Sorting by

×

Popular Posts

LUSTRIMI I OPINGËS SË DEGRADUAR

Opinga mund të lustrohet deri në shkëlqim. Mund të vendoset në vitrinë, madje mund t’i bëhet edhe një histori e lavdishme. Por shkëlqimi nuk ia ndërron përmbajtjen. Opinga ngel opingë!

Nga Jasir Jashari

Kohë më parë, në BFI paska qëndruar z. Hamdi Kelmendi, përfaqësues i Xhamisë dhe Qendrës Kulturore Shqiptare Islame në Pisa të Italisë. Paska drekuar me Shaqir Fetain dhe, me sa duket, qenkan marrë vesh që një shkrim të gjeneruar nga ChatGPT për “profilin kulturor” të këtij të fundit të botohet në emër të Qendrës, në faqen e saj zyrtare. Pra, një qendër kulturore e shqiptarëve në Itali na bëhet promovuese e profilit kulturor të Shaqir Fetait! Bukur fort!

Por, a mund të krijohet një profil kulturor duke e lustruar një opingë të degraduar? Mund t’i japësh shkëlqim, mund ta fërkosh me furçat më të buta, mund ta mbulosh me shtresat më të shtrenjta të bojës, por opinga nuk bëhet këpucë. Nëse është e grisur, pa shollë, e baltosur e jashtë përdorimit, lustrimi nuk ia ndërron natyrën. Vetëm ia zbukuron përkohësisht pamjen.

Pikërisht këtu qëndron problemi me përpjekjet për ta paraqitur Shaqir Fetain si kulturdashës, kulturolog, njohës të artit, teatrit, ekspozitave dhe jetës intelektuale shqiptare. Pse kjo nevojë e ngutshme për t’i dhënë një profil kulturor? Sepse kultura është një portë me prestigj, një hapësirë ku emri fiton peshë dhe ku mund të kërkohet pranimi i elitave të artit e të letërsisë. Por kjo portë nuk hapet vetëm me një shkrim të rrejshëm promovues, aq më pak kur promovimi bëhet nga një institucion që rrezikon të përdoret si vulë autoriteti për një profil që duhet të dëshmohet me vepra.

Kultura nuk është titull që ta dhuron dikush pas një dreke. Nuk është zbukurim që vendoset mbi një emër për t’i dhënë pamje intelektuale. Ajo kërkon formim, ndjeshmëri, qëndrim, respekt për dijen dhe, mbi të gjitha, integritet. Nuk mjafton të shfaqesh pranë njerëzve të artit, të përmendësh teatrin, ekspozitat e librat apo të përfitosh nga emri i një qendre kulturore. Duhet të dëshmosh se çfarë marrëdhënieje ke ndërtuar me kulturën dhe me njerëzit që e krijojnë atë.

E çfarë duhet të mendojë publiku kur përballë këtij promovimi shtrohen pyetje që nuk mund të anashkalohen? Çfarë raporti ka me kulturën dhe etikën fetare një figurë për të cilën janë ngritur pretendime serioze lidhur me një dokument të UDB-së që, sipas kritikëve të tij dhe të vetë të të përndjekurit, flet për spiunimin e shokut të studimeve, dr. Nexhat Ibrahimi? A mund të trajtohet një çështje e tillë si e parëndësishme, pa u sqaruar dokumenti, rrethanat dhe përgjegjësia e pretenduar?

Po ashtu, si mund të shkëputet profili i tij publik nga historia e marrëdhënieve me H. Sulejman Rexhepin, të cilin kritikët e Fetait e konsiderojnë mentorin e tij shpirtëror dhe njeriun që e ndihmoi të ngrihej në hierarkinë institucionale? Çfarë përgjegjësie morale bart një njeri kur akuzohet se ka përfituar nga besimi i dikujt për t’ia zënë vendin? Dhe çfarë mesazhi u jepet profesionistëve me integritet kur largohen nga institucionet, ndërsa në vend të tyre promovohen njerëz që, sipas kritikave të ngritura, shquhen më shumë si puthadorë e “posllushnikë” sesa për pavarësi mendimi?

Këto nuk janë pyetje që zgjidhen me një portret promovues. As me heshtje. As duke e zhvendosur vëmendjen nga përgjegjësia institucionale te një imazh i kuruar publik.

Nëse pretendimet për dokumentin e UDB-së dhe për mënyrën e ardhjes në krye të BFI-së kanë bazë, ato kërkojnë sqarim të plotë dhe përgjigje konkrete. Nëse nuk kanë bazë, edhe kjo duhet të dëshmohet. Por ajo që nuk mund të pranohet si zëvendësim i së vërtetës është krijimi i një fasade kulturore, me shpresën se shkëlqimi i saj do t’i mbulojë pyetjet e pakëndshme.

Sepse kultura nuk është larje e së kaluarës. Nuk është strehë për imazhe të dëmtuara. Nuk është mekanizëm për ta kthyer pushtetin institucional në kapital intelektual. Dhe një qendër kulturore shqiptare, kudo që vepron, duhet të jetë veçanërisht e kujdesshme kur vendos emrin e vet në shërbim të promovimit të një figure publike. Ajo ka përgjegjësi ndaj komunitetit që përfaqëson, ndaj kulturës që pretendon të mbrojë dhe ndaj publikut që ka të drejtë të kërkojë llogari. Kultura shqiptare dhe Shaqir Fetai janë miliona kilometra larg njëri-tjetrit.

Edhe më problematike bëhet kjo çështje kur në të njëjtën figurë publike kërkohet të ndërtohet njëkohësisht autoriteti kulturor dhe ai fetar. Islami nuk është mburojë për sjellje që bien ndesh me etikën islame, as kultura nuk është perde pas së cilës mund të fshihet mungesa e integritetit. Besimi nuk dëshmohet me tituj e dekorata të porositura e të paguara, sikurse kultura nuk dëshmohet me fotografi, takime e shkrime lavdëruese. Të dyja kërkojnë përgjegjësi, ndershmëri dhe qëndrueshmëri morale.

Respekti i verbër ndaj një drejtuesi nuk është kulturë. Është dorëzim i gjykimit personal. Kur njerëzit duartrokasin pa pyetur, kur institucionet promovojnë pa shqyrtuar dhe kur bindja ndaj individit zë vendin e parimit, kemi të bëjmë me një klimë antikulturore, pavarësisht sa herë përmendet fjala kulturë.

Prandaj, para se Shaqir Fetait t’i ndërtohet një profil kulturor, duhet të sqarohet se mbi çfarë themeli kërkohet të ngrihet ai profil. Jo për ta dënuar dikë me akuza, por për të mos e shndërruar promovimin në zëvendësim të llogaridhënies.

Sepse opinga mund të lustrohet deri në shkëlqim. Mund të vendoset në vitrinë, madje mund t’i bëhet edhe një histori e lavdishme. Por shkëlqimi nuk ia ndërron përmbajtjen. Opinga ngel opingë!

Kultura nuk është furça që lustron imazhin e pushtetit. Është prova përballë së cilës pushteti duhet të japë llogari.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *