Midis nesh

Në Maqedoninë e Veriut ka vite e vite që konstatohen defekte serioze në tekstet shkollore për nxënësit shqiptarë. Vit pas viti shpërthen nga një skandal që zgjat dy – tre ditë dhe pastaj gjithçka heshtet.
Vit pas viti, sidomos në librat e historisë (të përkthyera nga maqedonishtja) konstatohen lëshime serioze me shumë të pavërteta, sidomos në raport me shqiptarët.
Historianët maqedonas akoma vuajnë nga recidivet e së kaluarës, por edhe nga ndikimi i historisë serbe, e cila, kur bëhet fjalë për shqiptarët, apriori dihet se çfarë gënjeshtra mund të prodhojë.
Vit pas viti premtohet se këto tekste do të pastrohen nga referencat antishqiptare, por, megjithatë, vit pas viti mbetet të dëgjohet i njëjtë refren. Në vazhdimësi në Ministrinë e Arsimit, përkatësisht në vende udhëheqëse, pati dhe ka edhe përfaqësues shqiptarë (ministra, zëvendësministra etj.), por ja që gjendja sikur nuk ndryshon fare.
Është një fakt i pamohueshëm, por edhe për keqardhje: përfaqësuesit shqiptarë në pushtet fare pak u kushtojnë rëndësi çështjeve që ndërlidhen me arsimin, por edhe me kulturën, duke lejuar që gjithnjë shqiptarët të jenë palë e dëmtuar.
Gjithashtu, është fakt i pamohueshëm se edhe inteligjencia shqiptare është në një gjumë të thellë, sepse po të ishte zgjuar do të organizonte ndonjë debat apo së paku do të hartonin ndonjë reagim, qoftë edhe me dy-tri fjali.
Kanë kaluar më shumë se dhjetë vjet që kur shpërtheu skandali me Enciklopedinë maqedonase, e cila ishte e mbushur me helm e vrer kundër shqiptarëve. Ndonëse atëbotë u premtua se kjo Enciklopedi do të botohet rishtas dhe se do të eliminohen zërat antishqiptare, megjithatë çdo gjë mbeti vetëm në rrafshin e premtimit, duke u mbuluar me pluhurin e harresës, pavarësisht faktit se ajo Enciklopedi edhe sot e kësaj dite e bën jetën e saj, thua se asgjë nuk ndodhi.
Prandaj, edhe skandali me librin e historisë për klasat e gjashta, nuk duhet të na habisë, sepse lëshimet e tilla janë të pritshme dhe do të jenë prezent edhe në të ardhmen përderisa nuk i nënshtrohet një trajtimi serioz.
Një gjë duhet të jetë e qartë për te gjithë: shqiptarët, pavarësisht se ku jetojnë, kanë një histori dhe ata duhet ta mësojnë atë histori, e cila është e tyre dhe jo të merren me histori të huaja, që nuk u hyn fare në punë.
Janë krejt të natyrshme përpjekjet që nxënësit shqiptarë të kenë një abetare, një libër për gjuhën, për letërsinë, për historinë, për muzikën, sepse pikërisht këto lëndë janë baza e identiteti kombëtar.
Këto çështje duhet të diskutohen seriozisht, kurse ata pak shqiptarë, emrat e të cilëve figurojnë nëpër ato tekste problemore, duhet publikisht të distancohen nga përmbajtja e teksteve të tilla shkollore.
Por, tash për tash një gjë është e sigurt: edhe ky skandal pas disa ditëve do të harrohet…
/HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Nëse do të ekzistonte…

Irma Kurti për kritikën letrare (Enkas për Hejza-n)Nëse do të ekzistonte kritika…

Të rinjtë dhe kultura

Midis nesh Nëse të rinjtë tanë i pyet sot se çka është…

Çka ndodhë kur pushteti e kruan me artistët

Letër nga Tirana Kohë më parë, me vendim të Qeverisë shqiptare, u…

Liria krijuese që falë përjetësinë

AVNI HALIMI, për frymëzimin, procesin krijues, kohën… Krijuesi i Parë tashmë kishte…

Letër nga Prishtina / PËRTEJ MULTI-KULTIT

Nuk pati Evopë të sigurt derisa populli gjerman nuk u denazifikua plotësisht!…