Midis nesh

Nuk ka ndryshim nëse e keqja zëvendësohet me të keqen, përkundrazi ka vetëm shtresim të së keqes. Në një ambient të këtillë, ku nuk ka as erë të vlerave morale, duket se çoroditja është bërë kod, pa të cilën sikur nuk mund të funksionojmë.
Duke rënë gjithçka në kthetrat e politikës ditore, edhe kultura është bërë lodër e atyre që janë të pakulturuar, ndërkaq mllefi i pakënaqësia çuditërisht mungon. Dhe kjo do të thotë se të gjithë janë pajtuar me një çoroditje të tillë, për të cilin thamë se është bërë kod funksionimi.
Nëse në Shqipëri e Kosova kultura arrin t’i përvidhet politikës dhe herë pas herë të strehohet në qarqet e profesionalistëve, në Maqedoninë e Veriut, kulturës shqiptare rrobat ia prenë dhe qep vullneti i palës tjetër.
Rasti më i freskët është përzgjedhja e poetëve shqiptarë për Mbrëmjet e Poezisë së Strugës. Përderisa në të kaluarën zakonisht për këtë çështje angazhoheshin shkrimtarë shqiptarë (nga Maqedonia) që kishin bagazh krijues të mirëfilltë dhe që i njihnin vlerat e poetëve nga Kosova e Shqipëria, sivjet këtë “punë” do ta kryejë një joshqiptar që, natyrisht, nuk ia ka haberin se çfarë ndodh në letrat shqipe.
Nuk duhet të habitemi fare se pse kjo gjendje nuk ua tërhoqi “vëmendjen” as përfaqësuesve shqiptarë në Ministrinë e Kulturës, të cilët e kanë për obligim të tregojnë se janë “gjallë”. Ndryshimi nuk mund të vijë nga ata që shpirtërisht janë të lidhur me partinë, aq më tepër nga ata që pretendojnë se janë artistë. Apriori dihet se alternativa e tyre është e mjerë, për të mos thënë më e keqe se e keqja ekzistuese. Kur nuk ke liri shpirtërore, nuk ke as liri veprimi e mendimi…Mungesa e një rendi të natyrshëm i lë hapësirë kaosit, abuzimit, hipokrizisë, mashtrimit.
Pastaj, siç edhe jemi mësuar t’i shohim e t’i dëgjojmë, në skenë (nga pozita e forcës) sërish dalin abuzuesit e hipokritët, të cilët, për nevojat e jetëgjatësisë së tyre ofrojnë alternativa të paqëndrueshme dhe, duke gënjyer ashiqare, kërkojnë besimin për ta avancuar edhe pozitën e “kulturës” shqiptare.
Ata që mashtrohen (fatkeqësisht janë të shumtë) i gëlltisin gënjeshtrat dhe vazhdojnë ta dëgjojnë këngën e vjetër me përsëritjen e vazhdueshme të refrenit të njëjtë…/HEJZA/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

You May Also Like

Anarkia e padukshme

Midis nesh Napoleon Bonaparta ishte shprehur se njerëzit i bashkon vetëm frika…

KEMI JETË LETRARE TË PASUR ME TALLAVA

Me shkrimtarë të diasporës: VAID HYZOTI Vaid Hyzoti është lindur në Ishëm…

“Botues” me printer!

Midis nesh Ndër ne ka shumë të ashtuquajtur “botues”, të cilët botojnë…

Shumësia e intrigantëve

Midis nesh Shoqëria shqiptare, ndër të tjerë, njeh edhe shumë individë që…

Kulturë me ndërkëmbëza

Midis nesh Ndër shqiptarët e Maqedonisë së Veriut përmbytja e vlerave tashmë…