Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e cilësoi vizitën në Shtetet e Bashkuara si të shkëlqyeshme për thellimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe SHBA-ve. Në konferencën e përbashkët për media me presidenten Vjosa Osmani, ai foli edhe për çështje të tjera që lidhen me dialogun dhe çështjen e sigurisë pas aplikimit të reciprocitetit për letërnjoftime.

Kurti deklaroi se takimi me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken ishte i veçantë ndërsa tha se invazioni rus në Ukrainë kërkon që të shtohet bashkëpunimi mes Kosovës dhe SHBA-ve në fushën e sigurisë por edhe të integrimit ndërkombëtar.

“Takimi me sekretarin Blinken ishte fort i veçantë sepse në njërën anë është konfirmim i aleancës sonë të fortë, i partneritetit tonë të gjerë, i miqësisë sonë të thellë, por në anën tjetër gjithashtu është edhe hapje e një kapitulli të ri ku reformat demokratike në Kosovë dhe sfidat para së cilave ndodhet jo vetëm Kosova por i gjithë kontinenti për shkak të invazionit rus në Ukrainë, kërkojnë një shtim të bashkëpunimit të Republikë së Kosovës me SHBA. Dhe ne këtë e synojmë si në aspektin e mbrojtjes e të sigurisë po ashtu edhe në atë të integrimit ndërkombëtar dhe pa harruar investimet ne ekonomi, investimet amerikane të cilat do të punojmë që të shtohen dhe kemi shumë besim që edhe marrëveshja për grantin mbi 200 milionësh nga MCC do të kontribuojë në këtë drejtim”, deklaroi Kurti.

Kreu i ekzekutivit deklaroi se formula se si Kosova e sheh normalizimin e raporteve më Serbinë, e që është marrëveshja ligjërisht e obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve e cila në qendër ka njohjen reciproke, mbështetet nga Shtetet e Bashkuara.

“Marrëdhëniet tona me Serbinë nuk janë normale dhe duhet t’i normalizojmë. Kosova shtet normal por marrëdhëniet me Serbinë nuk i ka normale. Marrëdhënien me Shqipërinë e ka normale, marrëdhënien me Maqedoninë e Veriut e ka normale, marrëdhënien me Malin e Zi e ka normale, por jo me Serbinë. Dhe këtë marrëdhënien me Serbinë që nuk e kemi normale duhet ta normalizojmë. Dhe si duket formula e këtij normalizimi, përsëri pajtohemi plotësisht me SHBA. E ajo është marrëveshja ligjërisht e obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve e cila në qendër ka njohjen reciproke”, deklaroi Kurti.

Duke komentuar deklaratat e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, se Kurti po bëhet pengesë për dialogun, kryeministri i Kosovës zbuloi se ishte paralajmëruar një takim i nivelit të lartë në Bruksel më 19 korrik po ishte shtyrë për një muaj.

Ai tha se Vuçiq po shfaqet si president i frikës dhe i kërcënimit ndërsa shtoi se për normalizim të plotë të marrëdhënieve është e domosdoshme që të lihen frikësimet dhe të orientohet nga vlerat evropiane.

“Dua të theksoj se me 19 korrik është dashur të mbahet një takim në Bruksel, unë kam qenë i gatshëm, pala tjetër nuk ka qenë e gatshme dhe e ka shtyrë takimin për së paku një muaj. Pra, gatishmëria nga ana e Republikës së Kosovës ka qenë në nivelin e kërkuar nga Brukseli por nga Beogradi mungonte gatishmëria. Tash unë po i dëgjoj nganjëherë deklaratat që vijnë nga prej kreut shtetëror të Serbisë. Jam kryeministër i shpresës dhe progresit dhe me keqardhje më duhet të konstatoj se presidenti i Serbisë po shfaqet si president i frikës, i frikësimit dhe kërcënimit. Për t’u integruar në BE për normalizim të plotë të marrëdhënieve është e domosdoshme që t’i lëmë frikësimet dhe kërcënimet dhe të orientohemi kah vlerat evropiane, nga fqinjësia e mirë, nga sanksionet ndaj Rusisë dhe nga ballafaqimi me të kaluarën që është i domosdoshëm në Serbi”, deklaroi Kurti.

Kurti u ndal edhe tek dy vendimet që pritet të hyjnë në fuqi të hënën e 1 gushtit, e që ka të bëjë me regjistrimin e makinave me targa RKS për serbët të cilët posedojnë targa të vjetra si dhe atë për reciprocitetin me letërnjoftime.

Kryeministri u shpreh se nuk i preferon këto masa por janë të detyruar duke qenë se zbatohen nga Serbia.

“Ne nuk do t’i kishim preferuar asnjëherë dokumentet e tilla por nëse ka një dokument kur qytetari i vendit tonë e merr në vendkalim kufitar kur shkon në Serbi duhet të ketë një të tillë edhe kur qytetari i cili është pajisur me dokumente të lëshuara nga autoritet e Serbisë hyn në Republikën e Kosovës. Siç nuk kemi qenë për ato targat e përkohshme, nuk jemi as për këto lloj dokumentesh të përkohshme mirëpo përderisa ka një të tillë për qytetarin tonë kur shkon në Serbi është e nevojshme që të ketë një të tillë edhe kur të hyhet në Kosovë dhe kjo do të fillojë prej datës 1 gusht pra të hënën e javës që po fillon pasnesër”, u shpreh Kurti.

Pikërisht ky vendim ka bërë që Kurti të thërrasë Këshillin e Sigurisë për të dielën në mëngjes. Ai u shpreh se ka njerëz që nuk e duan ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë në Republikën e Kosovës.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

You May Also Like

LVV: Kryeministri i paligjshëm shkoi për njohje reciproke, e u kthye me shumë dëme për Republikën

Lëvizja Vetëvendosje ka thënë sot se kryeministri, Avdullah Hoti, siç e quajnë…

Zhdukja e helikopterit të NATO’s, dalin detajet e para të operacionit

Një alarm u dha pak para orës 9 sonte në mbrëmje kur…

44 raste të reja me koronavirus në Maqedoni, në total 329 të infektuar

Ministria e Shëndetësisë njofton se në Klinikën Infektive si pasojë e Covid-19…

Ish-diplomati britanik: Serbia do ta njohë Kosovën, ky është plani

Timothy Less, një ish-diplomat britanik në Bosnje e Hercegovinë, ishte i ftuar…

Kurti i përgjigjet Serbisë për ofrimin e linjitit në këmbim të energjisë elektrike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka ripërsëritur qëndrimin e tij kundër Ballkanit…