Midis nesh

Shoqëria shqiptare në Maqedoninë e Veriut, kur bëhet fjalë për lëmin e artit, ka një mori kontradiktash, të cilat askujt nuk i bën përshtypje, sidomos jo komunitetit të artistëve, shumica e të cilëve shtiren se janë të tillë, pra artistë.
Për shembull, a u brengos dikush nga komuniteti, bie fjala i shkrimtarëve, për mbylljen përfundimisht të librarisë NOBEL? Askush, asnjë fjalë as e shkroi as e tha.
Është vështirë të gjesh ndonjë shkrim të ndonjë shkrimtari të shkruajë për veprën e një shkrimtari tjetër (gjithnjë brenda hapësirës shqiptare në Maqedoninë e Veriut).
Është vështirë të gjesh një shkrim të ndonjë piktori për ekspozitën e kolegut të tij.
Është vështirë të gjesh ndonjë shkrim të ndonjë regjisori për shfaqjen e një regjisori tjetër. Aq më tepër kur dihet se nuk ekziston kritika e mirëfilltë.
Kjo qartë flet për një mohim të njëri tjetrit, për një egoizëm, dyfytyrësi, për mediokritet, për teke, injorancë, por mbi të gjitha për një mbivlerësim të atyre që mendojnë se janë në maje.
Janë po këta individë, shpirtngushtë e qyqarë, që shkojnë në Tiranë e Prishtinë dhe shpërndajnë mjegull, të pavërteta, insinuata pikërisht për ata që vërtet kanë vlera të verifikuara. Prandaj, nuk duhet të habisë askënd ndasia e thellë midis shkrimtarëve, piktorëve, aktorëve e kështu me radhë.
Janë po këta individë që mendojnë se letërsia shqiptare në këtë nën-qiell është ajo që e shkruajnë ata, janë po këta individë që mendojnë se piktura shqiptare identifikohet vetëm me pikturat e tyre, janë po këta individë që mendojnë se zhvillimi i teatrit (më së paku shqiptar) është i mundshëm vetëm me veprat që i vënë ata në skenë.
Ndaj dhe është shumë e natyrshme mospasja debat për mungesën e kritikës letrare, kritikës së pikturës dhe kritikës së dramës. Kur mungojnë këto elemente shumë të rëndësishme që në një mënyrë janë shtylla të zhvillimit të artit, atëherë edhe më tej do të kemi heshtje të plotë (jo kaos) për të gjitha kontradiktat në lëmin e artit, të cilat fatkeqësisht imponojnë pyetjen: çfarë po ndodh me shoqërinë shqiptare në Maqedoninë e Veriut?
/HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Ora ime e prishur

Lazër Stani për kritikën letrare (Posaçërisht për Hejza)Çfarë është kritika letrare? Orvatja,…

Debati si kulturë

Midis nesh Debati është një diskutim intelektual në mes të më shumë…

Shoqatat e shkrimtarëve vetëm në letër

Në vitet 80-ta, Shoqata e Shkrimtarëve të Kosovës do të bëhet epiqendra…

Kritikë e ngulfatur në shund

Midis nesh Pse sot kemi aq shumë nevojë për kritikën, për kritikën…

Kemi dekompozim total të sistemit referencial

Bardhyl Zaimi për kritikën letrare (Enkas për Hejza-n)Ka kohë që jetojmë në…