Ekskluzive: Intervistë me H. Sulejman ef. Rexhepin, ish-Reisul Ulema i BFI-së

Më 27 maj të vitit 2020, një numër i anëtarëve të Rijasetit të Bashkësisë Fetare Islame, të tubuar diku në Gostivar, para pothuajse të gjitha mediave të vendit, deklamuan: “Bazuar në procesverbalin e mbledhjes së jashtëzakonshme të shumicës së anëtarëve të Rijasetit të BFI-së të mbajtur më 27.05.2020, ne të nënshkruarit më poshtë në bazë të Nenit 36 dhe 58 të Kushtetutës së BFI-së, që e përbëjnë më shumë se 2/3 e anëtarëve të Rijasetit të BFI-së, vendosëm njëzëri shkarkimin e Sulejman Rexhepit nga posti Reisul Ulemasë, kryetar i BFI-së. Deri në përgatitjen e kushteve për zgjedhje të reja, për ushtrues detyre kryetar i BFI-së është caktuar myftiu i Gostivarit, Shaqir Fetahu”!
Redaksia jonë, në prag të njëvjetorit, ka kërkuar nga H. Sulejman ef. Rexhepi, që të mësojë më shumë rreth arsyeve dhe rrethanave që çuan deri te ky gjest tradhëtues e komplotist.

Këto ditë bëhet një vit nga, siç thoni ju, komploti i bashkpunëtorëve të juaj që e ushtruan mbi ju! U tubuan fshehurazi, madje brenda natës dhe, ju shpallën të rrezikshëm sepse ju keni shkelur Nenin 58 të Kushtetutës së BFI-së! Vetëm ky është mëkati? Bashkëpunëtori i ngushtë, miku i mirë, këshillon, sugjeron, korrigjon, apo, dorëhiqet nga bashkëpunimi i mëtejmë dhe, kurrë nuk tradhëton, nuk e shkelë bukën që ta ha, nuk bëhet palë me armikun tënd! Ç’ndodhi në të vërtetë. Kaluan një vit dhe thuaja se asgjë nuk u sqarua?

H. Sulejman Rexhepi

Tani, nga distanca dhe, kur keni kohë të lirë, kur jeni më të relaksuar, më pak i ngarkuar dhe me aspak përgjegjësira që i takojnë prijësit fetar, keni kohë të reflektoni dhe, të përpiqeni që në ato reflektime të jeni sa më objektiv! Po i analizoj dhe po i zbërthej një nga një “bashkëpunëtorët” e mi të dikurshëm, lojërat e tyre në raport me mua, po i lidhi gjërat, po i sjellë në kujtesë ngjarjet, veprimet, përpëlitjet “intelektuale” të tyre, po ua analizoj prejardhjen, shoqërinë, aspiratat, synimet, intrigat, gatishmërinë e tyre për të mëkatuar, mëkatimin e tyre me dëshirën më të madhe, lutjet e tyre për t’i nxjerrë nga situatat e palakmueshme, premtimet e tyre, përbetimet e tyre, kërkesat, insistimet, lajkat dhe servilosjet e tyre për të arritur deri te lidhja me strukturat e ndryshme policore, manipulimet e tyre në emër të islamit dhe, të gjitha këto veprime të turpshme para syve të mi – sakaq, dal unë i dobët, dal unë që duhet të kritikohem, dal unë i mashtruari, i pavëmendshmi! Isha mbështetur në bashkëpunëtorë të kotë, me karakter të dobët, kisha pasur përkrah turpërimin tim, njerëzit që më kishin përdorur si vello për ta veshur tradhëtinë e tyre, bashkpunimin e tyre me shërbimet intelegjente, planin e tyre për ta rrënuar të vetmin Institucion islam që mbi 600 vite u kishte bërë ballë pushtuesve e perandorëve të ndryshëm.

Dëshironi të thoni se, me largimin tuaj mori fund edhe ky Institucion, Bashkësia Fetare Islame?

