Midis nesh

Është e natyrshme që secili shkrimtar të mëtojë që vepra e tij të ketë jetë të gjatë ose ta sfidojë kohën sa më gjatë që është e mundur. Shembulli më i mirë janë Servantesi dhe Shekspiri, veprat e të cilëve ndonëse u shkruan para më shumë se katër shekujve, akoma, edhe sot e kësaj dite vazhdojnë të lexohen dhe të qëndrojnë në majat më të lartë të letërsisë botërore. Ndërkaq në letërsinë tonë, një fat të tillë, tash për tash, e kanë, bie fjala veprat e Kadaresë e ndonjë tjetër që kanë shkruar e botuar vepra shumë kohë para tij, siç janë Barleti, Fishta, Kuteli, Poradeci etj.
Sot, gjithnjë e më shumë, botimet kurdisen që të shohin dritë në një kohë të caktuar dhe për një qëllim të caktuar. Koha është muaji nëntor, kurse qëllimi panairi. Kuptohet, në këtë strategji botimi nuk ka asgjë të keqe. Në fakt, e keqja më e vogël është përqendrimi i të gjithë botuesve që të përgatiten për tregun e madh që, ndër shqiptarët, njihet si panairi i librit. Pra, punohet gjatë gjithë vitit për 4 – 5 ditët e ekspozimit të madh (për shitje) të botimeve të botuesve pothuaj nga të gjitha hapësirat shqiptare.
Jo të gjithë kanë fatin që të kurdiset ora e botimit të veprës së tij, ndonëse kjo nuk flet asgjë për aktin e botimit. Panairet thjeshtë duhet të shërbejnë për ekspozimin e veprave, për njoftimin me autorët, me përkthyesit, për marrëveshje të ndryshme që kanë të bëjnë me librin, për informacione e kështu me radhë, por edhe për debate rreth kritikës, leximit, pastaj rreth sfidave me të cilat përballen jo vetëm botuesit, por edhe shkrimtarët e lexuesit. Siç dihet, librin e shesin libraritë e specializuara. Vallë, çfarë bëjnë libraritë e Tiranës apo të Prishtinës, në kohën e panaireve të librit në këto dy qendra?
Shumë më e natyrshme, mbase edhe e logjikshme është të synohet gjithë-kohësia se sa panairet afat-shkurte. Lexuesi shqiptar sot ka shumë probleme ekzistenciale dhe nuk mund ta kurdisë orën e buxhetit me atë të botimeve të librit. Por, ky lexues sot ka mundësi të shumta informimi dhe, në momentin që i krijohen kushtet e volitshme, ai gjithsesi do të kthejë në librari për të blerë ndonjë libër të ri të autorit të preferuar…
/HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

“Kurse” për poezi!?

Midis nesh Në fillimet e demokracisë pati edhe nisma të çuditshme, por…

Midis nesh / NJË GJEST FRANCEZ DHE NJË PARADOKS SHQIPTAR

Në numrin e fundit (153), e përjavshmja letrare kulturore “ExLibris”, veç të…

Në poezi, gjumë më i parehatshëm

ARBËR SELMANI për veprën në proces Para pak javësh, përshkuar prej një…

Së shpejti del nga botimi “Tradhëtia dhe komploti i Shaqir Fetait në kohë pandemie”

Këto ditë, respektivisht, me rastin e njëvjetorit të uzurpimit politiko-partiak të Bashkësisë…

Kalimthi

Bajram Selmani / Kalimthi Si nuk të pash, kur të ndjeva,isha kalimthi;takova…