Letër nga Kruja

Ngjeshmëria gjinore është një prej kritereve më të rëndësishëm në ditët e sotme që flet mbi shkallën e civilizimit të një shoqërie bashkëkohore. Jo rastësish kërkohet që në çdo pushtet, si në vertikale ashtu edhe në horizontale, të rritet përfshirja e gjinisë femërore. Legjislativi shqiptar, sidomos ekzekutivi, mund të llogaritet si një prej qeverive që ka dëshmuar ndjeshmëri gjinore më të lartë, madje edhe se shtetet perëndimore me një demokraci e civilizim shekullor. Në media, nëpër institucione të ndryshme nacionale, prezenca e gjinisë femërore mund të llogaritet si shumë e kënaqshme! Por, si është puna me gratë, të rejat, vajzat që jetojnë nëpër zona të ndryshme, jashtë kryeqendrave, të vetë-organizuara e që zhvillojnë biznese familjare, por që nuk e ndjejnë as përkrahjen dhe as kujdesin institucional!
Këto ditë doli një statistikë mjaftë mbresëlënëse! Në Krujë, rreth 70% e grave të punësuara në këtë qytet qenkan në sektorin e artizanatit dhe rreth 40% e bizneseve në fushën e zejtarisë drejtohen nga gratë. Sektori i artizanatit, gjithandej në trevat shqiptare, nuk është ndonjë sektor që ka vëmendjen e institucioneve shtetërore. Është një veprimtari që kryhet pa kurrfarë përkrahje institucionale, por, diku nga halli, diku nga dëshira e madhe për t’u marrë me veprimtari artizanale e diku nga dëshira për ta lënë trashëgimi zanatin te pasardhësit në familje! Natyrisht, Çarshia e Vjetër e Krujës gëlon nga këto gra që përkujdesen për prodhime artizanale që janë pjesë e kulturës sonë etnografike dhe jo vetëm! Pa dyshim, veprimtaria artizanale ka rëndësi të madhe ekonomike gjithandej ku zhvillohet ky sektor, në veçanti për gratë dhe fuqizimin ekonomik të tyre.
Meqenëse ky sektor është “një platformë” e jashtëzakonshme që ofron informacione burimore mbi kulturën popullore dhe mbi etnografinë tonë kombëtare, do të ishte shumë i rëndësishëm angazhimi i qeverive shqiptare si dhe i faktorëve politik të viseve etnike shqiptare që ta promovonin, ta stimulonin dhe ta përkrahnin në çdo aspekt ngjalljen e artizanatit autokton në çdo cep ku jetojnë shqiptarët, ku është ruajtur tradita, ku akoma jetojnë mjeshtrit e artizanatit shqiptar. Veç kësaj, meqë tashmë mjeshtër të shumtë kanë vendosur që të zhvillojnë ekonominë familjare, por edhe të vendeve ku veprojnë, është jetike që qeveritë shqiptare (Shqipëri, Kosovë, dhe faktorët politik të viseve etnike) urgjentisht të angazhohen për themelimin e një Qendre Shqiptare për Zhvillim të Artizanatit, e cila nuk do të merrej vetëm me nxitje dhe me promovim të aktiviteteve dhe produkteve artizanale gjithandej trojeve shqiptare, por tashmë është nevojë imediate që të kemi edhe mbikëqyrje kombëtare, institucionale, të artizanatit! Qendra të angazhojë ekspertë nga lëmi i etnografisë dhe antropologjisë, me qëllim të ruajtjes së elementeve origjinale në çdo produkt që del nga dora e vyer e artizanateve tona dhe nga mjeshtrit prodhues të veglave prej druri, prej guri etj. Jo të gjitha artizanatet kanë njohuri etnografike mbi origjinalitetin e asaj që e prodhojnë dhe, për pasojë, në shumë raste shohim produkte që më tepër shprehin “fantazi” të artizanates se sa që është krijim me të gjitha elementet burimore! Një Qendër e tillë, si institucion nacional, jo vetëm që do të duhej të organizonte kurse e ligjërata të ndryshme profesionale për çdo fushë të artizanatit, jo vetëm që do të mbante evidencë për çdo punëtori e mjeshtër të artizanatit që i lejohet të nxjerrë në qarkullim vepra artizanale, por mbi të gjitha, profesionalisht do ta mbronte çdo produkt që ka një histori të veçantë popullore. Natyrisht, Qendra do të merrej edhe me patentimin e punimeve si dhe me mbrojtjen e pronës industriale-artizanale si dhe të të drejtave autoriale për produktet që mund të reprodukohen pa sens e për përfitim mbi kurriz të krijuesve artizanal! Tezgjahu, llojet e veshjeve popullore, me të gjitha elementet përcjellës, si dhe veglat e ndryshëm prej druri, duhet të jenë pandashëm objekte vështrimi dhe kujdesi i kësaj Qendre kombëtare të domosdoshme për sektorin e artizanatit, të zejtarisë si dhe për përgatitjen e brezit të ri të artizanëve përmes transferimit të njohurive dhe aftësive te të rinjtë dhe të rejat tona. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

NUK BËJMË ASGJË PËR TEATRIN

HEJZA me Afeida Boriçi Memetin, regjisore Afeida Boriçi Memeti u diplomua në…

“Veprat” kopile!

Midis nesh Jo një herë është përfolur se disa vepra relativisht të…

Letër nga Shkupi / MANIPULIMET PARTIAKE DHE LAVDËRIMET BOSHE

Ministria e Kulturës është një prej dikastereve më të ndjeshme ku për…

Diletantizëm në emër të identitetit kulturor

Metodën komuniste pesëdhjetëvjeçare për ta shtrirë zhvillimin kulturor shqiptar vetëm në tri…