Midis nesh

Pesëdhjetë udhëtarë në një autobus do ta kalonin kufirin pa pengesa dhe me dinjitet, kurse në vend të udhëtarëve, sikur të viheshin nëpër karrige pesëdhjetë libra shqip, autobusi nuk do të mund ta kalonte kufirin e Maqedonisë së Veriut, por do të kthehej prapa, ose do të duhej të paguhej doganë për atë tirazh librash

Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, në bazë të marrëveshjeve bilaterale, deri më tani kanë realizuar edhe mbledhje të përbashkëta qeveritare, në të cilat janë nënshkruar një duzinë marrëveshjesh. Natyrisht, marrëveshje bashkëpunimi janë nënshkruar edhe me Malin e Zi dhe me Serbinë! Marrëveshjet bilaterale konsistojnë kryesisht në lehtësime sa më të mëdha të qarkullimit të mallrave si dhe të njerëzve, bashkëpunimet ekonomike, tregtare si dhe në fushën e turizmit të mos kenë kurrfarë pengesash doganore. Janë të llojllojshme edhe marrëveshjet kulturore, iniciativa të përbashkëta, thirrje për projekte kulturore ndërshtetërore, bashkëpunime në nivel institucionesh kulturo-arsimore.
Megjithatë, edhe më tej ngelë e pashlyer një njollë shoviniste sllave mbi librin shqip, si pasojë e politikave jugosllave, të cilat librin shqip e trajtonin si mjet propagandistik armiqësor! Kjo politikë shoviniste është në fuqi edhe sot e kësaj dite në Maqedoninë e Veriut, në Malin e Zi dhe në Serbi. Shqiptarët e këtyre viseve e kanë problem ta qarkullojnë librin shqip si nga Shqipëria dhe Kosova, po ashtu edhe nëpër këto tri shtete. Këtë qasje përçmuese ndaj librit shqip policët dhe doganierët e këtyre shteteve e kamuflojnë me dofarë ligjesh idiotike, të cilat librin e trajtojnë si mall që duhet t’i nënshtrohet “trajtimit” doganor!
Jo pak raste kemi pasur kur nga panairet ndërkombëtare të librit kanë munguar botues shqiptarë, sepse janë kthyer mbrapa nga kufiri, meqë nuk i kanë pasur listat e librave që duhet t’i paraqesin në doganat respektive. Në Panairin e Tetovës nuk mund të marrin pjesë botuesit nga Shqipëria dhe Kosova nëse nuk i dorëzojnë listat e librave në doganë. Edhe botuesit shqiptarë nga Maqedonia e Veriut i nënshtrohen të njëjtës procedurë doganore për të dërguar tirazhe të konsiderueshme të më shumë titujve në panairin e Ulqint. Ka raste kur botuesit janë detyruar të paguajnë doganë për librat, ose janë urdhëruar që të kthehen nga kanë ardhur, ose edhe t’i hedhin librat në kontejnerë dhe të vazhdojnë e ta kalojnë kufirin si turistë “të mirë e të lirë”!
Secili botues niset nëpër panaire me qëllim për ta prezantuar produktin e vet, për të lidhur marrëveshje në mes të shtëpive botuese, për t’u njoftuar si me botues ashtu edhe me tituj të rinj që janë në qarkullim! Natyrisht, nëse do të arrijnë të sheshin ndonjë libër, kjo do t’ua kishte zbutur shpenzimet. Pjesëmarrjet nëpër ngjarje të tilla të librit janë të kushtueshme, shtetet ku organizohet prezantimi në masë i librit, përfitojnë nga këta pjesëmarrës të cilët paguajnë për akomodim, shpenzojnë për haje e pije, por edhe paguajnë qira për stendat apo për hapësirat që u duhen për t’i ekspozuar botimet e veta!
Jo një herë është shkruar për këtë dukuri që rëndon sidomos mbi librin shqip! Tani është koha e panaireve të librit! Ministritë përkatëse do të ishte mirë që këtë shqetësim të botuesve shqiptarë ta ngrenë si problem serioz nëpër mbledhjet qeveritare dhe të intervenohet që përfundimisht edhe libri të trajtohet si udhëtar, jo si mall.
Pesëdhjetë udhëtarë në një autobus do ta kalonin kufirin pa pengesa dhe me dinjitet, kurse në vend të udhëtarëve, sikur të viheshin nëpër karrige pesëdhjetë libra shqip, autobusi nuk do të mund ta kalonte kufirin e Maqedonisë së Veriut, por do të kthehej prapa, ose do të duhej të paguhej doganë për atë tirazh librash!
Kohë më parë, opinioni i gjerë shqiptar është trishtuar nga ajo që ka përjetuar një autor shqiptar, i cili është detyruar që t’i kthejë në Kosovë pesëdhjetë ekzemplarë nga libri i vet të botuar në Shqipëri. Doganieri maqedonas është sjellë ndaj shkrimtarit sikur ai të tentonte t’i fusë në Maqedoninë e Veriut pesëdhjetë armë të kalibrave të ndryshëm, apo pesëdhjetë kilogram lëndë narkotike! Doganierët shqiptarë e kishin përcjellë këtë skenë me shumë keqardhje, porse ligji është ligj, i njëjtë për të gjithë, kërkon zbatim nga të gjithë! Mbledhjet e përbashkëta ndërqeveritare duhet të keni parasysh eliminimin e këtyre ligjeve diskriminuese dhe jo të nënshkruajnë marrëveshje të cilat, deri në realizim, mund të kërkojnë edhe paketë të tërë masash ligjore dhe, si rrjedhojë, të harrohen fare apo të ngelin, si rëndom, letra të zhubravitura në dosje të pluhurosura. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

HEJZA: Bisedë me Nora Halimin, disenjatore: TRAJEKTORJA E ZHVILLIMIT TË ARTIT KA LËNË PAS SHUMË STACIONE

Nora Halimi është artiste dhe pedagoge në Fakultetin e Arteve në Universitetin…

Amatorët e dështuar!

Midis nesh Shoqëria shqiptare gjithandej është përplot me diletantë, të cilët jo…

Dekomunistizimi i politikave kulturore

Midis nesh Për rreth dyzet vite me radhë shqiptarët zhvilluan kulturë bazuar…