Jo, ky Institucion gjithnjë ka qenë, është dhe do të jetë nën Mëshirën e të Madhit Zot! Nuk varet as nga shkathtësitë dhe aftësitë e të parit si dhe të nëpunësve të saj, as nga prirja për menaxhim të shkëlqyeshëm, as nga planet dhe strategjitë e shërbimeve të ndryshme antiislame për ta rrënuar përdhe këtë Institucion.
Myslimanët e vendit janë dëshmitarë të gjallë për faktin që, asnjë subjekt, asnjë faktor, asnjë institucion nuk pësoi aq shumë goditje, aq shumë përpjekje për destabilizim dhe rrënim, aq shumë projekte dështuese për të depërtuar në këtë Institucion struktura të padëshirueshme dhe të rrezikshme, pra, nuk ka asnjë Institucion në vend që u sulmua më shumë se Bashkësia Fetare Islame! Tre dekada post-komuniste i rezistuam me sukses, i demaskuam të gjitha përpjekjet e ulëta, i demaskuam dhe i zbrapsëm të gjitha strukturat që insistonin të vënin kontroll dhe dirigjim në Institucionin tonë! Goditjet ishin të njëpasnjëshme! BFI-ja u bë objekt studimi edhe nga faktorë të ndryshëm ndërkombëtarë! Sa më shumë që na sulmonin aq më të fortë dilnim, aq më unikë dhe aq më të përkrahur nga faktori ndërkombëtar! Duhet ta pranojmë një fakt: shqetësuese është se, këto lojëra të strukturave të dyshimta antiislame gjithnjë u luajtën nga “myslimanët” e vendit dhe asnjëherë bartës të këtyre projekteve nuk dolën jo-myslimanët!
Tani, çfarë ndodhi! Tridhjetë vite isha lavdëruar me bashkëpunëtorët e mi, me lojalitetin e tyre, isha mburrur me papërkulshmërinë e tyre, me besnikërinë dhe sinqeritetin e tyre dhe, në fund, pikërisht prej tyre m’u ngul thika pas shpine! Sepse, paskam qenë i keqi, sepse, paskam qenë i mëkatshmi, sakaq, paskam shkelur Nenin 58 të Kushttutës së BFI-së… Po bashkëpunëtorët e mi të cilët, një javë më parë më kishin thurrur aq shumë elozhe në deklarata televizive sa nuk e dija se për kë po flasin, për mua apo për ndonjë figurë historike kombëtare e fetare? Po bashkëpunëtorët e mi të cilët, brenda natës i përgjigjen strukturave të caktuara policore për t’u tubuar dhe për të vepruar ashtu siç do të kërkojë përfaqësuesi i këtyre strukturave, Shaqir Fetai? Ky që më kishte shërbyer gati tre dekada rresht! Tani, të gjithë të dalin të mirë në sy të popullatës dhe vetëm unë të shpallem i keqi, madje prej atyreve që më kanë shërbyer “me besnikëri” dhe, në fund, ta gëzojnë përkrahjen e popullit? Unë kam vizita, kam takime, kam bisedime të përditshme me miq e myslimanë që nuk i njoh por që shprehin interesim për mua dhe, të gjithë më shohin si viktimë të një strategjie të dalur nga strukturat e DBK-së! Ndërsa ish-bashkëpunëtorët e mi, që të gjithë vlerësohen si bashkëpunëtorë të DBK-së, e cila, me një isharet të vogël arrinë që t’i mbledh në Gostivar, këta anëtarët e “Rijasetit”! Këta, që masovikisht dhe tmerrësisht urrehen nga popullata, nuk mund ta shpëtojnë BFI-në, porse, po e fundosin ditë e më shumë, sepse, popullata ka shkëputur kontaktin me ta dhe, kjo shkëputje interpretohet me refuzimin për t’ua mirëmbajtur burimet financiare! Bartësit e një aksioni puçist e komplotist, asnjëherë nuk janë duartrokitur dhe nuk janë pritur me lule. Ata përfundojnë aksionin dhe, me marrjen fund të misionit të tyre, “zhduken”! Dëshmitarët e misioneve të rrezikshme për imazhin e shhtetit nuk janë të dashurit e strukturave sekrete. Spostohen diku, margjinalizohen tërësisht, duke pasur probleme me zemrën, me tensionin, veshkat… Fundi, gjithësesi që, do të jetë tragjik!

