Midis nesh

Cili është niveli kulturor i menaxherëve tanë të institucioneve nacionale kulturore? Deri më sot, në mungesë të një platforme kombëtare që do të shërbente si bazë e strategjisë gjithëkombëtare për kulturë, menaxherët tanë kanë dëshmuar se janë “ekspertë” të politikave të ngurta, lokaliste dhe jobashkëpunuese! Si pasojë e kësaj logjike partizane, që menaxhimi i mirë të ngelë parashikim dhe sukses ekskluziv i partisë, janë më në gjendje të të numërojnë pesë aktorë, pesë piktorë, pesë artistë të skenave muzikore amerikane, se sa, për shembull, menaxheri i një institucioni kulturor i Gjirokastrës t’i numërojë pesë artistë e krijues nga Ferizaj, apo nga Struga, ose edhe nga Ulqini!
Fatkeqësisht, bashkëpunimi ndërkulturor i institucioneve tona nuk është as në nivelin e institucioneve kulturore afrikane, të cilat, në mungesë të kushteve financiare për ta shijuar kulturën që zhvillohet në shtetet perëndimore dhe lindore apo për ta prezantuar kulturën e vet, shquhen për një bashkëpunim intern shumë të fuqishëm. Menaxherët e institucioneve tona kulturore mjaftojnë me faktin që kanë përkrahjen e buxhetit shtetëror që duhet të dalë meritë e partisë në pushtet dhe, për pasojë, mund t’i numërojmë në gishtat e një dore ata menaxherë që ia dalin të thithin fonde nga KE, fonde nga Evropa Kreative, e cila e stimulon bashkëpunimin dhe e ndihmon globalizimin kulturor.
Institucionet tona kulturore, menaxherët tanë nuk njihen në mes vete. Menaxherët tanë suksesin e tyre e matin me aq sa do t’ia dalin t’i rehatojnë artistët gjatë një eventi në vend apo jashtë dhe, nuk e kanë në logjikën e tyre se eventi, mbi të gjitha, është mundësi për ta prezantuar dhe lartësuar kulturën kombëtare apo edhe kulturën lokale.
Nga ana tjetër, përgjatë përpjekjeve për bashkëpunim kulturor interkontinental, është vërejtur edhe tendenca për t’u mbështetur në të kaluarën kolonialiste apo të pushtimeve shekullore. Latino-amerikanët nuk preferojnë të dalin përtej Spanjës së sotme, ashtu siç preferojnë edhe menaxherët e institucioneve tona kulturore të “rehatohen” nëpër festivalet dhe manifestimet e shumta që organizohen në Turqi!
Janë të shumtë institucionet kulturore evropiane që kërkojnë të bashkëpunojnë me institucionet kulturore lindore dhe, në veçanti me ato arabet. Për gjermanët, për anglezët apo francezët shumë më tepër paraqet kënaqësi paraqitja e vlerave të tyre kulturore në tokat arabe se sa, bie fjala, në Amerikë! Është në strategjinë e tyre kombëtare që prezantimi i kulturave të tyre respektive të shtrihet edhe në shtetet arabe!
Kjo përpjekje nacionale për shqiptarët do të duhej të ishte më e lehtë dhe jo aq e kushtueshme. Por, ja që shqiptarët për momentin janë të zënë duke kontribuar në shtrirjen e kulturave arabe ne trojet tona, sesa, madje, ta bëjnë të mundshme prezantimin e vlerave kulturore lokale nëpër viset etnike shqiptare. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Inteligjencia si kategori amorfe!

Midis nesh Nëse nuk mendojmë për vete, atëherë të tjerët do të…

Shkrimtarët bëjnë shkëmbim favoresh!

ARTUR SPANJOLLI për kritikën letrare (Enkas për Hejza-n)Kritika letrare është një komponent…

Pritet të fillojë renovimi i shtëpisë së Xhafer Devës në Mitrovicë dhe i xhamisë së Drenocit në Deçan

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe Programi i Kombeve të Bashkuara…

“Organizmi letrar” me nevoja të veçanta

Midis nesh Letërsia shqiptare është një materie e brumosur gjithandej ku flitet…

Letër nga Shkupi / MANIPULIMET PARTIAKE DHE LAVDËRIMET BOSHE

Ministria e Kulturës është një prej dikastereve më të ndjeshme ku për…