Nga Avni Halimi

“Qeveritë nuk mund të përcaktojnë kulturën e një populli! Sepse, vetë qeveritë në masë të konsiderueshme përcaktohen nga kultura e një populli” (De Cuellar)

Sipas të dhënave analitike të agjencionit për hulumtim të tregut medial, qeveria e VMRO-së për këto gjashtë vite qeverisje (2008-2014) ka shpenzuar mbi 100 milion euro për reklamim të vetvetes, përfshirë këtu edhe fushatën “Investoni në Maqedoni” të zhvilluar nëpër mediat e huaja. Natyrisht, kjo shifër do të shumëfishohet nëse këtu do të kihen parasysh edhe shpenzimet e bëra përgjatë aksioneve të shumta sensibilizuese të ndërmarra nga shumë ekipe qeveritare nëpër vendet e ndryshme në botë. Dhe, e tëra kjo vetëm për ta bindur botën se, pas reformave të thella “Maqedonia po përjeton një zhvillim marramendës” dhe po bëhet vend i sigurt për investime. Reklamimi po përdoret si metodë e shkëlqyer për vjedhjen e miliona eurove nga buxheti i shtetit, sepse sikur ta kishin dert reklamimin e “zhvillimit shtetëror” me ato qindra miliona euro do të mund t’i blenin dhjetra televizione më të zhvilluara ballkanike e më gjerë dhe ta rklamonin gratis atw zhvillim mrramendws tw shtetit”!
Është shumë qesharake të mendohet se Maqedonia po përjeton zhvillim të gjithanshëm. Shkenca zhvillimore këtë fenomen pozitiv, pra zhvillimin, e përkufizon si aktivitet që prek njësoj, jo vetëm çdo sferë të jetës, por çdo komunitet dhe çdo shtresë të shoqërisë. Pra, nëse flitet për zhvillim nënkupton që të gjithë kanë pjesë në kekun e madh të pasurisë. Së këndejmi, “zhvillimet e hovshme” në Maqedoni në të vërtetë flasin kryekëput për nëpërkëmbje dhe për diskriminim të haput etnik. Në të gjitha sferat e jetës “zhvillimi shoqëror” i diskriminon në mënyrë të veçantë shqiptarët. Nuk mund të flitet për zhvillim të Maqedonisë nëse ai zhvillim favorizon maqedonasit ndërsa përjashton në masë të madhe nga pjesëmarrja aktive në jetën sociale, kulturore, ekonomike dhe politike të vendit popullatën shqiptare.
Në mënyrë të veçantë përgjatë këtyre gjashtë viteve qeverisje të VMRO-së është folur dhe debati publik është orientuar kah “zhvillimi kulturor” i Maqedonisë. Të gjitha “zhvillimet kulturore” që ndodhën këtu nuk pasqyrojnë asnjë vlerë të rëndësishme përveçse diskriminimin kulturor të shqiptarëve.
Kur mbi një etni ushtrohet diskriminimi kulturor kjo do të thotë se ajo etni është e robëruar, nuk ka liri kulturore. Liria kulturore i përket kolektivitetit, etnisë, ndaj është e veçantë, ndërsa shumica, për të mos thënë të gjitha format e tjera të lirisë i referohen individit. Zhvillim kulturor do të ketë atëherë kur do të ndjehet fuqishëm diversiteti kulturor, kur këto dallime do të konsiderohen si vlera të shenjta brenda shoqërisë së një shteti. Pra, kemi të bëjmë me respektin! Respekti nuk mund t’i nënshtrohet asnjë ligji, asnjë njësiti policor a ushtarak. Respekti është produkt i edukatës së përgjithshme.