Thatë se keni kontakte të shumta me…

Po po! Madje kontaktohem e më vizitojnë edhe ata që u manipuluan dhe morën pjesë në atë komplot që ma bënë! Më vjen vështirë ku i shoh se si përloten e se si mundohen të sigurojnë një falje timen për gabimin e tyre të pafalshëm që e bënë! Më rrëfejnë fije për pe se si ndodhi, kush i thirri, si i thirri, kush i organizoi, si u morën vesh etj.! Të gjithë kanë qenë të shantazhuar! U janë kërcënuar me “bomba”, me video, me dëshmitarë, kanë qenë të kërcënuar që, nëse nuk dëshirojnë të turpërohen publikisht, atëherë duhet të pranojnë që të më turpërojnë mua publikisht!
A ka gjë më të ulët se sa largimi im të justifikohet me faktin që unë paskam shkelur Nenin 58! Dëbohet një mysliman nga një Intitucion apo komunitet nëse e mohon Zotin, nëse publikisht e mohon Kuranin, nëse publikisht gënjen për Pejgamberin a.s., nëse publikisht rreshtohet në anën e “ushtrisë” antiislame! Por, që të dëbohet se paska shkelur këtë nen, ky është budallallëk i të humburve! Ky nen përmbanë pika që nuk mund të shkelen brenda një dite, brenda një nate, por që duhet kohë, vite e vite! Asnjëherë nuk kam pasur vërejtje nga bashkëpunëtorët e mi, asnjëherë nuk kam pasur isharete dhe as sugjerime për t’u korrigjuar në veprime. Përkundrazi, kam qenë i lavdëruar, i duartrokitur, më kanë puthur në ballë e me loçkë të zemrës i janë lutur Zotit që të më japë shëndet e t’ju prijë sa më gjatë! Tani, po të njëjtit, mblidhen brenda natës dhe “më shkarkojnë”! Shantazhi i strukturave intelegjente policore nuk e ka fuqinë e nënshtrimit sa e ka forcën pesha e fjalës së të parit fetar që i merr nën mbrojtje! Me mua, të gjithë ishin faqebardhë, ndërsa tani, fatkeqësisht, të gjithë janë shpërfytyruar në faqezinjë, në bashkëpunëtorë të policisë maqedonase, si të tillë, në antiislamistë e antimyslimanë. Prandaj, çfarëdo të flasin ata, çfarëdo të veprojnë, çfarëdo të premtojnë, janë fare të papërfillshëm nga popullata myslimane, ishin bashkëpunëtorë të mi e të nderuar dhe, sakaq, kaluan në bashkëpunëtorë të strukturave sekrete të sigurisë të cilat garojnë mes vete se cila do të pozicionohet sa më thellë ne BFI.

Keni akuzuar edhe partitë në pushtet, se kanë gisht në shkarkimin tuaj! Si e justifikoni këtë akuzë!

Unë isha mik i ngushtë i shumë personaliteteve të kierarkisë më të lartë të BDI-së. Në dobi të vendit tonë, kam kontribuar me miq e shokë që kanë pasur respekt në mua! Ndërsa kurrë nuk e mora as një përqind të përkrahjes që e pata nga Partia për Prosperiet Demokratik e cila sot nuk ekziston! Kurrë nuk u refuzuam në kërkesat tona nga kjo Parti! Kurrë kjo Parti nuk hezitoi në realizimin e kërkesave tona dhe të premtimeve të saj si subjekt politik, ndonëse kurrë nuk na e pa hajrin si Institucion siç na e pa hajrin BDI-ja. Tronditjet e BFI-së, ato më të rëndat, i përjetuam pikërisht sa ishte BDI-ja në pushtet me LSDM-në, pastaj me VMRO-në dhe përsëri me LSDM, ndërsa përkrahjen tonë e pati gjithnjë të parezervë.
Goditja e fundit, ajo që më tronditi në shpirt e mendje, ishte pikërisht ardhja e “miqve” të mi nga kryesia e kësaj Partie, të cilët m’i përcollën të falurat e liderit të tyre që, mos të bëja problem, por të rrija urtë sepse zgjedhjet po afroheshin dhe, brenda javës, do të zgjidhej ky problem ndërsa puçistët do ta pësonin shumë keq! Biles, më porositën që të ofroj dorëheqje!

Dorëheqja e juaj pasoi pasi këtë ua kërkoi BDI-ja dhe jo Rijaseti?

