Midis nesh

Zhvillimet kulturore njohin tri modele esenciale në të cilat janë bazuar politikat kulturore nacionale: modeli shtetëror, parashtetëror dhe liberal, apo: difuzionizmi kulturor, funksionalizmi kulturor dhe markantilizmi kulturor.
Deri në mesin e shekullit XX me zhvillime kulturore janë marrë lloj-lloj subjektesh e institucionesh të kohës, si për shembull, oborret mbretërore, kishat, tregtarët e pasur etj. Për herë të parë, më vitin 1959, nën pushtetin e Sharl de Golit në Paris formohet Ministria e Kulturës me në krye ministrin Andre Marlo dhe zhvillimet kulturore marrin kujdesin dhe organizimin shtetëror. Kjo është periudha kur për herë të parë në fjalorin politik e hasim sintagmën “politika kulturore”, e cila do të mëtojë zhvillimin kulturor të shteteve nacionale si dhe ruajtjen e interesit nacional në kulturë. Natyrisht, në planin transnacional, do ta shtyjë edhe projektin e globalizimit, i cili do t’i japë peshë sidomos ruajtjes dhe kultivimit të diversitetit kulturor.
Modeli i parë kulturor, sipas politikave kulturore Marloiane, bazohet në traditat e shteteve nacionale moderne dhe si mekanizëm kryesore në zhvillimet kulturore parasheh organet dhe institucionet shtetërore. Qëllimi parësor i këtij koncepti është që të krijojë kushte për krijimtari kulturore, e cila do ta përforcojë identitetin kulturor nacional! Pra, këtë model e nisi Franca dhe sot e kanë pjesa dërmuese e shteteve evropiane.
Modeli i dytë kulturor zhvillohet sidomos viteve shtatëdhjetë dhe tetëdhjetë të shekullit XX. Ky model parashihte delegimin e kompetencave te trupat profesionalë (këshilla artistikë), të cilat i cakton shteti, por që nuk drejton me to në mënyrë të drejtë për drejtë (siç është Britania e Madhe). Ky model i zhvillimit kulturor insiston në krijimin e kushteve sa më të mira për një zhvillim kulturor sa më demokratik. Kjo do të arrihet duke përfshirë sa më shumë grupe që përbëjnë mozaikun kulturor në procesin e zhvillimeve artistike, të produksioneve kulturore dhe të aktiviteteve publike.
Dh, modeli i tretë i zhvillimit kulturor është modeli liberal, i cili angazhohet për një neutralitet të shtetit në fushën e kulturës, dhe që zhvillimet kulturore ia lë iniciativave private (siç është në SHBA). Këtu nuk ka as ministër për kulturë dhe as “politika kulturore” të qeverisë! Pra, ky model praktikohet në ato shtete ku kemi një liberalizim të lartë ekonomik në veprimtaritë artistike. Në konceptin e këtyre shteteve prodhimet artistike janë të njëjta me çfarëdo prodhimi tjetër që duhet të jenë të shëndetshëm dhe me leverdi ekonomike si për konsumatorin ashtu edhe për prodhuesin. Suksesi i një filmi vret nga ajo se sa do të përfitohet gjatë shfaqjes së tij brenda një, dy, tri e më shumë jave; suksesi i një libri do të varet nga tirazhi i shitur në një afat rekord; veprat artistike vizuale do të maten me çmimin që kanë pasur nëpër ankande publike etj.
Shtetet e Evropës Juglindore, edhe më tej praktikojnë modelin e parë të zhvillimeve kulturore, i cili bazohet në strategjinë e politikave kulturore. Fatkeqësisht, në mesin e këtyre shteteve edhe më tej vazhdojnë të ngritën politikat kulturore bazuar në “kapacitetet kulturore” që i kanë partitë në pushtet. Sot, shtetet demokratike që e praktikojnë modelin e parë të zhvillimeve kulturore nuk hartojnë politika kulturore e as strategji nacionale pa u bazuar në rezultatet që dalin nga hulumtimet dhe analizat gjithëpërfshirëse mbi nevojat kulturore, participimin në kulturë, sa janë të qëndrueshme institucionet kulturore, cila është ekonomia që gjenerojnë aktivitete kulturore etj. Pra, me politikat kulturor nuk merret vetëm kuadri partiak, por edhe analistët, hulumtuesit, praktikuesit (krijuesit, artistët, menaxherët në kulturë, administratorët etj.) qofshin ata të nivelit lokal, qendror apo edhe ndërkombëtar.
Shembull tipik i politikave kulturore bazuar në hulumtime e në analiza, në përfshirje të shumë aktorëve kulturorë është UNESCO, Këshilli i Evropës, Komisioni Evropian, IFACCA (International Federation of Arts Councils and Culture Agencies), Arts Management Network etj.
Aktualisht, konteksti kulturor i shteteve të Evropës Juglindore (sidomos i shteteve ku jetojnë shqiptarët në viset e tyre etnike) nuk mund të kuptohet i ndarë nga konteksti politik! Këtu kultura është ekskluzivitet i “popullit shtet”, ndërsa “komunitetet politike” vetëm se mund ta lakmojnë dhe ta madhërojnë atë “kulturë shtetërore”! Politikat kulturore bazohen në interesat e ngushta të identitetit nacional dhe nuk shprehin kurrfarë pasqyrimi të nevojave reale, të realitetit shoqëror dhe as të diversitetit kulturor. Këtu kultura e komuniteteve mbahet me serume, sepse dikush ka nevojë edhe për epitetin “humanist kulturor”! Pa dyshim, sado “humanitare e shëndetësore” qofshin këto politika kulturore, megjithatë, ato janë fund e krye “politika kulturore” diskriminues të përshtatshme për politikat kolonialiste. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Përshkrimi i udhëtimit të udhëpërshkruesit të njohur gjerman: Johann Georg von Hahn gjatë vitit 1858, nëpër trevat shqiptare të Leskocit

Serbët e shkruajnë se Hahn, kishte shprehur shumë interesim për ti vizituar…

Vdiq regjisorja Burbuqe Berisha

Ka vdekur në moshën 51-vjeçare regjisorja Burbuqe Berisha, ka konfirmuar drejtori i…

“Përroi i idealit” të një burrneshe

Midis nesh Zakonisht thuhet se nuk jetohet nga ideali, por nga puna!…

Teatri si art dhe si godinë

Midis nesh Teatri është lloj arti, i cili, nga një qendër (le…

Strategjia e diskriminimit kulturor

Në Komisionin parlamentar për kulturë, shpesh u loz loja e njëjtë politike…