Shqiptarët në Maqedoni nuk kanë problem me dallimet kulturore të këtij vendi. Shqiptarët i njohin, i respektojnë madje edhe i përdorin në praktikë vlerat kulturore maqedonase (flasin maqedonisht, këndojnë këngë maqedonase, kërcejnë valle maqedonase, ndjekin teatro, filma, koncerte maqedonase, lexojnë libra maqedonisht etj.) Ndërsa maqedonasit, institucionalisht mendojnë se shqiptarët janë shoqëri akulturore, pa vlera kulture ndaj dhe, sanskionohen me ligj; me ligj u bëhet me dije se sa mund ta përdorin gjuhën shqipe dhe, përgjithësisht, sa mund ta gëzojnë jetën e vet kulturore. Natyrisht, ligjet e tilla janë të parespektueshme për cilido etni. Këto ligje diskriminuese mund të jenë në zbatim dhe ta ngulfasin zhvillimin kulturor të një etnie deri në çastin kur do të shpërthejë vullkani i padurueshmërisë dhe të përmbytë çdo gjë para vetes, edhe pushtetin diskriminues. Asnjë pushtet, asnjë perandori nuk ka arritur ta përmbys një kulturë, ndërsa kulturat kanë përmbysur pushtete. Revolucionet kulturore nuk janë të panjohura për njerëzimin.
Pushteti në Maqedoni duhet ta shenjtërojë lirinë kulturore dhe ta stimulojë fuqishëm diversitetin kulturor, sepse vetëm në këtë rast mund të themi se kemi zhvillim kulturor. Për t’u respektuar liria kulturore shqiptare në Maqedoni, shoqëria maqedonase duhet t’i qaset një procesi të gjatë edukativ, që nga kopshtet e fëmijëve e deri në instancat më të larta arsimore, në raport me vlerat kulturore shqiptare.
Gjithsesi, janë irituese, diletanteske dhe demostrojnë logjikë vasali edhe deklaratat e disa funskionarëve shqiptarë, të cilët me ëndje pohojnë se shqiptarët nga viti 2008-2012 po përjetojnë një zhvillim të hovshëm kulturor. Këtë bindje mund ta kenë vetëm ata sllavomaqedonasë që janë shqipfolës. Zhvillimi kulturor nuk mund të matet me botim të një a dy librave më shumë në raport me 10 vite më parë, as me shtimin e një shfaqje në repertorin e teatrit, as me plus 100 euro më shumë për një shoqëri kulturo-artistike, as me 10 ekspozita më shumë nga piktorët shqiptarë. Këto mund të llogariten vetëm aktivitete kulturore që varen nga vullneti i organizatorit dhe pushtetit, aktivitete këto që bijnë në kategorinë e lirisë individuale.
Në një fjalim të vetin, më 1995, ish-sekretari i OKB-së, De Cuellar, në cilësinë e kryetarit të Komisionit Botëror për Kulturë dhe Zhvillim (WCCD), duke folur mbi zhvillimet shoqërore si dhe mbi raportet e pushteteve karshi kulturës, do të nënvizojë se zhvillimi i ndarë nga konteksti i vet kulturor dhe human është, thjesht, një rritje ekonomike, pa shpirt, pa njerëzoren. Fatkeqësisht, në Maqedoni sot mund të flitet për
një zhvillim që ka “shpirt maqedonas”, derisa ky zhvillim i përket vetëm popullatës maqedonase. Popullata shqiptare mbetet e privuar nga e drejta kolektive për ta përjetuar një zhvillim të gjithanshëm.
Shqiptarët e Maqedonisë së Veriut janë i vetmi popull në Ballkan që jeton kulturalisht i robëruar!

https://www.facebook.com/104112788651300/posts/pfbid02TM9GHzjDiw4qjhB4jygdJiQ54rhuesRWiymv1rbNQpENBTjQAfADKzjDP19CLkozl/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut u duhen institucionet kulturore nacionale

Letër nga Shkupi Rasti i tenorit shqiptar me famë botërore, Ramë Lahaj,…

Teatri

Teatri si godinë është vendi ku shikohet dhe përjetohet katarsisi (spastrimi shpirtëror).…

Politikat hileqare mbi identitetin kulturor

Letër nga Shkupi Cili është legjislacioni i Maqedonisë së Veriut që menaxhon…

Midis nesh / NJË GJEST FRANCEZ DHE NJË PARADOKS SHQIPTAR

Në numrin e fundit (153), e përjavshmja letrare kulturore “ExLibris”, veç të…