BDI-ja ka juristë! Dinë ta lexojnë dhe ta interpretojnë edhe Kushtetutën e BFI-së! Pa dyshim që e kanë ditur se edhe unë jam njohës i mirë i problematikave nga lëmi i jurisprudencës! Pas kërkesës nga ana e BDI-së për ta deponuar dorëheqjen time, u gjenda para një dileme të madhe: të ngelem në krye të BFI-së e t’ua nxij jetën bashkëpunëtorëve të mi, apo, të tërhiqem dhe të vetënxihen bashkëpunëtorët e mi. Me më pak kosto shpirtërore më doli kjo e dyta!
Kushtetuta e BFI-së për seli të Institucionit e njeh Shkupin dhe jo Gostivarin? Kushtetuta e BFI-së nuk e obligon Reisul Ulemanë që t’i pranojë ad-hoc vendimet e organeve të BFI-së, mund t’i refuzoj dhe fare mos t’i dekretojë! Kushtetuta e BFI-së parasheh shkarkim të gjithsecilit që rrebelohet apo që vepron në kundërshtim me aktet normative të BFI-së. Thjesht, unë do të mund t’i shkarkoja që të gjithë ata “myftinjë” që e inicuan shkarkimin tim të paligjshëm, porse, do ta vuaja shumë pastaj këtë gjë! Nuk do ta kisha lehtë që ta përpija faktin që kohë të gjatë për bashkëpunëtorë paskam pasur bashkëpunëtorët e shërbimeve që kurrë nuk ia kanë dashur të mirën BFI-së. Do të më kishte humbur një dozë e madhe e sinqeritetit tim, sepse, kam qenë shumë i sinqertë, dashamirës dhe jam mburrur para myslimanëve të vendit me bashkëpunëtorët e mi, të cilët i kam lavdëruar me fjalë nga më të mëdhatë. Kur i pari të lavdëron me fjalë të mëdha, do me thënë se të inkurajon, të jep zemër, të jep shtytje për suksese edhe më të mëdha, por kur, i vogli, i papërfillshmi, e lavdëron të madhin, në këtë gjest mund të ketë lajka, servilizëm, ka shpresa për manipulim për të arritur synime të pameritueshme. Unë edhe i kam lavdëruar edhe u kam dhënë, sepse, kam dëshiruar që bashkëpunëtorët e mi të jenë burra të fjalës e të suksesit, ndërsa këta më dolën të gjithë minjë të gjirizit.
Do ta kisha shumë të rëndë që tani, t’i largoj këta “minj” dhe të gjej bashkëpunëtorë të rinjë të cilët ndonëse do ta meritonin, megjithatë, nuk do të mund t’i lavdëroja para popullatës siç i lavdërova të parët! Nëse vazhdoja, do të më duhej që bashkëpunëtorët e mi, të lavdëruar deri dje, të nis e t’i demistifikoj, madje edhe duke i paditur nëpër gjyqe, sepse, shumica prej tyre e dinë fare mirë se, nga një kontroll të përciptë e rutinor, i zura që kishin bërë dëme të mëdha financiare nëpër organet që i drejtonin, kishin vjedhur, keqpërdorur e shpërdoruar detyrën dhe postin!

Pse mendoni se në largimin tuaj nga BFI-ja ka gisht pushteti?

