesen për “marrëdhënie” të dixhitalizuara; bibliotekën e shtëpisë e paketojnë në USB apo në CD! Si rrjedhojë, ka filluar edhe një “modë” e re: heqja nga shtëpia e bibliotekave klasike shtëpiake, fondi shtëpiak prej mijëra tituj të trashëguar, që mund t’i mungojnë edhe bibliotekave nacionale; largohen nga shtëpia, sepse po e mykin murin, librat po thithin e po lëshojnë pluhur, po grisen e po shkarraviten nga bebet, thjesht po zënë shumë vend! Kjo pasuri e paçmueshme e trashëguar nga babë e gjysh, po u falet bibliotekave nacionale.
Në Bibliotekën Nacionale dhe Universitare “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, gjatë një viti shtrohet me dhjetëra kërkesa që t’i pranojnë librat nga bibliotekat e trashëguara shtëpiake. Më përpara ky gjest i mjerë i qytetarëve i gëzonte bibliotekat, i pranonin të gjitha, pa e bërë fjalën dysh. Sot, meqë biblioteka gjendet para një “invazioni të frikshëm”, ka hartuar një rregullore sipas të cilës qytetarët që e dorëzojnë bibliotekën vetanake, së pari duhet të ofrojnë listën me të gjitha titujt që do t’i donojnë, pastaj nëpunësit e sektorit përkatës të bibliotekës të kontrollojnë se cili nga titujt nuk gjendet fare në bibliotekë, t’ua kërkojnë të njëjtat, ndërsa librat që janë në bibliotekë, nuk ua pranojnë. Mund t’ua japin listën e bibliotekave shkollore, të burgjeve e të enteve të ndryshme që kërkojnë libra dhe u sugjerojnë që vetë ata t’i shpërndajnë nëpër ato ente e institucione! Edhe qel, edhe fodull! Në këtë rast, mjerisht, libri gjendet në pozitën e topit ping-pong! Dhe, në rast se njeriu që ka një fond prej mijëra librash nuk ia del t’i shpërndajë librat sipas sugjerimit të bibliotekës popullore, nuk ka mjet transporti – librat do të hidhen në kosh plehrash, apo në stoqe do të ndizen si gjethet e thata të vjeshtës!
A nuk flet ky gjest për një bashkëpjesëmarrje të bibliotekës popullore në krim! Pse mos të pranohen të gjitha titujt, të seleksionohen dhe, sipas listave të hartuara paraprakisht, të shpërndahen atje ku është nevoja. Kjo punë nuk do më shumë se 4-5 ditë kohë! Por, ja që pasiviteti i tërësishëm i nëpunësve të bibliotekave, sjellja nonshalante e institucioneve shtetërore e publike ndaj librit, mosnxitja e leximit, gjitha këto ndikojnë që edhe trashëgimtarët e bibliotekave të sillen njësoj si institucionet shtetërore. Në parantezë shtrohet pyetja: ç’do të bëhej sikur burgjet të deklaroheshin se për shkak të mbingarkesës me të burgosur, kanë sjellë rregullore që mos të pranojnë më asnjë kriminel!
Trendi i donimit të bibliotekave shtëpiake në bibliotekat popullore e universitare, do të jetë gjithnjë e më shumë në rritje. Shtëpitë po ngelin me nga dy-tre libra si dekor muri. Bibliotekat duet të ndërgjegjësohen për këtë rrjedhë të librit drejt tyre, prandaj duhet t’ia mendojnë themelimit të sektorëve të veçantë si dhe të kërkojnë hapësira enks për bibliotekat shtëpiake që po sillen, madje gratis, në institucionet nacionale. Bibliotekat nuk janë për refuzimin e librit, por për sistemimin e librit.
Të gjitha ato biblioteka që kanë rregullore të atilla për të pranuar vetëm tituj që u mungojnë bibliotekave popullore e universitare, kurse të tjerët të refuzohen, duhet të kuptojnë se po përfshihen në shkaktimin e një fatkeqësie të madhe për librin. Bibliotekat duhet të kenë edhe mjetet transportuese si dhe buxhetin vjetor të posaçëm dedikuar shpërndarjes së titujve që i kanë në më shumë ekzemplarë, në çdo bibliotekë të institucioneve e enteve që kanë nevojë për libra! Kur libri shpërndahet dhe dhurohet nga institucioni i librit, merr tjetër peshë! /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Biografi për të famshmin Ali Pashë Tepelena

Nga Aurenc Bebja/ “La Quotidienne” ka botuar, të shtunën e 29 nëntorit…

Aktivitetet kulturore si “humanitet”

Midis nesh Në bazë të analizave sipërfaqësore (sepse analizat e thella janë…

Midis nesh / MBI PËRKTHIMIN DHE PËRKTHYESIT

Pse Ministria e Kulturës së RMV-së nuk e bën publike (nëse e…

HEJZA: Bisedë me Nora Halimin, disenjatore: TRAJEKTORJA E ZHVILLIMIT TË ARTIT KA LËNË PAS SHUMË STACIONE

Nora Halimi është artiste dhe pedagoge në Fakultetin e Arteve në Universitetin…