Midis nesh

Asgjë nuk është si dukur. Asgjë. As manifestimet e ndryshme letrare nuk janë ato që duhet të jenë. Thjeshtë, këto manifestime janë shndërruar në panaire të grupimeve të ndryshme ose në një lloj sfilate të atyre që pretendojnë se janë “poetë”.
Fotot që (“poetët”) i postojnë nëpër rrjetet sociale, lënë të konstatosh se këta bëjnë “letërsi” për dreka e darka, ku shkojnë për të mbllaçitur e për të shkumuar nga menytë e ofruara. Të pakta janë ato manifestime ku hapet debat për letërsinë, sepse për diçka të tillë duhet të kesh një parapërgatitje solide, ndërkaq anonimët nuk janë në gjendje as ta hapin gojën për të thënë së paku një fjali që ka kuptim.
Organizimi i këtyre ngjarjeve “poetike” kulturore dalëngadalë sikur po shndërrohet në modë me konstatimin: “kur mundeni ju të asaj ane, pse nuk mundemi edhe ne të kësaj ane”. Natyrisht, që moti janë përjashtuar kriteret elementare për organizimin dhe përzgjedhjen e poezive që do të lexohen. Në vend të kësaj, kemi një anarki të vërtetë dhe më nuk dihet se kush lexon, kush ha e kush pi. Në fund të ditës duket se të gjithë janë të kënaqur, edhe ata që lexuan (çka lexuan), edhe ata që dëgjuan (çka dëgjuan), por edhe ata që gogësijnë nga drekat a darkat e pasura me mish e pije.
Tash për tash nuk ka ligj apo forcë që do të vendosë një rend në këtë drejtim, pra të organizimit shkel e shko të të ashtuquajturave manifestime letrare, në të cilat mbi pesëdhjetë për qind e pjesëmarrësve janë fytyra të njëjta që defilojnë nga njëri manifestim në tjetrin. Pra, nuk dihet se mbi cilat kritere organizohen ato. Nuk dihet se cila është përmbajtja e këtyre manifestimeve, të cilat, fatkeqësisht, nuk kanë veçantitë e tyre dalluese.
Manifestime letrare prej kohësh po mbahen edhe nëpër fshatra. Por, ka akoma më keq: mbajtja e dy-tre manifestimeve letrare në të njëjtin qytet, por me organizatorë të ndryshëm.
Një është e sigurt, pavarësisht shtimit të numrit të manifestimeve, tirazhet e botimeve poetike gjithnjë e më shumë janë simbolike, çka do të thotë se gjithnjë e më pak lexohet. Në këtë, mbase dukshëm kontribuojnë edhe këto manifestime letrare, të cilat janë gjithçka, por jo edhe manifestime të mirëfillta letrare.
Duke vërejtur se në to marrin pjesë të ashtuquajtur “poetë manifestimesh”, atëherë është i pritshëm dhe i arsyeshëm rënia e lejueshmërisë, sidomos te gjeneratat e reja, të cilat kanë nevojë për një ofertë tjetër që do t’i bënte kureshtarë për librin dhe shtimin e interesimit për të.
Ne kemi nevojë për letërsi të mirëfilltë dhe jo për letërsi drekash e darkash dhe kemi nevojë për manifestime që vërtet kanë përmbajtje të pasur dhe jo për manifestime bajate, në të cilat defilojnë individë të njëjtë me vlera të dyshimta…/HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

PËR KULTURËN S’KA VEND AS NË PREMTIME!

U tha se do të sigurohet mbrojtje nga qentë endacakë, ushqim falas…

Midis nesh / NJË GJEST FRANCEZ DHE NJË PARADOKS SHQIPTAR

Në numrin e fundit (153), e përjavshmja letrare kulturore “ExLibris”, veç të…

Shtëpitë botuese!

Midis nesh Shtëpitë e shumta botuese shqiptare në rrethanat aktuale paraqesin një…

ÇDO KOHË I KA ARTISTËT E VETË

HEJZA me Zake Prelvukajn, piktore Zake Prelvukaj është piktore dhe ligjëruese në…

Pse po bëhen të mërzitshme manifestimet letrare!?

Midis nesh Manifestimet e ndryshme letrare që organizohen gjithandej hapësirave shqiptare, kanë…