Sepse, ata ma kërkuan dorëheqjen dhe më thanë që mos të reagoj se do ta zgjidhin problemin vetë ata, fill pas zgjedhjeve parlamentare! Pastaj e instaluan njeriun e tyre, Shaqir Fetain, duke qenë të bindur se ai është personi i duhur që duhet të manipulohet në dëm të interesave të BFI-së! Në ç’moment mund ta kujtojë populli një të mirë të BDI-së që ia bëri BFI-së?! Partia për Prosperitet Demokratik ka ndihmuar shumë, kurrë nuk e ka kushtëzuar ndihmën politike që ia ka kryer BFI-së! Ajo strukturë e ndihmuan BFI-në pa kurrfarë hile! Në kohën e BDI-së, u bënë disa sulme kundër BFI-së, u zbuluan disa njerëz që punonin kundër interesit të BFI-së. Së fundmi kemi pasur marrëvshje konkrete me Zaevin dhe Ali Ahmetin, madje edhe i kemi tokur duart se, do të burgosen të gjithë ata që janë përpjekur ta dëmtojnë BFI-në, si individë të manipuluar ashtu edhe përfaqësues të institucioneve shtetërore. Në vend se të bëhet kjo, më larguan mua! Tani më thonë se paskam qenë rrezik shumë i madh për shtetin dhe për pushtetin, se paskam folur shumë. Ç’është e vërteta, unë u kam folur bashkëpunëtorëve të mi për ta ndihmuar BDI-në, duke i ndriçuar të gjitha rastet e montuara politike! U kam folur edhe njerëzve të Partisë, u kam thënë se, rigjykimet do të përfundojnë në të mirë të të dëmtuarve, ndryshe, do ta ngris tërë popullin në këmbë! Nuk do të lejoj që në këtë shtet pushtetarë të paraqiten vetëm maqedonasit. Kam shprehur reagimet dhe shqetësimet e mia shumë serioze për vendimin e maqedonasëve për t’ju dhënë shtetësi shqiptarëve, kujt të duan ata! Do me thënë se, popullata maqedonase kujt do i jep shtetësi e kujt të dojë edhe ia merr dhe, marrja e shtetësisë do të thotë e drejtë për dëbim! Zyrtarizimi i gjuhës shqipe, institucionalizimi i të drejtave shqiptare, shtetësia, me automatizëm u ka takuar të gjithë shqiptarëve të cilët pavarësimi i shtetit i ka gjetur në këtë shtet.
Ne, përmes projektit STOP RaTerr, kemi dëshmuar se nuk jemi për radikalizëm, nuk e ushtrojmë radikalizmin e aq më pak terrorizmin por, këto dukuri nuk do t’i durojmë as mbi kurrizin tonë, nuk do t’i tolerojmë, qofshin këto të ushtruara edhe nga institucionet shtetërore! Do të reagojmë ashpër! Prej Kumanove e deri në Strugë, prej Velesi, Shtipi e deri në Resnje, të gjithë do t’i ngrisja në këmbë! Do ta radikalizoja situatën deri në vetëdijësimin e të gjithë palëve se në Maqedoninë e Veriut të gjithë do të duhet të jenë të barabartë, ndaj të gjithëve drejtësia duhet të jetë e njëjtë dhe se, këtu nuk guxon të ketë qytetarë të rendit të parë apo të rendit të dytë, tretë, katërt…

Ju thoni që ju larguan si destabilizues potencial i shtetit?

Nuk na duhet një shtet që shndërrohet në laboratorium për ta testuar kombin shqiptar, për të eksperimentuar me shqiptarët, për t’ua dozuar të drejtat dhe liritë! Është naive të pretendohet inkuadrimi i Maqedonisë së Veriut në BE dhe pastaj të zgjidhen çështjet e hapura me shqiptarët autoktonë! Populli maqedonas dhe ai shqiptar në këtë shtet do të duhet të merren vesh, të kapen dorë për dore dhe, si dy faktorë stabiliteti ta fusin vendin në BE dhe, jo të jenë njëri në pozita të nikoqirit e tjetri të vasalit!

Sikur nuk keni qenë kaq “radikalistë” sa ishit në krye të BFI-së! Linit përshtypje se ju ishit në një vijë me vasalët!

Kurrë nuk më ka interesuar politika, nuk më kanë interesuar as partitë. Kam bashkëpunuar me ta vetëm deri sa kam arritur realizimin e ndonjë interesi të BFI-së. Fare në fund, po, nuk mund ta mohoj, kam qenë shumë thellë i kyçur në politikë, sepse, ishte momenti, kërkohej edhe kontributi im, kërkohej angazhimi im, si faktor relevant në vend. Kontributi im kërkohej edhe nga faktorë të brendshëm, por edhe nga faktorë të jashtëm, miqtë tanë ndërkombëtarë. Ndihmën nuk ua kam ofruar bllanko! Ua kam kushtëzuar, kam pasur edhe kërkesat e mia në emër të BFI-së: qëndrimi i strukturave të caktuara shtetërore sa më larg BFI-së, të drejtat dhe liritë e pjesëtarëve të islamit në vend, mosdiskriminimi fetar që na bëhej vazhdimisht, heqja dortë nga synimet ortodokse për ta ortodoksuar realitetit multifetar të vendit, nxjerrja para drejtësisë të të gjithë atyreve që me përkrahje dhe mbështetje të institucioneve të caktuara shtetërore ia mësynë destabilizimit të BFI-së etj. Natyrisht, të gjitha këto tratativa për marrëveshje serioze janë bërë në katër sy, janë bërë në mes faktorësh dhe udhëheqësisht me relevancë dhe, nuk kemi pranuar që të dalim në opinion dhe ta elektrizojmë masën, të flasim me patos e me doza të nacionalizmit. Prandaj nuk kam qenë “i zëshëm”, prandaj kam qenë në koordinim me partinë shqiptare, duke menduar se do të jemi në të njëjtën valë. Por, ja që dikush paska menduar se do të përfitoj personalisht unë dhe të tjerët do të ngelin nën hijen time, prandaj dhe ma luajtën lojën!

