Thënia e njohur: “të kaplon gjumi si tradhtar e zgjohesh si patriot”, më nuk është interesante dhe duket si një thënie që nuk të bën përshtypje. Në vend të kësaj, ka kohë që konkretizohet, përkatësisht bëhet realitet thënia: “të kaplon gjumi si analfabet e zgjohesh si profesor universitar”.
Aty – këtu shpesh të bie të dëgjosh edhe ndonjë “barsoletë” që thjeshtë tipizojnë aktualitetin e shoqërisë shqiptare, si për shembull: “me pas ditë se kaq lehtë merret fakulteti, do ta kisha marrë edhe filloren”. Në fakt, në këtë “barsoletë” ka diçka të vërtetë, sepse këtë më së miri e justifikon realiteti ynë.
Kësaj të keqe, fatkeqësisht, akoma askush nuk merr “guximin” t’i thotë stop. Askush. As nga shoqatat që rreth vetes tubojnë të ashtuquajtur intelektualë. Askujt nuk i shkon ndërmend ta shtrojë pyetjen: po nesër, kush do t’i edukojë gjeneratat e reja? Ose, përse proceset nëpër të cilat duhet të kalojnë shqiptarët, kanë kahe të mbrapsht?
Një herë e përgjithmonë duhet bindur se rruga e shkollimit nuk është e lehtë ashtu siç u ndodhi akademikëve analfabetë, por është një rrugë e vështirë, e cila kërkon përkushtim dhe punë të përditshme. Pasojat e diturisë që falet apo blihet, janë të pariparueshme. Pikërisht me këto pasoja po përballet shoqëria shqiptare, e cila duket se është bërë një shoqëri e dëshpëruar dhe e zhgënjyer edhe nga krimi në arsim.
Padyshim se baza e një shoqërie të shëndoshë është arsimi i shëndoshë. Kjo gjendje tash e sa kohë reflektohet në të gjitha segmentet, përfshi edhe kulturën tonë, zhvillimi i së cilës shënon vetëm amplituda rënie. Prandaj, është më së e domosdoshme që arsimit t’i kushtohet një vëmendja serioze, sepse pikërisht aty duhet kërkuar emancipimin e shëndoshë të shoqërisë shqiptare, e cila bashkëjeton me shumë dilema, të cilave vështirë u gjinden përgjigjet.
Asnjë diplomë, çfarëdo qoftë ajo, nuk do mund ta kamuflojë analfabetizmin e atyre që pa fije turpi rrahin gjoks se angazhohen në të mirë të arsimit e kulturës shqiptare. Efektet e këtyre diplomave janë më se të dhimbshme, sepse pikërisht ato diploma mundësuan që akademikët analfabetë, të sistemohen në institucione të rëndësishme arsimore e kulturore.
Vetëm një për qind e atyre që janë pajisur me diploma magjistrature e doktorate sikur t’i vizitonin libraritë edhe ashtu të pakta, me siguri pozita e librit shqip do të ishte më e mirë. Kjo vlen edhe për teatrot tona, koncertet e muzikës klasike, për ekspozitat e promovimet e ndryshme, të cilat kalojnë pothuaj në heshtje. Do të ishte krejt ndryshe sikur vetëm një për qind e atyre që kishin magjistruar e doktoruar të ngritin zërin kundër devijimeve të shumta. S’do mend se gjendja do të ishte më ndryshe… /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Pse çalojmë në përdorimin e shqipes?

Midis nesh Problemi më i madh i mediumeve shqiptare (elektronike e të…

Maratonë

Nga Avni Halimi / toka jonë një pëllëmbë sa fytyra jonëe vogël…

Komercializimi i librit dhe i tregut letrar

Midis nesh Që kur libri nisi të shikohet si prodhim, në pah…

N’atë gusht ku rrije ti

Inida Brahimi N’ATË GUSHT KU RRIJE TI N’atë gusht ku rrije tiharlisur…