ARBËR SELMANI për veprën në proces


Para pak javësh, përshkuar prej një puhize që veç Prishtina e ka, unë e kam promovuar librin tim të katërt, të dytin me poezi e prozë poetike, titulluar ’48 piano’. I lirova në ajrin e botës 48 piano të munguara tash e 17 vjet, 48 shkrime në të cilat flasin të gjithë individët që jetojnë brenda meje, jashtë margjinave, jashtë ndërtimeve shoqërore, të revoltuar deri në palcë. Po i shijoj edhe unë, edhe lexuesi shqiptar, këto copëza në të cilat e kam humbur veten, si të ishin të fundit frazë që do t`i krijoja.
*
Vepra në proces? Nuk e ndjej se shkruaj për të përthekuar një vepër, së paku jo me vetëdije të plotë. Nëpër vite, përjashto bllokadat krijuese dhe ato momentet kur jam shumë keq emocionalisht sa nuk e artikuloj dot asnjë rresht, kam shkruar pa idenë e një vepre, kam shkruar më shumë për ta larguar inatin që jeton si tis i vogël, por shumë problematik, në mua, në qenien time. Po shkruaj poezi, sepse aty e bëj gjumin më të parehatshëm, dhe kjo më pëlqen, më ngacmon tmerrësisht shumë; nëpër vite ka qenë poezia ajo që më ka shpëtuar, më ka lodhur, më ka dhënë shuplakën më të fortë, por edhe më ka ngritur e lartësuar duke nxjerrë prej meje ndjenja të tilla që kanë gjetur qetësi për shumë kohë, por shpërthejnë furishëm në letër. Momentalisht po shkruaj shumë për familjen, për jetën e paplotësuar, për fshatin, gjithmonë I shoqëruar me muzikë. Në veprën time të radhës, e cila shpresoj që nuk do të presë edhe 17 vjet tjera për të dalë në dritë, dua të flas për muzikën, për aktivizmin, për burgun, për nënat, për beharin, për mollët, për njerëzit që duan dëshpërimisht të dëgjohen. Jam gjithmonë në kërkim të stileve të reja të të shkruarit, të shkrirjeve të ndryshme të cilat ma mundësojnë hapjen që dua, mbylljen që dua, dhe vazhdimisht kërkoj nga vetja kreativitet, kërkoj kritikë, kërkoj një sy që sheh përtej ngjyrave, kërkoj të shumëzohem me qindra herë e të dal nga vetja e të tjetërsohem. Letërsia e mirë buron kur nuk ka rëndesa të panevojshme, dhe unë me dashje ose pa dashje, jam diku aty, me shkrimet e mia. Pos poezisë, jam duke e provuar veten në tregime të shkurtra, prozë poetike, në video-poezi, në këngë-poezi, në gjithçka që fjalës i jep fluturim.

(HEJZA)

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Hisni Shaqiri nesër provomon librin “Golgota e shqiptarëve të Maqedonisë”

Nesër do të promovohet libri “Golgota e shqiptarëve të Maqedonisë”, e autorit…

Favorizimet dhe diskriminimi kulturor

Midis nesh Favorizimet kulturore janë dukuri që shprehen si pasojë e urdhrave…

Promovimet tona tragjiko-komike

Midis nesh Është vështirë të jepet një definicion i saktë rreth absurdeve…

Blerja e heshtjes së “intelektualëve”!

Midis nesh Konformizmi i intelektualëve në përgjithësi dhe ai i artistëve në…