Midis nesh

Decentralizimi i teatrit nënkupton idenë e themelimit të “teatrit për vegjëlinë shqiptar”, apo, të paktën, këto që i kemi le t’ua kthejmë vegjëlisë, sepse kjo është ajo që i mbanë me frymë këto institucione duke hequr nga kafshata e gojës, si taksë, për këto institucione

Teatrologët vlerësojnë se teatri është një vend i mrekullueshëm për edukim publik. Kjo teori, natyrisht, ka historikun e vet dhe lidhet që nga shfaqjet e para në antikitet, përgjatë shekullit XVI, periudhë kjo më e errët e teatrit, sidomos në “tokat mbretërore”, e deri në ditët e sotme. “Mësuesi” i këtij edukimi publik na del katarsisi aristotelian!
Periudhë të rëndë të teatrit historia njeh shekullin XVI e deri në fillim të shekullit XIX, kur në mesin e artdashësve të asaj periudhe do të lindë ideja e “teatrit për njerëz”, ikje nga klishetë oborrtare që i diktonin pushtetet mbretërore. Kjo ide për një “teatër për njerëzit” u përhap sidomos pas botimit të librit Le Théâtre du peuple (Teatri i njerëzve), nga romancieri dhe dramaturgu Romain Rolland, botuar në vitin 1903. Kjo ide, në fakt, do të paraqesë nismën e decentralizimit gjeografik të teatrit që do të fillojë në Francë e me qëllim të tërheqjes së një audience të re përgjatë spektrit social.
Natyrisht, këtij procesi do t’ia japë një shtysë të madhe heroi i teatrit modern, Firmin Gémier, i cili, në historinë e teatrit do të ngelë si këmbëngulësi unikal për tërheqjen e publikut dhe për rritjen e tij. Përmes këtij procesi Gémier synonte që ta sensibilizojë pushtetin dhe prej tij të tërhiqte fonde dhe teatrot sërish ta merrnin dimensionin e institucionit nacional. Fillimisht, Gémier tërhoqi fonde private dhe inauguroi teatrin e tij, Théâtre National Ambulant më 1911. Pra, ai do të nis me “teatrin lëvizë”, do t’i shkojë me shfaqje edhe publikut provincial, publikut që nuk e kishte luksin për të zbritur në qendra ku funksiononin trupat teatrore. Tetë traktorë me motor me avull tërhiqnin një karvan prej tridhjetë e shtatë rimorkio, të cilat transportonin dekoret, kostumet, pajisjet e ndriçimit, gjeneratorët elektrik, vendet për 1,650 njerëz, skena portative dhe harqe paraskenike dhe një tendë me mur dysh – të mbajtura nga pesë kulla çeliku shtatëmbëdhjetë metra të gjata – që rrethonin skenën dhe sallën.
Le të konsiderohet kjo copëz teksti si parantezë për të shtruar pyetjen: sot, çka po ndodhë me teatrot tona nacionale, me aktorët tanë të mrekullueshëm, me publikun tonë të etur për shfaqje teatrale!
Kemi 20-30-40, plotë teatro, me një repertor vjetor prej nja, të themi, 100 shfaqje. Të gjitha këta shfaqje organizohen për pushtetin, për njerëzit e pushtetit qendror e lokal, për t’i kënaqur ata dhe për t’i bindur se nuk kanë gabuar që i kanë subvencionuar dhe, me këtë, t’ua heqin të gjitha dilemat për ndarje të buxhetit për vitet që vijnë! Këtu merr fund puna e teatrove, që aktualisht funksionojnë vetëm sa për t’i shfaqur premierat para pushtetarëve! Kemi edhe dhjetëra manifestime e festivale teatrale, me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar! Numri i spektatorëve që ndjek një festival 3-4 ditësh nuk është më i madh se 50-100 vetë. Madje, mund të ndodhë që në qendrën ku organizohet ky manifestim të jetojnë 100-200 aktorë, regjisorë, producentë e persona teknikë që punojnë nëpër teatro dhe asnjë prej tyre të mos duket fare në këto manifestime!
Natyrisht, kjo politik ka ndikuar që, jo vetëm të kemi aktor që merr rrogë, ndërkohë që në skenë, përgjatë karrierës së vet, nuk është ngjitur më shumë se dy-tri herë, jo vetëm të kemi teatro parazitë, jo vetëm të kemi aktorë vegjetues nëpër objekte teatrore, jo vetë të kemi teatro të partizuara e që i dedikohen pushteteve, por kemi edhe teatro tërësisht pa publik! Në botë kemi teatro që në repertorin e vet e kanë vetëm një shfaqje që e japin çdo ditë, kemi teatro që kanë repertor prej qindra shfaqjeve, të cilat jepen çdo ditë dhe çdo shfaqje ndiqet nga publiku që mbushë teatrot.
Decentralizimi i teatrit nënkupton idenë e themelimit të “teatrit për vegjëlinë shqiptar”, apo të paktën, këto që i kemi le t’ua kthejmë vegjëlisë, sepse kjo është ajo që i mbanë me frymë këto institucione, duke hequr nga kafshata e gojës, si taksë, për këto institucione. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

TË SHKRUARIT E LETËRSISË ËSHTË NJË PROCES I NDËRLIKUAR

HEJZA me Gëzim Aliun, shkrimtar dhe studiues Gëzim Aliu (1977) është shkrimtar,…

Regjisori i kyçur në harrim

Letër nga Shkupi Ahmet Jakupi është regjisor (nga ata regjisorët profesionistë të…

Hyzmeqarët me pena

Midis nesh Faik Konica në një shkrim të tij të vitit 1923…

Kombëtarja si kategori estetike

Midis nesh A mund të dëshmohet madhështia krijuese, a mund të shprehet…