Kush ju ka frikësuar deri në atë pikë sa mos të guxoni të dilni në opinion dhe t’i zbardhni ju arsyet e kësaj loje që ua luajtën? Pse keni heshtur përgjatë tërë vitit! Çka ju frikëson që të flisni!

Mua të më frikësojë diçka? Nuk ka bërë vaki që në një moment të jem i frikësuar përgjatë tërë karrierës sim si hoxhë, si teolog! Pse kam heshtur? Ku të flas? Në cilën media? Ju e shihni që emri im, shkrimet e mia, reagimet e mia nuk i keni në asnjë portal, në asnjë media elektronike apo të shkruar! Ose janë shitur, ose janë të shtrënguar nga pushteti! Me përjashtim të një debati në TV21M, të një interviste në Lajm TV dhe të një opinioni në Tetova Sot, nuk kemi pasur asnjë debat, nuk është kërkuar asnjëherë mendimi im, kurse ndonëse është kërkuar mendim i Shaqir Fetait, ai asnjëherë nuk ka folur për këto probleme, sepse, nuk di se çka të flasë, sepse ka vepruar ashtu siç i kanë thënë, ashtu siç ia kanë ofruar skenarin! Ndërsa flasin e debatojnë pseudo-teologë, hoxhallarë pa diploma, të përjashtuar nga Medreseja jonë, me diploma të blera e false të siguruara nëpër shtete të ndryshme arabe, të dala nga programet speciale siç mund të përgatiten për të huaj, me njohuri të përcipta bazike! Këta tipa promovohen si vlera, si kontribues fetar e kombëtar. Këta tipa imponohen si reformatorë, ndonëse të gjithë janë me çertifikatë të shërbimeve intelegjente të huaja! Nuk guxojnë ta mohojnë këtë, as të më fshihen, sepse, ata e dinë që unë i njoh shumë mirë, i kam sprovuar, i kam testuar, i kam detyruar të më rrëfehen, kështu që, kjo më shqetëson, më ofendon, më ulë dinjitetin, pjesëmarrja e mediave tona në promovimin e pseudo-teologëve në “vlera kombëtare e fetare”! Vlerat dalin në shesh vetëm në ballafaqim, në debate, në kryqëzime të pikëpamjeve e të fakteve, e jo sipas strategjive të shërbimeve nëntokësore.

Cilin gabim të juajin e llogarisni si më fatal sa ishit Reisul Ulema i BFI-së. Cili veprim i pakryer ju ka ngelur si peng?

