Libraria Nobel në Shkup në prag të mbylljes!

Shqiptarët në Shkup edhe një herë dëshmua se kanë nevojë vetëm për simit pogaçe, byrek, gjevrekë e çaj rusi.
Shqiptarët e Shkupit, që dikur ishte qyteti me më shumë shqiptarë (më shumë se edhe Tirana), kanë një Universitet (Nënë Tereza), disa drejtime të disperzuara të UEJL (Universiteti i Evropës Juglindore), një Katedër të Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare, kanë Institutin e Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore, teatro, shumë shkolla fillore e të mesme, me qindra e qindra arsimtarë e profesorë shqiptarë, me mijëra të punësuar shqiptarë në administratën shtetërore, disa shtëpi botuese, por ka edhe shkrimtarë e “shkrimtarë”. Por jo që askush nuk brengoset fare për atë që është shpirtërore, për kulturën, artin e letërsinë.
Duket se kemi të bëjmë me zombët modern, të cilëve që moti ka filluar t’u ndryshket identiteti kombëtar. Ndaj dhe paralajmërimi i mbylljes së Librarisë NOBEL, një librari vërtet model, një librari në të cilën u investua shumë, nuk duhet të na befasojë fare, edhe pse në planin kulturor nxjerr në pah injorancën totale të shoqërisë shqiptare në Maqedoni.
Fatkeqësisht, Libraria NOBEL, e vetmja në Shkup, do të jetë jo vetëm një tregim i shkurtër, por që pati edhe jetë shumë të shkurtër ( u hap në janar të këtij viti). Megjithatë, për dallim prej shqiptarëve të Shkupit që nuk e dinë as vetë se pse jetojnë gjatë, jeta e shkurtër e NOBEL-it ishte me dinjitet dhe me përmbajtje.
Natyrisht, kjo mbyllje e dritares së librit, nuk do ta shqetësojë askënd. Në fakt, do të shqetësohet vetëm krimbi, sepse nuk do të ketë ndërgjegje shqiptare për ta “brejtur”, për ta zgjuar dikë nga letargjia, e cila tani do të jetë akoma më e thellë.
Shqiptarët në Shkup, pse jo edhe më gjerë, ndoshta kurrë nuk do ta kuptojnë një thënie brilante për librin të Mark Tuenit: “Miq të mirë, libra të mirë dhe ndërgjegje e qetë: kjo është jeta ideale”. Nuk do ta kuptojnë se “idealen e jetës” së tyre e ndërtojnë mbi parimet e analfabetizmit dhe injorancës, mbi filozofinë e çoroditur: “barkun plot, e trurin bosh”.
Pavarësisht se kemi shumë libra e pak kohë, kjo shumësi nuk gjen zbatim në teprimin e kohës së shqiptarëve, ndaj dhe askush nuk duhet të habitet se pse nuk mbyllen çajtoret e tymosura në çdo rrugë të shqiptarëve, sepse vetëm në këto hapësira përplot nikotinë koha harxhohet midis fytyrave të lumtur dhe debateve të llojit: “a e bëri pula vezën, apo veza pulën”!
Duket se shqiptarët e kryeqytetit të dikurshëm të Vilajetit të Kosovës, pra Shkupit (1893 – 1912), nuk e dinë se libri është drita që na udhëheq drejt qytetërimit.
Mbyllja e Librarisë NOBEL është edhe një disfatë e madh në rrafshin kulturor, ndonëse janë me mijëra e mijëra shqiptarë, të cilët as që e kanë ditur se në Shkup ka pasur librari.
E po, pa librari jetohet lehtë, por pa simit pogaçe, byrek, gjevrek e çaj rusi assesi. Kjo është zgjedhja e shqiptarëve të Shkupit dhe më gjerë, të cilëve, për asgjë që ka të bëjë me identitetin kombëtar, nuk u shqetësohet as qerpiku i syrit….
Çka ishte mjerimi sipas Migjenit…!?

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Koalicioni me Bdi-në, fundi i epokës së Lsdm-së në pozitë

Nga Suat Idrizi / Duket qartë se ky koalicion me Bdi-në, Lsdm-në…

Ripostim me shkas: Nën llupë mjekët e inkriminuar!

(Gazeta ditore ZËRI, datë 8.08.2014) Situata është identike edhe pas 5 viteve!…

Kurti flet për herë të parë pasi Kosova nuk u ftua në Samitin për Demokraci

Kryeministri i vendit, Albin Kurti është deklaruar për herë të parë pasi…