Një ish-nxënësi im, tani student, më shkruante një ditë një mesazh në celular ku më kërkonte një mendim për një problem personal. Mezi e lexova mesazhin, pasi shkrimi i tij ishte plot gabime të shumta ortografike. Mjaft fjalë ishin në dialektin e Veriut, nga ai ka origjinën. Në çdo fjali pothuajse kishte fjalë të shkruara gabim, pa llogaritur që shenjat e pikësimit nuk i përdorte fare. Të gjitha fjalët e gjinisë femërore, në trajtë të pashquar, i kishte shkruar pa “ë” fundore, si pun, dor, tem, etj. Pa llogaritur që ndërtimi sintaksor i fjalive ishte i parregullt. Përshtypje më bëri gjithashtu shkurtimi i pavend i disa fjalëve që nuk mund të shkurtohen, si p. sh. “flm, klm, bnm” etj, të cilat sipas tij shprehnin fjalët “faleminderit, e kalofsh mirë, bëfsh natën e mirë”. E mora në telefon dhe i fola ashpër. Ai nuk ka qenë ndonjë nxënës i mirë për të vazhduar universitetin, por ama jo të arrinte deri aty, sa të mos njohë gjuhën e mëmës, me të cilën është rritur. “E ç’rëndësi ka shkrimi profesor, ma ktheu. Mjafton ta kuptosh thelbin e mesazhit. Unë di dy gjuhë të huaja dhe e kam kulturën e nevojshme për të kuptuar aktualitetin në të cilin jetojmë”. E kujt i duhen gjuhët e huaja, kur nuk di gjuhën tënde!? Çdo shqiptar që nuk zotëron mirë gjuhën e nënës, nuk mund të quhet njeri i ditur. Nuk themi që gjuha shqipe të zotërohet në thellësi, në tërë rregullat gramatikore dhe funksionet sintaksore të saj, por ama ta shkruash drejt atë është detyrim i çdo shqiptari, sidomos i shkollarëve dhe punonjësve të administratës. Sipas rregullave të drejtshkrimit, jo çdo fjalë apo përshëndetje mund të shkurtohen sipas tekave apo kohës që ke në dispozicion. Fjalë që shkurtohen sipas drejtshkrimit janë : p. sh, b. f, d. m. th., e, r., etj., k/ministër, zv/drejtor etj. Data dhe muaji janë më të përdorshmet, sidomos nga zyrtarët, por ka raste që ato shkruhen gabim në shkresat që qarkullojnë. P. sh, është gabim të shkruhet data me fraksion 08/02/2021, apo me vizë ndarëse, 08-02-2021, por vetëm me pikë 08. 02. 2021, ose shkruhet muaj i plotë, 08 shkurt 2021. Toleranca në shkrimin e gjuhës, ka bërë jo vetëm që të deformohen rregullat e vendosura nga Kongresi i Drejtshkrimit, por edhe të mos përcillet saktësisht kuptimi. Më ndodhi një ditë të takoja një plak, i cili tek kthesa e Sanatoriumit po priste autobusin e linjës që shkonte për në Gurrë. Autobuzi kaloi pak minuta më parë, por i moshuari, nuk e kishte kuptuar, pasi tabela që kishte vënë shoferi ishte shkruar gabim, Gurr, pa “ë” fundore. Ngaqë edhe “G” ishte shkruar si “C”, dhe plaku i gjorë e kishte lexuar atë si “Curr”! Tolerancën në drejtshkrimin e shqipes e ka favorizuar edhe qëndrimet e luhatura që po mbahen ndaj Kongresit të Drejtshkrimit, që u mbajt më 25 nëntor 1972. Po thuajse ai Kongres po hidhet poshtë gradualisht dhe disa jo vetëm njerëzit e zakonshëm po shkruajnë në dialektin e tyre, por edhe disa profesorë të vjetër po preferojnë tani të shkruajnë në gegërisht. Nuk është vendi këtu të diskutojmë vlerat e gegërishtes apo toskërishtes, në raport me njëra-tjetrën, por ama vendimet e një kongresi janë detyrimisht të zbatueshme për të gjithë përdoruesit e shqipes, derisa të mbahet një kongres tjetër që të hedhë poshtë vendimet e tij. Nëse në shkolla do të vazhdojmë të shkruajmë sipas dialektit ku banojmë, atëherë gjuha kombëtare shqipe që është një, do të copëtohet dhe nxënësi i Veriut nuk do të merret vesh me atë të Jugut. Gjuha shqipe masakrohet barbarisht në komunikimet elektronike në rrjetet sociale, ku ndesh me shumicë shkrime të pakuptueshme, ngaqë janë shkruar në dialekt dhe pa asnjë rregull drejtshkrimor. Po japim dy shembuj të nxjerra nga i njëjti rrjet social: “Nuk ka je ka sheh se ç’bohet, apo s’doni me m’gju mu? Spona qudit hiq kjo er e ftot qi fren kunra kangtares, jena msu mo me kta gjana. ” Dhe tjetri: “Kta jan kafsh ene dun fut nburgt se jan msue me dhun si qen tlshum prej sinzhiri”. Vështirë se i kupton një i dialektit tjetër, edhe sikur t’i lexojë dhjetra herë. Nëse secili do ta shkruajë fjalën sipas dialektit të tij, apo do ta shkurtojë atë sipas tekave, atëherë këtu do të kemi një bastardim të plotë të gjuhës dhe nuk do të kemi komunikimin e duhur. Gjuha kombëtare e njësuar në gjuhë letrare, është një arritje e madhe e shkencës dhe kulturës sonë, ndaj askujt nuk i lejohet të abuzojë me të. Kur respekton gjuhën tënde, ke respektuar popullin dhe traditën e tij, ndaj Gotfrid Vilhelm Lajbnici, filozof dhe shkencëtar i shquar, ka thënë: “Më jepni një palë shkronjëza të mira, t’u jap një gjuhë fort të mirë, më jepni një gjuhë të mire, që t’ju jap një civilizim fort të mirë”. Të shkruash e të shprehësh bukur gjuhën e mëmës, nuk është thjesht zotërim njohurish, por në radhë të parë patriotizëm.(sot.com.al)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Ku jeni “komandanta” të 2001-shit, pse po heshtni për komandant Sokolin!

Nuzemedin Imeri / Vëllezër e Motra, Të dashur bashkëkombës, të flasësh për…

“Grupi i Kumanovës” ri-dënohet me aminin e Ali Ahmetit

“Rasti i Kumanovës” në fakt është varri moral i BDI-së dhe oqeani…

Xhaferi: Nesër në xhami do vinë politikanët kriminelë, dhe hoxhallarët që heshtin para të keqes

Arianit Xhaferi Mendojeni pak o njerëz të mirë, Nesër do vinë në…

Fituesit e zgjedhjeve në Kosovë po e përkrahin Selën dhe Gashin, humbësit po e përkrahin Ahmetin dhe Musa Xhaferin

Ylber Pilku /Nëse bëjmë një paralele shumë lehtë do ta konstatojmë se…

Kush është spiuni i UDB-së serbe me nofkën “Novinar”?

SHKRUAN: RESHAT BADALLAJZHURIANI Serbosllavia në tërë Ballkanin ka zbarkuar jo më pak…