Midis nesh

Antologjitë dhe konkurset letrare gjithmonë do të mbeten (sa me arsye, sa pa arsye) të kontestuara nga ata që nuk përfshihen (në antologji) dhe nga ata që nuk shpërblehen apo nuk vlerësohen për botim (konkurset).
Natyrisht, antologjitë dhe konkurset, sado që dikush nuk do të pajtohej, megjithatë janë projekte subjektive të një apo dy e tre individëve. Megjithatë, edhe antologjitë, por edhe konkurset duhet përpiluar ose vlerësuar vetëm nga ata që vërtet janë specialistë dhe njohës të mirëfilltë të letërsisë, e në veçanti të poezisë shqipe dhe që vërtet mbështeten mbi kriteret estetike.
Do theksuar se në shumicën e rasteve kriteret estetike zëvendësohen me disa kritere të çoroditura që për bazë kanë elemente miqësie, inatesh, korruptive, elemente “don zhuanësh”, elemente province, herë – herë edhe politike. Sajohen ca antologji me anonimë, përzgjidhen “poezi” që janë gjithçka, por jo poezi. Pastaj organizohen konkurse dhe sapo të shpallen rezultat janë të qarta kurdisjet. Tashmë edhe juritë kanë filluar të reduktohen nga tre e më shumë në një anëtar, gjë që lë hapësirë për të dyshuar në vlerësimin e poezive apo tregimeve.
Prandaj që të organizohet një manifestim letrar apo konkurs letrar, paraprakisht vërtet nevojiten përgatitje serioze. Ose çdo përpilues antologjie, siç do të thoshte akademik Rexhep Qosja, është i obliguar t’ua parashtrojë lexuesve kriteret estetike dhe parimet e punës, në bazë të të cilave e përpilon antologjinë e tij.
Është edhe një e vërtetë tjetër: antologjitë dhe konkurset letrare asnjëherë nuk kanë qenë dhe nuk do të jenë barometër i suksesit të një shkrimtari. Bie fjala, meqë e përmendëm akademik Qosjen, ai në “Antologjia e lirikës shqipe” (Rilindja, Prishtinë, 1970) nuk e përfshiu Ali Podrimjen, një nga penat tona më të shquar të letërsisë shqiptare. Pra, kjo mospërfshirje nuk e dëmtoi fare Podrimjen, përkundrazi, ai ishte dhe do të jetë një nga poetët tanë më të vlerësuar të të gjitha kohëve. E njëjta vlen edhe për konkurset letrare, të cilat në të kaluarën organizoheshin zakonisht për ata që i bënin hapat e para në poezi.
Në vend të antologjive e konkurseve letrare, të organizojmë debate për librin, për poezinë, tregimin, romanin, dramën, në të cilat debate do të merrnin pjesë shkrimtarë të shquar që, përmes formës pyetje-përgjigje, do të tregohej përvoja e tyre krijuese. Kjo, mbase do t’u ndihmonte shumë atyre që merren me letërsi.
Prandaj, zhvillimi i aktiviteteve, por edhe realizimi i projekteve me improvizime dhe qasje amatore vetëm e legjitimon paditurinë e atyre që marrin guximin për diçka të tillë. E gjithë kjo është pasojë e mospasjes se kritikës, por edhe të mungesës së vetëdijes se letërsia nuk është arenë cirku.
Gjithsesi ka edhe të tillë që do të thonë se është e drejta e secilit të bëj çfarë të dojë. Por, duhet pasur parasysh se kufiri midis kësaj të drejte dhe anarkisë është shumë i hollë, për të mos thënë milimetrik. /HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

POLITIKË DHE STRATEGJI KOMBËTARE KUNDËR KULTURËS SHQIPTARE

Nga Avni Halimi / Cila ishte pozita kulturore e shqipytarëve të Maqedonisë…

Favorizimet dhe diskriminimi kulturor

Midis nesh Favorizimet kulturore janë dukuri që shprehen si pasojë e urdhrave…

NË MBRETËRINË E KRIMIT TË SHTETIT DHE TË PUSHTETIT

Recension (Rreth librit “Magbethi nga Jahja Pasha” (dramë), i autorit Avni Halimi,…

Paçavuret intelektuale që shiten si “manifest kombëtar”

Letër nga Shkupi Në Maqedoninë e Veriut ka kohë që funksionon një…