Po! Ka muaj që reflektoj mbi Medresenë që e kemi shndërruar në barrë të papërballueshme për myslimanët e vendit! Megalomania jonë, mosracionaliteti ynë, politikat e gabuara kadrovike, na kanë shndërruar në lypsarë por edhe në ngarkues të buxhetit gjithnjë të varfër të popullatës sonë! Medreseja është shkollë profesionale që nxjerr kuadro për nevoja të BFI-së, hoxhallarë për nevoja të xhemateve dhe xhamive tona! Kështu obligon Kushtetuta e BFI-së dhe Ligji mbi pozitën e bashkësive fetare në vend. Zgjërimi ynë ka bërë që t’ia rëndojmë buxhetin myslimanëve, sepse, burimi ynë financiar janë ata! Kemi prodhuar mbi 3-4000 hoxhallarë! Kujt i duhen të gjithë këta? Për më tepër, na ka ndodhur një katastrofë e tmerrshme, si ndëshkim nga Zoti, për politikat tona të gabuara kadrovike! Kemi shkolluar e ushqyer medresantë me paratë e popullit dhe, në fund, një numër i tyre na kanë përfunduar në DBK, në polici, në ushtri, në administratë, në diplomaci! Me paratë e popullatës sonë kemi nxjerrë kuadro për nevojat e shtetit! Edhe të eksploatuar edhe të pafalënderuar! Ne kemi prodhuar hiperkuadër dhe, na kanë ngelur rrugëve! Çka pritet prej tyre? Ata duhet të mbijetojnë, të krijojnë familje, ndërsa ne nuk jemi në gjendje që t’ju dalim në ndihmë. Ata ose do të radikalizohen, ose do të bëhen misionarë, ose mercenarë, ose do të përfundojnë bashkëpunëtorë të shërbimeve të huaja.
Kjo më dhemb! Shikuar nga perspektiva e të një “pensionuari” që ka kohë të mendojë e të analizojë, ky është gabimi ynë më i madh. Ne kërkojmë fitra e zeqat për t’i sponsoruar problemet që do të na kushtojnë shumë shtrenjtë! Tani kemi kuadër të mjaftueshëm teologësh! Duhet të krijohet një strategji e hollë, bazuar mbi analizat e sakta, duke u shtrirë në çdo xhemat, e në çdo vendbanim tonin, për t’i detektuar nevojat për kuadër. Në bazë të kësaj pastaj të caktojmë numër nxënësisht që do t’i nxjerrim kuadro për nevojat e BFI-së! Ky hap do të duhej të ishte reforma e parë, urgjente dhe e domosdoshme që e pret BFI-në. Edhe para popullit tonë do të dilnim më të fisshëm. Nga ana tjetër, do të duhej të përforcoheshin mektebet! Të përgatitej një metodologji më e avancuar e mbajtjes së mësim-besimit islam. Madje ky aktivitet, në njëfarë forme, të ndjehet si detyrim fetar për çdo xhemat, sepse, asgjë e keqe nuk do t’i gjejë fëmijët nëse i mbajmë larg rrugës e larg celularëve duke i angazhuar në mësimin e bazës fetare islame.

Në fund, efendi Rexhepi, si personalitet me përvojë të gjatë në krye të BFI-së, si po ju duket reisi i ri në drejtimin e BFI-së?

Shaqir Fetai është “kuadër imagjinar”, i “brymosur si myfti” nga lavdërimt e mia, kurse, në realitet ai nuk ka kapacitet për ta nxjerrë macen nga përsheshi! Nuk dua të flas më shumë për të, por, le të më lejohet të sjell disa konstatime të bashkfshatarëve të tij, që vinë e më vizitojnë shpesh! Shprehin keqardhje për përpjekjet e tij prej naivi, shprehin indinjatë për tërë atë që ia punoi pas shpine BFI-së, ndjehen të turpëruar për atë që ma bëri mua, ndjehen të rrëqethur nga ajo që po ia bën BFI-së dhe persektivës së islamit në këtë nënqiell, ndjehen të zhgënjyer nga synimet karrieriste të tij përkundër faktit që e dinë se nuk shquhet për ndonjë karakter në familjen e gjërë dhe nuk shquhet për ndonjë respekt familjar! Të mos flasim për “bashkëpunëtorët” e tij të cilët ditë për ditë vijnë e më flasin për axhamillëqet, por edhe për djallëzitë e Shaqir Fetait. Bashkpunëtorët e tij e thonë vetë se ndjehen shumë rëndë! Kryekëput përjetuan një vit zhgënjimi! Lus Zotin që sa më shpjtë të ndërgjegjësohen! (Tetova Sot)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

VIDEO / Doktori i njohur: Ja e vërteta që po na fshihet pas koronavirusit

Shiva Ayyadurai, i njohur nga të gjithë si Doktor Shiva, është një…

BFI – ja do të reformohet kur do të dalë shteti nga aty

Intervistë e kombetare.com me: Afrim Tahiri, drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma…

Mohamed Salmawy: Një film për mbretin shqiptar të Egjiptit, Mohamed Ali

Më shumë se 3 shekuj më parë, një familje nga Zëmblaku i…

VIDEO / Flet mjeku kumanovar në Gjermani: Shumica e viktimave të Koronavirusit kanë vuajtur edhe nga tri sëmundje tjera!

Mjeku kumanovar Rexhail Ramadani tani e disa vite është i angazhuar në…

U rrit si bari me dele, sot është miliarder që të hyrat i ndanë me punëtorët – kurdi që ndërtoi perandori pa ndonjë përvojë në biznes

“Nëse fitoj unë, fitojnë edhe punonjësit e mi. Fitimi im është edhe…