Me Dritëro Amen, aktor

Dritëro Ame u lind në Dibër. Hapat e parë në teatër i fillon në vendlindje, me disa shfaqje amatore. Studioji në Universitetin e Tetovës, në degën e Fakultetit të Artit Dramatik-Aktrim. Në vitin 2008 punësohet në Teatrin e Tetovës ku punon deri në vitin 2011 dhe më pastaj transferohet në Teatrin Shqiptar në Shkup. Deri më tani ka realizuar rreth 30 role në shfaqje të ndryshme. Është paraqitur edhe në disa seriale televizive, por edhe në disa filma. Është autor i emisioneve televizive:“A e dini se”, “Taxi kuizi”, “Taxirahat”, “Çirak”, “BlackBox”.

HEJZA: Cili është qëndrimi ynë (si qenie shoqërore, kulturore dhe, mbi të gjitha, politike) për aktorin dhe lojën aktoreske! Çka do të thotë aktor për komunitetin publik të Teatrit e çka për komunitetin politik që vendos për Teatrin?

AME: Them që për komunitetin publik të teatrit ne jemi pasqyra e realitetit në të cilin ata jetojnë, hallet dhe problemet e tyre i shohin në skenë, te veshura në trupin tonë. Kurse komuniteti politik na sheh si rivalë, si opozitë e përhershme që nxjerrë në pah atë që duan ta fshehin ata.

HEJZA: Çka do të thotë të jesh aktor? Cili është raporti i shoqërisë sonë ndaj aktorit! Cili është mendimi i aktorit mbi aktorin?

AME: Fatkeqësisht, akoma shoqëria jonë e gjerë aktorin e sheh si individ që vështirësinë më të madhe të punës së tij ka “mësimin e tekstit”. Ndoshta është pak edhe faji ynë, sepse nuk kemi arritur që të depërtojmë te masa jonë vetëm me rolet në të cilat japim shpirtin dhe tjetërsohemi në teatër. Por, shkaku i kushteve detyrohemi që krahas punës kryesore të bëjmë edhe rolin e dublantit (sinkronizuesit) apo rolin e gaztorit në seriale të ndryshme. Publiku i gjerë krijon perceptim lehtësues në raport me peshën e vërtetë të aktorit. Kështu, ulim nivelin e perceptimit për krijimin shpirtëror që e bëjmë me rolet tona në teatër apo film.

HEJZA: Aktori i teatrit dhe ai i filmit të përbashkët kanë lojën! Ku është më e trishtë kjo lojë: në skenë apo në sheshin e xhirimit?

AME: Nuk mund t’i ndaj në cila është më e trishtë, sepse kjo më shumë varet nga vepra apo skenari. Megjithatë, lojën në teatër do ta veçoja si më të gjallë. Sepse në teatër ne jemi aty shpirtërisht pranë njëri tjetrit me publikun. Kurse në film na ndan ose na bashkon ekrani.

HEJZA: Si duhet të jetë respekti ndaj aktorit! Si duket ai në vendet ku teatrot llogariten si “Shtëpie Perëndie”?

AME: Dua të kujtoj një shprehje të autorit dhe dramaturgut të madh Artur Miler, i cili thotë:”aktori është motori i një vepre e cila shfaqet në skenë”. Kështu që aktori vërtetë meriton të jetë në Piedestal. Ashtu siç Bota e trajton këtë kategori profesioni.

HEJZA: Pse dramat e autorëve shqiptarë nuk merren fare në konsideratë nga teatrot tona. A do të thotë kjo se me autorë të huaj do ta përforcojmë identitetin e Teatrit shqiptar?

AME: Dramaturgjia si fushë më shumë i takon letërsisë. Duhet ta pranojmë që ne si shqiptarë nuk kemi investuar sa duhet në krijimin e dramaturgut të specializuar në këtë fushë. Sot dramaturgjia nuk është vetëm fushë që mjafton të kesh talent për të shkruar. Por, ashtu si aktrimi apo regjia, duhet të kalosh edhe në një cikël studimesh për të perfeksionuar veten. Kështu që deri sa të arrijmë të kemi më shumë dramaturg të specializuar, nuk do arrijmë dot t’ju shmangemi autorëve të huaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Mbi origjinën ilire të gjuhës shqipe

Kumtesa e mbajtur në vitin 1982 në Beograd nga dr. Idriz Ajeti,…

Shqiptari Fetah Efendiu sipas dokumenteve të UDB-ës jugosllave

Pas vdekjes së Ataullah Hoxhës (dhjetor të vitit 1946), për udhëheqës të…

VIDEO / Doktori i njohur: Ja e vërteta që po na fshihet pas koronavirusit

Shiva Ayyadurai, i njohur nga të gjithë si Doktor Shiva, është një…

Mohamed Salmawy: Një film për mbretin shqiptar të Egjiptit, Mohamed Ali

Më shumë se 3 shekuj më parë, një familje nga Zëmblaku i…

Biografi për të famshmin Ali Pashë Tepelena

Nga Aurenc Bebja/ “La Quotidienne” ka botuar, të shtunën e 29 nëntorit…